Ashtu siç ishte parashikuar, pavarësisht se Sali Berisha pësoi një humbje poshtëruese, ai ndihet fitimitar.
Kjo, sepse ka arritur të mundë… Enkelejd Alibeajn.
Kjo bëhet me dije nga një shënim i portalit të familjes Berisha, që shkon deri aty, sa thotë se Sali Berisha duhej ta zhdukte fare nga fjalori Partinë Demokratike.
Fundja ky është qëllimi i tyre, zhdukja e PD-së. “Rezultati i 14 majit rikonfirmoi edhe njëherë se Partia Demokratike i përket shumicës së anëtarësisë.
Koalicioni i udhëhequr nga Sali Berisha mori mbi 500 mijë vota nga shqiptarët në zgjedhjet lokale, ndërsa PD-ja e ashtuquajtur zyrtare nga regjimi dhe mediat e regjimit nuk mori më shumë se 30 mijë vota në të gjithë Shqipërinë.
Fill pas daljes së rezultateve, më të shqetësuarit për opozitën janë regjimi dhe shërbëtorët e regjimit. Sajuan një dorëheqje fiktive të Enkelejd Alibeajt dhe menjëherë diskursi i tyre kaloi te qëllimi, t’i kërkohet Sali Berishës dorëheqja.
Në njërën anë thonë se Berisha nuk është përfaqësuesi i PD, thonë se PD-në e kanë Alibashët, në anën tjetër i kërkojnë dorëheqje Berishës.
14 maji tregoi se Berisha jo vetëm që përfaqëson anëtarësinë reale të Partisë Demokratike, por kalon përtej saj, votat e marra tregojnë se përfaqëson të gjithë frontin opozitar në vend.
Këto zgjedhje anëtarët e PD kishin të gjithë mundësinë të tregonin se me kë janë, me Alibashët apo me Berishën, dhe ata e treguan qartë këtë në kutinë e votimit.
PD-ja me logo në këto zgjedhje nuk mori as aq vota sa anëtarë mblodhi Berisha në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit, ku morën pjesë mbi 44 mijë anëtarë.
Vula mori vetëm 30 mijë vota në gjithë vendin dhe shumica e tyre për inerci dhe për një gabim ‘taktik’ të Berishës gjatë fushatës që përmendte vazhdimisht në komunikimin e tij: “Partia Demokratike”, kjo ka qenë arsyeja kryesore që ka sjellë pështjellim te votuesit, të cilët janë ngatërruar në fletën e votimit.
Nëse nuk do të përmendej fare Partia Demokratike gjatë fushatës nga koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’, partia e vulës mund të ishte shuar përfundimisht në këto zgjedhje.
Një pjesë tjetër e votave të vulës nuk është çudi të jenë shpërblim i pushtetit për pengjet dhe për t’u mbajtur “frymën” gjallë.
Të gjithë e panë që pushteti mori vota të përllogaritura, që kryeministri deklaroi numrin e bashkive një natë para votimit etj, nuk është e vështirë për një regjim të transferojë 10-15-mijë vota në një “kauzë” që do t’i shërbejë edhe për dy vjet sipas llogarive të tyre.
Opozita votat i ka, frymën po ashtu, sa më shpejt të dalë nga ky diskutim publik me vula pa vula aq më mirë do të jetë për të dhe vendin”, thuhet në shënim e botuar nga portali i familjes Berisha.
Ta gëzoni fitoren!/ Tema