Faslli Haliti: S’jam shkrimtar oborri,
e di Kadareja e Agolli pse u dënova

Faslli Haliti: S’jam shkrimtar oborri,<br />e di Kadareja e Agolli pse u dënova
TIRANE- Për më shumë se dhjetë muaj kam duruar një kritikë për mua më shumë se sa për poemën time “Dielli dhe rrëkerat”, me titullin: “Shkrimtarët e oborrit, në garë servilizmi ndaj diktatorit Hoxha”, ku mua më fut si poet të oborrit. Ju pyes. Po të kisha qenë poet Oborri, a do të më çonte vallë Oborri në orizore për të bërë kavalle orizi që të plehëroja me mut e me shurrë grunjërat e kooperativës së Fier-Sheganit. Përkundrazi, pse s’isha i tillë, qesh nga të rrallët në mos i vemi që në gjithë atë rrëmet më piu e zeza: 4 vjet në Kooperativë Bujqësore: 1973-1977, si dhe gjashtë vjet në Komunale: 1977-1983.

Nuk më vjen keq për “autorin” e kritikës shpifëse. Kuptohet sheshit që ai që është i ndërsyer nga persona të një celule kolere dhe ka pranuar të bëhet ushtar i kësaj celule apo “i skuadrës” të pushkatimit tim poetik. Po të mos ishte i tillë s’kishte pse të merrej me mua si njeri, por të merrej me krijimtarinë time. Ai, as zërin s’ma ka dëgjuar si e kam: bas apo tenor. Dhe  s’ka si ta di gjersa s’ka folur, qoftë edhe një sekondë ose të ketë pirë një kafe me mua, për të zbuluar të ‘zezat’ e mia e të shpifte pastaj urbi et orbi  për to me një nervozizëm apo qetësisht.

Por edhe nervozizmin ‘kritiu’ s’e ka të vetin, por të celulës nepotiste që e prekur nga poezia ime që e goditi në vitet ’70 nepotizmin partiak e pushtetar lushnjar. e është pikërisht kjo celulë që e ndërsen këtë biçim kritiku kundër meje. Më vjen keq për gazetën që lejon absurditete të tilla, që lejon futjen në një thes të grurit dhe egjrës. Epo jemi në Demokraci de, do të thoni ju. OK. Por  demokracia nuk është yrrja-byrrja. Demokracia presupozon rregullin, disiplinën. Nuk është haje qen, e merre dosë. Si mund të shpifet për krijuesin që mëton të kënaq, të emancipojë shoqërinë me artin e vet, pa ia bërë syri terr shpifarakut, killerit.

Pse fare pa mbrojtje qenkan njerëzit, pa siguri? Aq më tepër krijuesit. Amerika ndërhyn kur sheh që  nëpërkëmben të drejtat themelore të shtetasve të X e Y vendi nga diktaturat apo diktatorët dhe mbron demokracinë. Po gazeta a nuk e ka këtë obligim. Gazeta ilumininon, nuk nxin jetën e njerëzve, nuk trazon psikikën e tyre. Përkundrazi i qetëson. Ndryshe nuk do të quhej pushteti i katërt. Për nga forca dhe impakti shtypi mund të renditet fare lehtë në ballë të pushteteve. Ata që i kanë gazetat, t’i përdorin për prozhektor përndritës e jo si kobure për të shqetësuar e trembur njerëzit apo si zizifët për të nxirë këdo që ka inat.

Unë nuk do të merrem me gjithë analizën e kritikës për poemën time ‘Dielli dhe rrëkerrat’; sepse, e para, ajo nuk është kritikë, por e tëra shpifje dhe e dyta, poema është kritikuar njëherë nga diktatura si një vokacion apo aspirim për demokraci. Pikërisht për një aspiratë apo vokacion të tillë m’u rrop lëkura dje në diktaturë, si mund të më rripet prapë lëkura mua të rrjepuri? Pse dy lëkura paskam unë? Unë  do  merrem vetëm me dy shpifje duke i ballafaquar ato me të vërtetën.
 
Shpifja  e parë: Haliti nuk u dënua për letërsi
 “...Haliti nuk është dënuar për letërsi, me punue në kooperativë, por për motive të tjera, brutale dhe vulgare”.
Së pari. Pa m’i thuaj pak cilat janë këto motive brutale e vulgare për të cilat flet fluturimthi, në erë t’i zoti “kritik”. Unë vetë nuk i di. Dhe veç teje zoti “kritik”, askush s’flet për motive të tilla. Dënimi im për gabime ideopolitike në krijimtari e sidomos në poemën, u bë në mes të mexhlisit, në ditë për diell e me zë të lartë nga shtypi e media elektronike e kohës.
Së dyti. Kjo shpifje idiote, absurde nuk ka nevojë për përgjigje, pasi dihet botërisht shkaku i dënimit tim me punë të detyruar në Kooperativë e Komunale. E di Dritëro Agolli, e di Kadareja, e di  gjithë qyteti im, Lushnja, e di Plenumi IV i KQPPSH.

Unë këtu do bëj vetëm një ballafaqim me fotot që afishohen poshtë të cilat flasin më mire, më saktë, më qartë, pse u dënua poeti Haliti. Si i sheh “kritiku” këto foto? Mos vallë si foto në një ekskursion, si foto në plazh, dhe  në ç’plazh se: 4 vite në Kooperativë dhe 6 vite në Komunale. Gjithsej 10 vjet konvaleshencë nën Diellin e poemës sime zjarr përvëlues, jo për të tharë rrëkerat, por për të më djegur autorin. Mua. Ky po që është “plazh!”... Nuk e shikon se ç’brozaturë kam marrë unë? Të faleminderit o Diell i Poemës sime që më re në kokë e më nxive si kotorr mua e nuk thave e nuk po i thanë ende rrëkerat që vërshojnë të tërbuara gjithandej.

Ja pra, konvaleshenca ime në kooperativë; ku hapa kanale, vija kulluese; ku bëra kavalle në orizore; ku vadita, prashita, plehërova me mut e me shurrë grunajat; ku korra misër, grurë,  ku korra oriz; vola domate, qepë dhe, pambuk; ku ngarkova qerret me dega si asnjë poet tjetër i dënuar pastër vetëm për krijimtarinë e tij, vetëm për poezitë e tij thellësisht realiste, inkonformiste, vetëm për motive të pastra krijuese dhe për asnjë lloj motivi tjetër extraletrar.
 
Shpifja e dytë: Haliti trillonte kundër krijuesve
“Në vitet 1970, 1980,  Lushnja kishte mjaft djem dhe vajza letrare të mrekullueshme, por Haliti trillonte kundër tyre».
Këtë shpifje të tipit të rrëfimit e denoncimit në polici, unë e hedh poshtë me përbuzje duke  e ballafaquar në mënyrë elegante dhe elokuente me këtë poezi timen, shkruar dhe botuar në vitet ’70 për dy krijuesit më të talentuar  lushnjarë, me të cilët s’më ndante as nata as dita, sepse s’mbaronin diskutimet dhe vlerësimet tona për njeri-tjetrin, për artin, poezinë, muzikën, pikturën:
 
MIDIS JUSH
 
Fa
t                            V
b                            i
a                            s
r              u            a
dh           n            r
i              ë            i
 
unë qëndroj midis jush
si më i shkurtër
dhe jo si mësues.
 
Kjo poezi,  si dhe  disa poezi të tjera të miat, konsideroheshin në vitet ’70 formaliste e gjysmë formaliste, sidomos të tilla u konsideruan edhe në kritikën apokrife të 10-të gjimnazistëve, botuar në gazetën lokale “Shkëndija”, më 25 janar 1973 A nuk kam të drejtë unë të mburrem me dy poetët e rinj që sot janë bërë të njohur: Visari poet e shkrimtarë i shquar dhe ish Ministër kulture, kurse Fatbardhi shkrimtar e dramaturg i njohur e shef kulture në Bashkinë e Lushnjës.
 
Për marrëdhëniet e mia me krijuesit lushnjarë, flet dhe kjo poezi imja:
                          
                         MEDIOKËR
 
Mediokër,
Hiqeni zhurmuesin nga maja e malit,
Mos ia prishni ekranin poetik Sherif Balit!
                
Kjo poezi imja, është vendosur në kopertinën e librit të parë të poetit të ri, Sherif Bali, por për marrëdhëniet e mia me krijuesit lushnjarë flasin edhe këto tre shkrime të  krijuesve lushnjarë:
Vath Korreshi, Sherif Bali, ish kulak dhe dy  të ndjerët: Vladimir Çuni, ish komunist liberal, Besim Golemi, nip i ballistit, shkrime të botuara në gazetat “Temp” në Tiranë dhe “Ora e fjalës” të qytetit të Lushnjës.

Shkrimi u publikua sot (16.10.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët

Media spanjolle ‘El Cronista’: Shqipëria, vizitoni plazhet parajsore të destinacionit mesdhetar me kosto të ulët