Farudin Arapi:Paratë e fajdeve
i zhdukën KLSH e SHIK

Farudin Arapi:Paratë e fajdeve<br />i zhdukën KLSH e SHIK
TIRANE - Farudin Arapi ka qenë kreu i parë i grupit të administratorëve të piramidave, menjëherë pas daljes së ligjit përkatës, në mes të vitit 1997. Pas 15 vjetësh, ai tregon se pse nuk duhet të mbajë më njeri shpresa për kthimin e parave të tjera, pas dhënies së një shume prej afro 10 përqindësh nga ajo, çka kishin depozituar në këto firma.

Zoti Farudin, ju keni qenë për vite me rradhë kryetar i grupit të administratorëve të firmave piramidale. Si e gjykoni vendimin e fundit të qeverisë, sipas të cilit ky grup suprimohet dhe gjithshka më tej i kalon në administrim ministrisë së Financave?
Që në vitin 2005, para se të vinte në pushtet kjo qeveri, unë kam bërë propozimin që grupi i mbikëqyrësve të firmave piramidale duhet të pushojë së funksionuari, pasi e kreu detyrën e vet.

Kjo do të thotë se paratë nga firmat piramidale u morën dhe iu kthyen atyre që i kishin depozituar, qoftë edhe në një pjesë të tyre?
Jo, kjo do të thotë që grupi i mbikëqyrësve përfundoi misionin e ngarkuar, që ishte përgatitja e kuadrit ligjor përkatës, evidentimi i parave dhe aseteve të ish-piramidave, dhënia për shitje e atyre që ishin konfiskuar. Shifra e parave që u kthyen ishte shumë më e vogël se sa ajo, që qytetarët shqiptarë kishin depozituar, rreth 10 për qind.

Pse themi atëhere që misioni i administratorëve shtetërore të ish-piramidave mbaroi? A nuk duhej të vazhdonte deri sa të zbuloheshin dhe të jepeshin të gjitha paratë?
Misioni i administratorëve nuk mund të shkonte më tej se këtu. Pas zbulimit të pasurive apo llogarive bankare brenda vendit, këto u dorëzuan dhe u shitën në ankand, shteti mori paratë - aq sa mundi - dhe këto iu shpërndanë qytetarëve që kishin depozituar. Por, problemi kryesor doli me llogaritë dhe pasuritë e bosëve të piramidave jashtë shtetit. Me këto nuk mund të merren më administratorët, por institucione të tjera, që i përcakton ligji, siç është Avokati i Shtetit.

Në cilat vende u zbuluan asete dhe llogari bankare?
Po citoj vetëm disa: në Greqi, në Hungari e në Zvicër.

A ka vend për të shpresuar më se shteti do të rikuperojë para të klientëve të piramidave, për t'ua kthyer të zotëve?
Nuk duhet të mbajë askush më shpresa, po të mund të rikuperoheshin, do të ishin rikuperuar deri tani.

Po projektligji i prezantuar së fundi çfarë zgjidh?
Ai duhej të kishte dalë që shtatë vjet më parë, por qeveria e pa me vend që të mbante me rrogë - me shpenzime nga buxheti dhe me paratë që vinin nga ato pak asete që shiti - një grup njerëzish, ish-gjeneralë, etj, që praktikisht bënë një punë të papërfillshme. Projektligji i jep fund kësaj situate, por shpenzimet nuk kthehen më dhe ato kanë qenë shpenzime të pajustifikuara.

Në projektligjin që kaloi pak ditë më parë në qeveri flitej për një afat, pas të cilit paratë e grumbulluara nuk do t'i merrte dot qytetari apo trashëgimtari i tij. Si e gjykoni këtë masë?
Këtu fjala është për ato para, që janë dhënë nga shteti, janë ngurtësuar në banka me emra të caktuar njerëzish, të cilët për arsye të ndryshme nuk i kanë tërhequr ato. Klauzola e mësipërme është absurde, nuk mund t'i hiqet asnjeriu e drejta për të marrë, kur të dojë ai, paratë që i takojnë me vendime zyrtare. Kjo është antikushtetuese. Kështu del sikur vetëm qytetari e ka fajin që ka futur paratë në piramida. Po shteti, nuk mban përg¬jegj¬ësi? Kjo bie ndesh me ¬gjithë logjikën e akteve të deritanishme për piramidat.

Thatë se keni evidentuar para dhe asete në ve¬nde të tjera, pse thoni se nuk ka asnjë shans për klie¬ntët e piramidave se dikur mu¬nd të marrin edhe nd¬onjë këst tjetër?
Kjo u evidentua, jo vetëm nga ne, por edhe nga kompanitë e huaja të konsulencës financiare, që u pajtuan nga qeveria shqiptare dhe nga donatorët. Ishin ato, që evidentuan paratë dhe asetet, që më pas u rikuperuan, ndërkohë që shumë herë më tepër kishin "avulluar".

Në ç'mënyrë?
Ka qenë një periudhë, që i parapriu ardhjes së qeverisë së shpëtimit kombëtar, kur kontrolli i shtetit ka qenë tepër i zbehtë, madje ngë krerë të institucioneve shumë të rëndësishme shtetërore ky kontroll u dobësua qëllimisht. E kam fjalën për Kontrollin e Lartë të Shtetit, që në atë kohë drejtohej nga Blerim Çela dhe Shërbimin Informativ Kombëtar, me në krye Bashkim Gazideden. Këta zyrtarë të lartë shfrytëzuan rrëmujën e protestave për organizuar, për të bërë të mundur dhe ndihmuar largimin e parave të thata masivisht nga vendi. Falimentimi i piramidave filloi që në tetor të 1996-ës dhe këta persona patën kohë të mjaftueshme që të kryenin këtë veprimtari.

Çfarë fondesh mendohet se mu¬nd të jenë evaduar në këtë periudhë jashtë Shqipërisë?
Shifra mund të jepet me përafërsi, duke u nisur nga ajo çka mungon në llogaritë e gjetura dhe është rreth 78-80 milionë dollarë.

Disa herë, kemi dëgjuar ish-bosë të piramidave që kanë deklaruar se, po të mos u ishin se¬ku¬¬est¬ruar pro¬nat dhe po të mos ishin futur në burg, ata do t'i shlyenin të gjitha detyrimet. Ligji për konfiskimin e aseteve të tyre a ja arriti qëllimit apo ishte i gab¬uar, duke qenë se paratë nuk u morrën dot më shumë se 10 për qind?
Ligji u hartua në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Deri në prill të vitit 1998, këta persona patën të gjithë kohën e duhur në dispozicion që të nxirrnin "nga vrimat" paratë e shqiptarëve. Kjo është retorikë boshe. Ata nuk kishin aspak ndërmend t'u jepnin paratë shqiptarëve, por më pas negocionin me qeveritë se, po t'u lehtësonin burgun, do të nxirrnin kaq e aq miliarda.

Sa u përfshinë ndërkombëtarët në shuarjen e fenomenit priramidë në Shqipëri?
Ndërkombëtarët ia treguan rrezikun Berishës që para se të plaste “flluska”, nuk ishte hera e parë që ndodhin gjëra të tilla në botë. Por ai nuk i dëgjoi. Përkundrazi, u armiqësua me të huajt. Pushteti i tij ishte ngulur fort mbi këtë financë informale. Kur gjithshka u shkatërrua, përfshi edhe vetë shtetin, qeveria e re ua la ndërkombëtarëve të auditonin atë çka mund të mblidhej. Ne,¬ si grup mbi¬kë¬qyrësish, kishim detyrë të hartonim kuadrin ligjor, ndërkohë që vlerësimin e aseteve, gjetjen e parave, madje edhe shitjen e pronave i bënë kompanitë e auditimit financiar. SHBA, Banka Botërore e donatorë të tjerë financuan procesin e tenderimit dhe dhanë një ndihmë kolosale. Ishin ata të parët që konstatuan vështirësinë për të grumbulluar paratë e shqiptarëve.

A i "lan duart" kryeministri Berisha me deklaratën e apologjisë për katastrofën e piramidave?
Kjo është një deklaratë politike, është një prononcim që krye¬ministri aktual e bën një vit para zgjedhjeve. Edhe një herë tjetër më parë, në rrethana të ngjashme, është shprehur sikur i ka ardhur keq për çka ka ndodhur. Por, kur Berisha ishte president, në mungesë të Kushtetutës e të ligjit, asgjë nuk bëhej pa miratimin e tij. Organizimi i firmave piramidale u bë në kohën e sundimit të tij, me lejen e tij, madje deri në fund ai u thoshtë shqiptarëve që të futnin paratë e tyre në këto firma, pasi kishin siguri totale nga shteti. Kjo, edhe pasi ndërkombëtarët ndërprenë ndihmat për Shqipërinë, pasi e panë se ai nuk po e çonte vendin drejt zhvillimit, por drejt shkatërrimit.

Pse e mbrojti deri në fund sistemin e piramidave Berisha?
Piramidat ishin financues të mëdhenj të Partisë së tij Demokratike, aq sa mund të thuhet se ishin shtyllat financiare të regjimit. Me anë të tyre, PD thithte paratë e popullit dhe financonte fushatat e saj, këto para frynin xhepat e eksponentëve kryesorë të partisë e të qeverisë të asaj kohe.

Kush e ndihmoi më shumë financiarisht PD-në?
Financuesit e saj më të mëdhenj ishin VEFA, Gjallica, Leka dhe Silva.

A kishte lidhje dir¬ekte të këtyre eksponentëve me piramidat?
Veç lidhjeve indi¬rekte, psh motra e kreut të KLSH-së Blerim Çela ishte bashkëshortja e bosit të "Silvës", Pëllumb Shehaj.

Si e shfrytëzonin këta persona lidhjen me piramidat?
Një shembull: në vitin 1996, kur zyrtarët kryesorë e kuptuan se gjithshka do të shkërmoqej, ata bënin thirrje që të gjithë të investonin në piramidat. Të nisur nga kjo, mijëra familje shitën shtëpitë në këtë kohë, futën në to kursimet e emigrantëve. Kjo ishtë kriminale.

(gk/im/aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht

Kosovë/ Ministri i Financave akuzon Prokurorinë Speciale se po lufton Kurtin e motivuar politikisht