TIRANE- Për Klajdin 8 vjeçar dhe motrën e tij 6 vjeçe mbrëmja e ndërrimit të viteve ishte e fundit që kaluan me babanë e tyre. Dy ditë më pas 41 vjeçari u gjet i vrarë pranë fshatit Mazrek, në Durrës. I ardhur nga Italia për të kaluar festat e fundvitit, Agron Dervishi i cili kishte familjen e tij në Karpen të Maminasit, kishte shkuar për të kaluar mbrëmjen e Vitit të Ri së bashku me prindërit e bashkëshortes.

Policia dyshon se vrasja është shënuar rreth orës 21:00 të 1 janarit dhe trupi i tij i pajetë u gjetë mëngjesin e 2 janarit pranë furgonit të tij. Dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për grabitje pasi viktimës i është vjedhur portofoli para se ta vrisnin. 

INTERVISTA/ I VELLAI: SHTETI TE GJEJE KUSH E VRAU
“Agroni nuk kishte konflikte, bënte një jetë të qetë. Kërkojmë nga shteti që të zbardhet e vërteta, të zbulohet kush e vrau dhe të vihet drejtësia”- tha Alfred Dervishi në një intervistë për Tv A1 Report dhënë gazetarit Arsen Rusta.  Drejtësi kërkon dhe djali i tij Klajdi 8 vjeçar i cili do të kujtojë darkën e fundit me të atin te shtëpia e gjyshit. Ndërsa djali i xhaxhait i viktimës tha se Agroni "nuk ka pasur konflikt me asnjeri, as me ata që është rritur dhe as në Itali, kjo duhet të jetë fatkeqësi që i ka ndodhur atij."

Ka pasur vëllai konflikt me ndonjeri?
Asnjë konflikt me sa di unë me asnjë. “Ngjarja është shumë e rëndë se vëllai im nuk i ka bërë keq asnjeriu, ne duam që çështja të zbardhet sa më parë”-

vellai agron dervishit me logo
(Foto: I vellai Alfred Dervishi)

Me çfarë merrej vëllai?
Me punët e veta.

Ne kemi informacion që Agroni ka qenë bashkëpronar i një firme ndërtimi në Itali ku edhe jetonte, dhe ishte një person që ka ndihmuar shume njerëz, a keni ju një dyshim pse mund të ketë ndodhur ngjarja?
Këtë nuk mund ta them unë, këtë mund ta zbardhi vetëm shteti, vetëm drejtësia. Nëse ka shtet e gjen se kush është.

Ju si e morët vesh ngjarjen?
Me telefon.

Ku ishte nisur Agroni?
Tek vjehrri. Do rrinte për darkë atje dhe do kthehej.

Keni pasur kontakt me policinë?
Të nesërmen në mëngjes, (2 janar) deri tani asgjë tjetër asnjë njoftim nga askush.

Sot 41 vjeçari është përcjellë në banesën e fundit në varrezat e fshatit Karpen të Maminasit në Tiranë ndërsa familjarët kërkojnë të zbardhet e vërteta dhe bëjnë apel për drejtësi.

DYSHOHET SE VRASJA NDODHI PER GRABITJE
Policia e Tiranës nëpërmjet një njoftimi për shtyp të publikuar sot paradite deklaron se para se të vritej viktimës i është vjedhur portofoli, çka tregon se pista kryesore e hetimit është ajo e grabitjes. "Dje rreth ora 07.30 në fshatin Mazrek komuna Kashar, është gjendur i vrarë me armë zjarri pranë automjetit të tij tipi “Mercedes- Benz Vito” me targe CY 325 SZ, shtetasi Agron Xhemal Dervishi, 41 vjec, banues në Maminas, Durrës, të cilit dyshohet se persona të pa identifikuar i kanë dalë përpara, duke e vjedhur portofolin dhe më pas e kanë vrarë.”

Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja te kalibrit 7.62 mm dhe 2 gëzhoja te kalibrit 7.65 mm, si dhe sende e objekte te tjera, te cilat u sekuesutruan në cilësinë e provës materiale dhe per ekzaminime te metejshme. Strukturat për krimet e rënda në Tiranë punojnë intesivisht për sqarimin e rrethanave të kësaj ngjarje dhe identifikimin e kapjen e autorëve.
foto familjaret agron dervishi me logo
(Foto familjarët e Agron Dervishit dhe djali i tij Klajdi Dervishi)

MERRET NE PYETJE ORTAKU I DERVISHIT

Burime nga policia bëjnë të ditur se grabitja dhe vrasja mund të ketë ndodhur nga persona që njihnin viktimën dhe aktivitetin e tij sipërmarrës në Itali. Dervishi ishte bashkëaksioner, së bashku me një shqiptar tjetër në një sipërmarrje ndërtimi në Firence. Policia ka marrë në pyetje edhe ortakun, i cili ka dëshmuar se nuk ka pasur asnjë konflikt me Agronin. Miqtë dhe familjarët e njihnin Agronin si një person zemërgjerë dhe që ndihmonte.

Redaksia online
(sg/ad.ti/shqiptarja.com)