Ditën e sotme, strukturat e Policisë së Burgut të Peqinit kryen një kontroll blic në një prej qelive të këtij Institucioni të Vuajtjes së Dënimit.
Përmes një njoftimi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka njoftuar se gjatë kontrollit u gjet dhe u sekuestrua një telefon celular tip “iPhone 16” i vendosur në karikim si edhe një USB.
Celulari iu gjet shtetasit Indrit Shaqja, në dhomën ku ai kryen dëminin. Bëhet me dije se për rastin u njoftuan menjëherë strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve (SHKBB) për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Shaqja është dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen makabre të dy kunatave në qytetin e Durrësit me qëllim grabitjen e tyre.
Më 15 dhjetor 2023 Indrit Shaqja mbeti i plagosur, teksa i burgosuri Sokol Mjacaj ekzekutoi në burgun e sigurisë së lartë të Peqinit Arben Lleshin (i cili ishte në të njëjtën qeli me Indrit Shaqja).
Njoftimi i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve:
Kontroll blic në IEVP Peqin
Në bazë të të dhënave operative, strukturat e Policisë së vetë institucionit ushtruan kontroll blic në godinën B, sektori nr. 2, dhoma 11, kati i parë.
Gjatë kontrollit, të dënuarit me iniciale I.SH. iu gjet dhe sekuestrua një telefon celular në gjendje pune, i ndezur dhe në karikim, si edhe një USB.
Për rastin u njoftuan menjëherë strukturat e SHKBB-së për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vijon luftën pa kompromis ndaj futjes dhe posedimit të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Komente










