Familjarët mbështesin Muhaxherin:
I preu kokën 1 përdhunuesi femrash

Familjarët mbështesin Muhaxherin:<br />I preu kokën 1 përdhunuesi femrash
KAÇANIK - Një ditë pasi një fotografi e të birit tmerroi botën, dera e shtëpisë së Kjani Muhaxhirit në periferi të Kaçanikut ishte e mbyllur pothuajse gjatë gjithë ditës. Prindërit dhe dy vëllezërit thonë se nuk janë aty. Përreth oborrit bëjnë pothuajse roje xhaxhallarët dhe kushërinjtë.
 
Në shtëpinë e Lavdërim Muhaxherit, të afërmit preferojnë më tepër t’i përgjigjen me heshtje aktit makabër. Ata e pranojnë që fotografia ku vërehet një i mitur me kokë të prerë në duart e Muhaxherit nuk është e rreme. Madje kanë edhe arsyetimin për të.
 
Janë xhaxhallarët ata që shpjegojnë pse ai i preu kokën një njeriu. Xhaxhai i tij, Kadri Muhaxheri thotë se nuk është ndier mirë.
 
“Por, kjo është luftë. Çfarë t’i bësh. Edhe këtu ka pasur luftë, çfarë nuk ka ndodhur. Kanë prerë koka e gjithçka”, thotë ai për Radio Kosovën.
Ajo fotografi nuk është se i ka bërë të ndihen mirë, por ata e dinë pse Lavdërimi ka ardhur deri tek ky moment.
 
Në versionin e tyre viktima pa identitet nuk është një i mitur. Sipas tyre, bëhet fjalë për dhunuesin e një femre.
 
“Djalë më të mirë në Kosovë nuk ka”, thotë Kadriu për Lavdrimin. Ajo që shihet në qenësinë e tërë anëtarëve të familjes është një raport mirëkuptimi me veprimet e tij, në zemër të së cilave është “lufta për Xhihad”.
 
Në asnjë mënyrë ata nuk duket se kundërshtojnë veprimet e tij. Asnjë gjë që ai e ka bërë deri më tani.
“Është zgjedhja e tij. Ai nuk e ka bërë për para, sepse nuk është se i ka pasur punët keq në aspektin material”, thotë xhaxha i tij, Kadriu.
 
Në këtë zgjedhje rrugësh për tek konfliktet, ku prerja e kokës është një opsion, te Muhaxherët nuk ka distancim. Të paktën jo haptas.
Prej janarit të këtij viti Prokuroria Speciale e Kosovës ka hapur hetimet ndaj Lavdërim Muhaxherit për organizim të grupeve që shkojnë në konflikte jashtë vendit dhe pjesëmarrje në aktivitete të terrorizimit.
Por, familjarët e Muhaxherit, që publikoi një video ku shihej tek po e griste pasaportën e Kosovës diku në “tokat e Shamit”, nuk i besojnë sistemit të drejtësisë në vend.
 
Sipas tyre “në Kosovë nuk mund t’i besosh gjyqësisë”. Ky pohim mohues bëhej saktësisht në orën kur fotot e Lavdërim Muhaxherit e kishin shtyrë presidenten Atifete Jahjaga të mbledhë në Prishtinë Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
 
Megjithatë që prej një viti, kur sipas tyre Lavdërimi iu bashkua luftës në Siri, ata janë të vetëdijshëm se gjërat kanë ndryshuar shumë për ta.
Por, thonë se nuk bëhet fjalë krejt për të keq.
 
Madje konsiderojnë se janë familje e respektuar dhe se njerëzit i duan.
Ata nuk e mohojnë që djaloshi 25 vjeçar, që ka të kryer vetëm shkollën e mesme, ka shumë shokë.
 
Disa nga ta, sipas tyre, janë atje, pas tij. Ata flasin për një rrugë të shkurtër të Lavdërim Muhaxherit, prej një të riu të zakonshëm në Kaçanik, që ndihmonte të atin në tregtinë me fruta e perime nëpër tregjet e Kosovës, deri tek përfshirja në tregun botëror të Xhihadit nën simbolin “Shteti Islamik të Irakut dhe Sirisë” (ISIS).
 
Përcaktues për këtë zgjedhje të tij thonë se ishte koha kur ai po punonte në një bazë amerikane në Irak.
 
Ata këmbëngulin se ai nuk ka punuar në bazën ushtarake amerikane (Bondsteel) në Kosovë.
Por, thonë se ai ka pasur shumë miq amerikanë në Kosovë, të cilët madje, sipas tyre, e kanë ndihmuar që të shkoj në Irak.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje

Hakmarrja e Hezbollahut/ Në Izrael njerëzit nxitojnë drejt supermarketeve, autoritetet japin udhëzime për strehimoret! Inteligjenca parashikon sulm gjatë festës hebreje