TIRANE - Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, u  zhvillua sot ceremonia e homazheve në nder të Ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoni, Petrit Bushati, i cili ndërroi jetë një ditë më parë si pasojë e një sëmundje e rëndë kronike.

Familjarë, miq, politikanë dhe përfaqësues të trupës diplomatike zhvilluan homazhe në nder të diplomatit Bushati për rreth dy orë. Ata kanë shkruar kujtimet më të mira në Librin e Kujtimeve, për diplomatin shqiptar në Shkup. Pas përfundimit të homazheve, kortezhi u drejtua për në varrezat e Tufinës ku dhe u krye ceremonia mortore.

Personalitete shqiptare kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ambasadorit Bushati. Ditën e djeshme ishte vetë Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili e cilësoi si një humbje të thellë për Shqipërinë ndarjen nga jeta të dilpomatit. Sipas Bushatit fisnikëria dhe profesionalizmi i tij do t’i mungojnë diplomacisë shqiptare.

homazhet
FOTO të tjera

Ndërkohë sot, ishte Presidenti i Repulbikës Bujar Nishani i cili përmes një mesazhi dërguar të afërmve, shprehu ngushëllimet për vdekjen e ambasadorit Petrit Bushati.

Ngushëllimeve iu bashkua edhe Ministri i Jashtëm i Kosovës Enver Hoxhaj i cili po përmes një mesazhi e ka cilësuar si një humbje të rëndë për diplomacinë shqiptare.
Ambasadori shqiptar Petrit Bushati u nda nga jeta ditën e djeshme për shkak të një sëmundje kronike të rëndë, ndërsa ishte emëruar ambasador në Maqedoni në fillim të vitit 2014.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)