Kryeministri Edi Rama flet për herë të parë në emisionin 'Repolitix' pas draftit të Komisionit të Venecias që evidentoi se Presidenti Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën. Kreu i qeverisë thotë se tashëm i takon komisionit të posaçëm për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e saj.
"Nuk kam asnjë qëndrim për këtë sepse është një cështje që i takon komisionit të posaçëm dhe ka të gjithë kompetencën për të gjykuar mbi shkeljen e bërë dhe për të konstatuar peshën e kësaj shkelje. Në fund nuk do të jetë një qëndrim politik, por i formësuar mbi gjykimin e atyre që e dinë këtë punë më mirë se ne të dy. Nuk është më puna ime, qëndrimet i kam mbajtur kur ndodhi shkelja dhe për mua tani është shumë e rëndësishme që komisioni i Venecias është shprehur, sikur unë shprehja në mënyrë të përsëritur më pyesnit si do të bëhen zgjedhje me një parti dhe u thosha asnjë parti apo një grup nuk mund të marrin peng zgjedhjet. Këtë Venecia e ka thënë e zeza mbi të bardhë dhe nuk ka asnjë diskutim se shkuarja në zgjedhje ka qenë vendim i duhur dhe se zgjedhjet janë plotësisht legjitime" tha ai.
Këmbënguljes së gazetarit Denis Minga nëse do ta shkarkojë shumica Presidentin pas përgjigjes së Komisionit të Venecias, kryeministri iu përgjigj duke thënë se nuk ka kohë të merret me fatin e Ilir Metës. "Përgjigja ime është e thjeshtë dhe e qartë, është krijuar një komision që ka në përbërje njerëz të ligjit, që dinë të zbërthejnë të gjithë materien nga pikëpamja ligjore dhe ata do të na bëjnë ne sugjerimin e tyre si parlament dhe ne do të marrim vendimin tonë. Nuk kam asnjë minutë për t'u marrë me fatin e Ilir Metës.
Mbrëmë jam marrë me fatin e një djali që gjendej në një situatë dramatike që prej tetë vitesh e trajtojnë në shtëpi dhe u mungonte një spital special për sëmundjen e tij, nuk kishin trokitur në dyer e autoriteteve, u desh një faqe në Facebook që të merrej vesh. Djalin e kemi sjellë në Tiranë dhe tani po kthehet në shtëpi ku do të ketë edhe krevatin e krijuar posaçërisht për këtë sëmundje. Kjo është shumë e rëndësishme se fati i Ilir Metës. Ilir Meta nuk ka asnjë problem shëndetësor dhe uroj të mos ketë kurrë, për problemet e tjera të Ilir Metës nuk kam asnjë interes, fare" tha ai.
Presidenti u shpreh se nëse Komisioni i Venecias do të deklaronte se ka shkelur Kushtetuën do të jepte dorëheqjen, por tani që drafti doli dhe e rrëzoi, a ka kryeministri një këshillë për ish-aleatin? "Asnjë. U vonova teksa më prisnit sepse po merresha me një tjetër cështje, të një familje në emigracion që duhet të kthejë trupin e një familjari dhe kërkonte ndihmë për procedurat dhe këtë e zgjidhëm. Kemi gjëra shumë më të rëndësishme sepse në fund të fundit, politika është e bukur sepse u shërben njerëzve dhe bëhet e shëmtuar kur kthehet në një territori të okupuar ku grinden dhe përplasen, ua nxjerr nga hundët njerëzve. Kam vendosur të braktis këtë territor. Kjo është një cështje që i takon komisionit të posaçëm dhe parlamentit".
Lajmi kryesor: