TIRANE - Familjarët e djaloshit 10-vjeçar Julian Çela, i cili ka humbur çdo gjurmë që prej datës 30 nëntor, kanë vënë në dispozicion një shpërblim në shumë parash për këdo që jep informacion lidhur me djalin e tyre.

Familjarë të tij kanë thënë për televizionin A1 Report se janë të gatshëm të ofrojnë një shumë të konsiderueshme parash për çdo person që mund të ketë çfarëdo informacioni që do të çonte në gjetjen e Julianit. Për këtë arsye familjharët e tij kanë vënë në dispozicion 3 numra telefoni 0696503814, 0694321796, 0685804565 dhe luten që çdo e dhënë apo informacion të përcillet në këta numra.

Zhdukja e djalit 10-vjeçar të nëndrejtorit të Antiterorrit në SHISH, Skënder Çela ndodhi në rrethana të paqarta, ndërsa për herë të fundit Juliani është parë në një qendër interneti në zonën e Laprakës në Tiranë, ku dhe banon familja e tij.

Zhdukja prej 12 ditësh e Julianit ka shkaktuar tronditje të madhe te familjarët e tij, ndërsa i ati Skënder Cela, shprehet se nuk ka ende asnjë informacion për djalin e tij. I prerë në fytyrë, me peshën e madhe të dhimbjes që i ka shkaktuar zhdukja e djalit, Skënder Çela nuk dëshiron të thotë asgjë më shumë veç faktit se është gati të bëjë gjithçka për gjetjen e djalit të tij.

Shqiptarja.com dhe televizioni A1Report, i kanë kushtuar një hapësirë të veçantë zhdukjes së 10-vjeçarit. Grupi mediatik është sensibilizuar me dhimbjen dhe ankthin e familjarëve, të cilët prej 12 ditësh nuk dinë asgjë për fatin e djalit të tyre. Foto e Julianit vjen e shfaqur në një hapësirë të veçantë në Shqiptarja.com dhe A1Report së bashku me numrat e telefonit të cilat mund t’i konktaktojë gjithkush që ka informacion lidhur me vendndodhjen e Julian Çelës.

3 PISTA HETIMI

Pista e parë është natyrisht ajo e një rrëmbimi nga persona të interesuar dhe që lidhet me detyrën e Skënder Çelës, babait të Julianit. Ai është nëndrejtor në Drejtorinë e Antiterrorit në SHISH dhe mbulon Sektorin Kundër Krimit të Organizuar. Por e kaluara e 10-vjeçarit dhe rrethanat e fundit kur ai është parë nga disa njerëz kanë ngritur dhe dy pista të tjera.

Pista e dytë autoritetet policore janë informuar se 10-vjeçari edhe më parë ishte larguar disa herë nga shtëpia por megjithatë asnjëherë largimet e tij nuk kanë zgjatur kaq shumë. Kjo është një tjetër mundësi që hetuesit e kuotojnë, që Julian Çela të jetë larguar me vullnetin e tij, sikundër ka bërë edhe më parë.

Pista e tretë lidhet me një të ri 16-vjeçar të quajtur G.Prendi i cili dyshohej në ditët e para nga familja dhe hetuesit si personi që e kishte thirrur i fundit Julianin gjatë kohës që ai ishte në internet-kafe. Madje deri pasditen e së mërkurës policia i dinte “të zhdukur” që të dy, por të mërkurën 16-vjeçari G.Prendi u gjet dhe u mor në pyetje. Ai ka patur disa precedentë të lehtë penalë kryesisht për vjedhje. Por gjatë marrjes në pyetje ai mohoi kategorikisht të kishte shok Julianin duke thënë se thjesht e njihte atë. Me tepër forca G.Prendi ka mohuar faktin se mund të kishte qenë personi që e thirri i fundit kur Juliani ishte në internet. Pasi u pyet tre orë rresht 16-vjeçari G.Prendi u la i lirë nga policia.

JULIANI HUMBI GJURMET NE 30 NENTOR
Dita kur Juliani ka humbur gjurmët ka qenë ajo e 30 nëntorit. Djali nuk kishte shkuar në shkollë pasi oraret e mësimit ishin të shkurtuara për shkak se ishte një ditë pas festave të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Vogëlushi ka qëndruar në orët e paradites në shtëpi, ndërsa është detyruar të dalë jashtë për shkak të shkëputjes së linjës së internetit në banesën e tij. Juliani ka shkuar në një qendër interneti në lagjen ku ai banon, në Laprakë.

DESHMIA E PRONARES SE QENDRES SE INTERNETIT
Pronarja e qendrës së internetit tregon se Juliani ishte djalë i shkathët e çapkën. Ajo thotë se sapo vogëlushi hyri në internet, i ofroi asaj flamurin kombëtar. “Po përse ma jep sot që mbaruan festat?”, rrëfen ta ketë pyetur pronarja e qendrës së internetit. “Ta kesh dhe ti një flamur”, i është përgjigjur 10-vjeçari. Sipas saj, tre minuta pasi hyri në qendër, djalin e thërriti dikush dhe ai doli.

Pronarja e qendrës së internetit thotë më tej se djali erdhi vetëm, pa shokët e tij. Sipas saj, Juliani priti disa çaste brenda qendrës së internetit, por asnjë kompjuter nuk u lirua që ai të ulej. Më pas atë e thirrën dhe ai doli. Ajo thotë më tej se nuk mundi dot të shikonte se cili ishte personi që e thirri djalin, pasi ishte ulur me kurriz nga rruga, por ajo lë të kuptohet se personi në fjalë ishte i njohur për Julianin.

(Gre.M/Shqiptarja.com)