Dy punonjës të kadastrës në Peqin u arrestuan pasi akuzohen se kanë falsifikuar çertifikatën e pronësisë për disa prona në qytetin e Peqinit.  Punonjësi i kadastrës S. Dervishi 50 vjeç dhe topografi J. Deja 55 vjeç akuzohen për shpërdorim detyre dhe falsifikim dokumentash. 

Hetimet kanë filluar disa kohë më parë nga sektori kundër krimit ekonomik financiar pas disa denoncimeve të qytetarëve që kishin denoncuar tjetërsimin e pronës së tyre. Dosja i ka kaluar prokurorisë, janë finalizuar hetimet dhe prokuroria i është drejtuar gjykatës për të siguruar masën e arrestit. 

Pasi gjykata ka vendosur arrest me burg për dy të dyshuarit policia ka ekzekutuar vendimin e gjykatës duke vënë në pranga 2 punonjësit e kadastrës.

Sipas burimeve nga hetimet ka të dhëna të mjaftueshme që vërtetojnë falsifikim dhe tjetërsim të disa pronave duke shpërdoruar detyrën për punonjësin e kadastrës në bashkëpunim me topografin në zonën e Peqinit.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)