Ekipi i Interit duket se po përgatitet me seriozitet për ediconin e ardhshëm në kampionat dhe kupat e Europës. Filozofia e presidentit Masimo Morati është mjaft e qartë për të larguar të gjithë futbollistët veteranë dhe për të afruar një brez të ri që premton për të ardhmen. Largimi nga ekipi i mbrojtësit brazilian Lucio dhe afrimi i portierit Hundanoviç, që do të thotë se Huliao Cezar duhet ti bëjë mirë llogaritë sepse nuk është në planet e trajnerit Stromacioni, janë sinjalet e para të revulucionit. I fundit që është vënë në diskutim për t’u larguar nga zikaltërit është fantazisti Uesli Shnajder, i cili në dy edicionet e fundit nuk ka qënë në lartësinë e duhur duke munguar në shumë ndeshje. Trajneri Stromaconi sipas parashikimeve nuk e ka përfshirë në planet e tij për të ardhmen duke i dhënë miratimin presidentit Morati që ta nxjerrë në shitje. “Nuk mund të themë që Shnajder është një futbollist i pashitshëm, aq më tepër në këto momente të krizës ekonomike. Nëse do të isha në vendin e presidentit Morati do të mendohesha mirë përpara se të jepja një përgjigje negative kundrejt ofertave për fantazistin” është shprehur Stromaconi për mediat. Tanimë edhe hollandezi duhet të mendojë për ekipin e ri që do të vazhdojë karrierën, pasi të Interi hapësirat do të jenë të vogla për një futbollist si Shnajderi. Vlera e futbollistit është ulur ndjeshëm pas paraqitjes së dobët që realizoi në kampionatin Europian të futbollit që u zhvilluar në Poloni dhe Ukrainë, ku Hollanda nuk arriti të merrte asnjë pikë dhe fantazisti nuk la gjurmë. Pas fitimit të Champions League nga Interi dhe largimit të trajnerit Murinjo nga zikaltërit, forma sportive e mesfushorit ka ardhur gjithmonë në ulje. Interi këtë edicion do të marrë pjesë në Europa League, pasi nuk arriti të kualifikohej në Champions League.