TIRANE- Për të tretin vit radhazi po zhvillohet konferenca dyditore e Farmaceutikëve, e cila ka si qëllim që të trajtojë, por edhe të informojë mbi zhvillime te reja shkencore e teknologjike për të rritur sa më shumë cilësinë e këtij shërbimi të ofruar. Zv.ministrja Milva Ekonomi e pranishme në këtë aktivitet është ndalur tek rëndësia që ka kjo konferencë për farmacistët, por edhe për vetë sistemin.

“Këndvështrimi shkencor është me rëndësi, fillojnë dhe bëhen diskutime për të rejat që vijnë në tregun farmaceutik ndërsa si këto të reja shpërndahen jo vetëm në Shqipëri por dhe në vende të tjera të rajonit nga ku ne marrim dhe hartojmë çmimet tona të referencës për barnat që qarkullojnë në Shqipëri. Unë mendoj që është një iniciativë e mirë që kanë nevojë për t’u mbështetur dhe ka nevojë për të qenë e vazhdueshme. Por përveç kësaj, Urdhri i Farmacistëve bën dhe një punë tjetër që është shumë e mirë që këtë aktivitet e shumëfishon nëpër rajon, duke shkuar në rajonet e tjera të Shqipërisë dhe duke bërë këtë aktivitet në formë të vazhdueshme dhe sistematike Për nga tematika që ato sjellin”, tha Ekonomi.
 
Presidentja e Urdhrit të Farmacistëve Diana Toma është ndalur në problematikën e sistemit farmaceutik.

“Nuk jemi në fazën perfekte por ritmet me të cilat ka ecur sistemi farmaceutik janë të kënaqshme. Jemi në fundin e ciklit të ricertifikimit Nga të dhënat që kemi mbi 80% e anëtarëve tanë i kanë kapur këto rezultate dhe shpresojmë që rezultati final të jetë shumë i kënaqshëm në mënyrë që profesionistët tanë të tregojnë vërtet devotshmëri si përsa i përket mënyrës të ushtrimit të profesionit por dhe cilësisë me të cilën ata e ushtrojnë”, tha Toma.
 
Kjo konferencë përkon edhe me 50-vjetorin e brezit të parë të diplomuar për farmaci në Shqipëri, ndërkohë që të pranishëm ishin farmacistë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia. Kjo konferencë do të vazhdojë edhe nesër.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)