Fasonet rritin 31 % eksportin
në katër muajt e parë 2014

TIRANE- Rritja e eksportit këtë vit po udhëhiqet nga sektori i fasoneve. Eksportet e grupit “Tekstile dhe këpucë” u rritën me afro 31% krahasuar me një vit më parë në katër muajt e  parë të vitit, bëri të ditur dje raporti i Institutit të Statistikave për tregtinë e jashtme. Ndërkohë, grupi “Minerale, lëndë djegëse, energji” vazhdon të zërë peshën kryesore në eksporte, me 35% të totalit, por pa regjistruar rritje në vlerë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Eksportet u rritën përsëri në prill për të tretin muaj radhazi. Sipas të dhënave nga INSTAT, eksportet u rritën me 10.3% krahasuar me prillin e vitit të kaluar. Për gjithë katërmujorin, eksportet shqiptare prekën vlerën e 82.2 miliardë lekëve. Nga ana tjetër, edhe importet vazhduan të rriten në muajin e kaluar, me 6% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2013. Për katër muajt e parë të vitit, importet prekën vlerën e 160 miliardë lekëve, në rritje 9% me bazë vjetore.

Rikthimi i rritjes së importeve, megjithë impaktin negativ në bilancin tregtar të vendit, është një tregues i një përmirësimi të mundshëm të konsumit privat në vend. Në dy vitet e fundit, rënia e importeve ka qënë ndër treguesit e uljes së kërkesës së brendshme në ekonomi. Nga ana tjetër, rritja e importeve ka thelluar deficitin tregtar të vendit, që për katërmujorin ishte 78 miliardë lekë, në rritje me 7% krahasuar me vitin e kaluar.
Importet e mineraleve, lëndëve djegëse u zgjeruan me 10.4%, në 29 miliardë lekë. Importet e makinerive, pajisjeve e pjesëve të këmbimit u shtuan me rreth 3.75%.

Importet e tekstileve e këpucëve u zgjeruan me 25.66%, një reflektim direkt i rritjes së ndjeshme prej 31% të eksporteve të këtij grupmalli gjatë katër muajve të parë të këtij viti, ndërsa importet e materialeve të ndërtimit e metaleve u rritën me rreth 19%.

Por grupi kryesor që ka ndikuar në 23% të rritjes së importeve është ai i avionëve, si rrjedhojë e vlerës shumë të lartë të importit që u konstatua në janar, ku qeveria kreu pagesën për helikopterët e ushtrisë.

Grupi i dytë me rritjen më të lartë për katërmujorin është lëndë të djegshme dhe minerale të tjera, i ndjekur nga hekuri dhe çeliku, më pas makineri e pajisje si dhe lëkurët.
Defiçiti tregtar i prillit është 21 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 1,8% krahasuar me prillin 2013 dhe 0,5% në krahasim me marsin 2014. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 maj 2014
(d.a/shqiptarja.com) 

 

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve

Marrëdhëniet Greqi -Shqipëri, avokati Islami: Kanë bërë masakra në vendin tonë, Beleri në PE ishte goditje për ne! Sekretari i OMONIA-s: Jemi urë komunikimi mes vendeve