Fati i PD vendoset më 3 mars, Tabaku: Askush të mos ushtrojë presion mbi gjykatën! Duhet zgjidhje politike për partinë, në zgjedhje me 1 kandidat

Deputetja e PD, Jorida Tabaku thekson se nuk duhet të ketë presion ndaj gjykatës për fatin e vulës së PD, vendim që do të jepet më 3 mars kur Sali Berisha ka paralajmëruar protesta të fuqishme.

Në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, deputetja demokrate tha se opozita është e përçare dhe ky vendim duhet të ndikojë për të bashkuar demokratët. Tabaku shprehet se duhet t’i vijë fundi përçarjes së demokratëve dhe të shkojnë si opozitë me 1 kandidat në zgjedhjet vendore të 14 majit.

“Nuk kam komentuar asnjëherë vendime gjykatash. Për mua, mendoj se kjo ka nevojë për zgjidhje politike dhe shpresoj që të vijë përtej këtij vendimi të gjykatës. Më duket e pandershme për demokratët që debatet për një çështje që vijon të na ndajë, duhet të vendosim interesat e demokratëve së pari dhe të dalim me kandidat të përbashkët dhe asnjëri nga ne s’duhet të ushtrojë presion mbi gjykatën. Dua ta konsiderojë si vendim për të bashkuar PD. Përtej vendimit të gjykatës, duhet zgjidhje politike për PD. Opozita duhet të dalë me 1 kandidat, duhet të jetë e gjitha e bashkuar kur kemi kaq shumë përqendrim pushteti e përdorim burimesh shtetërore, sa kohë të kemi mundësi e hapësirë do të punoj në këtë drejtim”, tha Tabaku.

Për mocionin me debat që do të mbahet më 2 mars, Jorida Tabaku tha se në fokus do të jetë transparenca për çështjen e ish zyrtarit të FBI, Charles McGonigal.  

Një koment e pati edhe për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi Bordin e Transparencës për çmimet duke thënë se duhet të pezullohet menjëherë aktiviteti i tyre përfshirë edhe karburantet.

“E quaj fitore në aspektin politik duke qenë se ka qenë kauzë e drejtë por do të ishte fitore nëse qytetarët s’do kishn përjetuar rritjen e çmimeve. Ajo që ka ndodhur me Bordin e çmimeve dhe karburanteve është për mua një nga abuzimet më të mëdha që i ka sjellë qeverisë 350 milionë euro shtesë në buxhet. Duhet të pezullohet menjëherë aktiviteti i bordit të ushqimeve”, tha Tabaku.

Sa i përket kandidimit për Bashkinë e Tiranës, deputetja demokrate thotë se nuk është në qëllimet e saj.

“Bashkia e Tiranës nuk është në synimet e mia. Tani jam e fokusuar në parlament dhe më pëlqejnë sfidat këtu”, tha Tabaku.

Data 3 mars do të jetë ‘beteja’ përfundimtare mes dy kampeve brenda Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do ta drejtojë partinë, Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj, më këtë të fundit që ka aktualisht edhe vulën e partisë. Duhet theksuar se  Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore. Prandaj është shumë i rëndësishëm, pasi kështu do të mësohet edhe fati i Sali Berishës në zgjedhjet e 14 majit se si do të regjistrohet në zgjedhje në një kohë kur i ka zyrtarizuar kandidatët në të gjitha Bashkitë e vendit. Nga ana tjetër Berisha ka paralajmëruar se do të zhvillojë një protestë kombëtare në po të njëjtën ditë.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb

MPJD i kundërpërgjigjet Beogradit, ia refuzon kërkesën për vizitë një ministri serb