Një krizë e re politike po hapet me shpejtësi në kryeqendrën e Veriut. Nëse akuzat e Partisë Demokratike lidhur me dënimin e kryebashkiakut të ri të Shkodrës Valdrin Pjetri në Itali, do të rezultojnë të vërteta, në Shkodër do të ketë zgjedhje të reja. Dhe pikërisht këtu qëndrojnë edhe mundësia e zhvillimit të krizës së re. Nëse Valdrin Pjetri ‘digjet’ nga ligji i dekriminalizimit, nuk jemi më në kushtet e nenit 161 të Kodit Zgjedhor, ku KQZ-ja mund të përsërisë zgjedhjet. Data për zhvillimin e zgjedhjeve në Shkodër duhet të dekretohet nga Presidenti Ilir Meta. Pra ‘topi’ kalon automatikisht në fushën e Ilir Metës. Neni 161 i Kodi Zgjedhor ka përcaktuar kushtet kur KQZ vendos për përsëritjen e zgjedhjeve, pa ndërhyrë Presidenti. Neni 161 parashikon që “pas përfundimit të procesit të ankimit, jo më vonë se 3 ditë nga nxjerrja e rezultatit të zonës zgjedhore, KQZ-ja kryesisht ose me kërkesë të subjektit, shpall të pavlefshme dhe urdhëron përsëritjen e zgjedhjeve në të gjithë zonën zgjedhore, kur pavlefshmëria e shpallur në një ose disa qendra votimi, sipas nenit 160 të këtij Kodi, ndikon në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi”. Procesi ankimor për zgjedhjet në Bashkinë e Shkodrës ka përfunduar dhe gjykata i ka dhënë mandatin Valdrin Pjetrit në datën 29 korrik, që do të thotë se nuk kemi të bëjmë me pavlefshmëri në zgjedhje, por vetëm me zgjedhje të reja.

Ndërprerja e mandatit.

Nëse akuzat e PD ndaj Valdrin Pjetrit do të dalin të vërteta, kryebashkiaku i ri nuk do ta bëjë betimin. Ai gjithashtu nuk do të japë dorëheqjen për një detyrë, të cilën nuk e ka. Mundësia e vetme e Pjetrit është të paraqitet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe të mos pranojë mandatin. Neni 61 i ligjit nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore parashikon që mandati i kryetarit të bashkisë përfundon përpara afatit në rastet kur nuk pranon të bëjë betimin, jep dorëheqjen, shkarkohet etj. Pika e fundit e këtij neni parashikon që në rastet e përfundimit të parakohshëm të mandatit, organizohen zgjedhjet e pjesshme për kryetarin e bashkisë, në përputhje me dispozitat e Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë. Këtu në lojë do të hyjë kreu i shtetit Ilir Meta, i cili është përfshirë në një vorbull konfliktesh me shumicën qeverisëse.  

Kodi zgjedhor dhe roli i Metës.

Neni 10 i Kodit Zgjedhor, parashikon që data e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore caktohet me dekret nga Presidenti i Republikës. Në rast të ndërprerjes së mandatit, për shkaqet e parashikuara në nenin 115 të Kushtetutës, zgjedhjet mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Sipas Kodit Zgjedhor, në çdo rast, Presidenti i Republikës nxjerr dekretin jo më vonë se 48 orë nga njoftimi për ndërprerjen e mandatit. Por a do ta zbatojë Meta Kodin Zgjedhor për të dekretuar zhvillimin e zgjedhjeve të reja në Shkodër, nëse vërtetohen akuzat ndaj Pjetrit? Kreu i shtetit nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, të cilët i ka dekretuar vetë dhe më pas anuluar. Sipas Metës zgjedhjet lokale janë në 13 tetor. Në këto kushte, Meta ka në dorë zgjidhjen e krizës në Shkodër ose thellimin e saj. Nëse Meta nuk do të dekretojë zgjedhjet e reja në Shkodër, duke njohur vetëm 13 tetorin, në këto kushte në krye të Bashkisë së Shkodrës do të qëndrojë Voltana Ademi, deri kur të zhvillohen zgjedhjen e reja.

Sinjali i PS dhe mundësia për PD.

Zhvillimi i zgjedhjeve të reja në Shkodër është një mundësi për Partinë Demokratike për të hequr dorë nga strategjia e bojkotit dhe vetëasgjesimit politik. PD ka mundësi të marrë pjesë në zgjedhje jo vetëm për kryetarin e Bashkisë në Shkodër, por edhe për Këshillin Bashkiak. Jo rastësisht, Partia Socialiste ka ‘ngrirë’ procedurat për konstituimin e këshilli bashkiak në Shkodër. Burime për Report Tv bënë me dije se do të pritet procesi i verifikimit të dokumenteve të bëra publike nga PD ditën e djeshme lidhur me kandidatin socialist Valdrin Pjetri. Nëse Pjetri rezulton se është në shkelje të ligjit të dekriminalizimit, edhe këshilltarët e zgjedhur nuk do ta bëjnë betimin. Kjo lëvizje tregon për një vullnet të Partisë Socialiste për t’i hapur rrugën Partisë Demokratike për të hyrë në zgjedhje.