Faruk Kalleshi, ish - peshëngritësi kampion dhe rekordmen absolut i Shqipërisë në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” analizon gjendjen e sportit të peshëngritjes dhe fajtorët që e kanë dërguar në pikiatë shtangën shqiptare. Kalleshi, i vlerësuar me çmimin e madh “Nderi i Kombit”, fajin për degradimin e sportit më elitar në vend e gjenë te drejtuesit e Fedetarës së Peshëngritjes. “Fajtori kryesor është Federata e Peshëngritjes, e cila gjatë viteve të fundit ka pranuar në Shqipëri disa trajnerë të huaj për të përgatitur peshëngritësit tanë. Trajnerët Bullgarë që kanë ardhur, në vendin e e tyre janë penalizuar për përdorim dopingu, ndërsa në Shqipëri ju hapet drita jeshile. Një veprim i tillë ka qënë absurd” shprehet Faruk Kalleshi.

z. Kalleshi si e vlerësoni paraqitjen e shtangistes shqiptare Romela Begaj në Lojërat Olimpike në Londër?
Romela nuk arriti të realizojë paraqitjen e saj më të mirë, unë e njoh kapacitetin e saj sepse e kam stërvitur vetë. Prisja më shumë, pse jo edhe zonën e medaljeve. Por mesa duket ngjarjet e fundit kanë ndikuar edhe te Begaj. Jam habitur kur pashë që pranë saj në Lojërat Olimpike nuk kishte një trajner të licensuar. Një gjë e tillë u duk qartë edhe në momentin e vendosjes së peshave që do të ngrinte, ku shkoi vetë për ta përcaktuar.

Sipas mendimit tuaj vetëm ky ka qënë problemi që e ka penalizuar Begajn?
Jo, janë disa faktorë që kanë ndikuar që Begaj nuk ishte në formën më të mirë. Shqipëria është i vetmi vend në botë që sportistët që do të marrin pjesë në Lojërat Olimpikë përgatiten në prag të lojërave nëpër botë si jetimë. Shteti duhet t’i kishte mbledhur kohë më parë për të ndjekur nga afër gjendjen e tyre.

Mesa duket problemet në peshëngritje qënkan shumë të thella?
Sigurisht, një gjë e tillë është shumë e vërtetë. Personalisht mendoj që problemi fillon në vitin 2005, atëherë kur drejtuesit e Federatës së Peshëngritjes filluan të hapin dritën jeshile për trajnerët e huaj. Pasi këta trajnerë në vendin e tyre ishin pezulluar për doping. Një veprim i tillë ka qënë absurd.

Po probleme të tjera a shqetësojnë peshëngritjen?
Nuk duhet të harrojmë që ekipi kombëtar i shtangës fatkeqësisht nuk ka staf mjeksor. Ky është një tjetër problem i rëndësishëm, i cili ka ndikuar drejtpërdrejtë në ecurinë e sportistëve. Këtu dua të ndalen te përjashtimi i Erkand Qerimajt, federata ishte lajmëruar për substancën, e cila ishte deklaruar e ndaluar, por drejtuesit nuk ja përcollën sportistit duke e penalizuar.

Cila është zgjidhja për krizën në të cilën është përfshirë shtanga?
Problemi mund të zgjidhet vetëm nëse do të largohen drejtuesit e federatës, me të cilët kam pasur shumë debate. Madje mesa di më kanë përjashtuar, se për çfarë dhe se ku nuk e di. Gjithmonë kam qënë në opozitë me veprimet që ata kanë ndërmarrë në lidhje me peshëngritjen, pasi kanë qënë të gabuara.
(Marre nga Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)