Më 3 mars ‘beteja’ e fundit e ‘luftës’ mes demokratëve, Apeli vendos datën e shqyrtimit 3 ditë para afatit për regjistrimin e partive për 'vendoret'

Më 3 mars ‘beteja’ e fundit e ‘luftës’ mes demokratëve, Apeli vendos datën e shqyrtimit 3 ditë para afatit për regjistrimin e partive për 'vendoret'

Enkelejd Alibeaj dh Sali Berisha

TIRANË- Data 3 mars do të jetë ‘beteja’ përfundimtare mes dy kampeve brenda Partisë Demokratike, pasi Gjykata e Apelit do të vendosë se kush do ta drejtojë partinë, Sali Berisha apo Enkelejd Alibeaj, i cili aktualisht ka edhe vulën e partisë. Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore. Gjykata caktoi sot datën për të shqyrtuar apelimin që Alibeaj i bëri vendimit të Agron Zhukrit që më 25 mars të vitit të shkuar, pranoi regjistrimin e statutit, logos dhe vulës së grupimit Berisha.

Kjo seancë gjyqësore do të vendosë mbi fatin e partisë më të madhe opozitare në vend, si edhe do të zgjidhë përfundimisht ngërçin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke ndarë kështu se cili nga kampet do të regjistrohet për zgjedhjet vendore nën siglën e PD-së. Çështja do të shqyrtohet nga Elona Mihali e cila do të jetë gjyqtare relatore, ndërsa anëtarë janë caktuar gjyqtarët Irida Kacerja e Astrit Kalaja. 

Nëse Apeli do të lërë në fuqi vendimin e Zhukrit, do të jetë Sali Berisha ai që do të marrë kontrollin e Partisë Demokratike dhe do të futet në garë me kandidatët e dalë nga procesi i primareve. Por nëse Apeli do të rrëzojë vendimin e Zhukrit, do të jetë Alibeaj ai që do të futet në zgjedhje me logon e PD-së, ndonëse ai deri më tani ka prezantuar shumë pak kandidatë dhe për Tiranën, ku do të jetë më e fortë beteja elektorale, ende nuk ka një emër.

Nëse këtë ‘betejë’ e fiton Alibeaj, për të marrë pjesë në zgjedhje Berishës do t’i duhet t’i gjejë një mënyrë tjetër për t’u futur në zgjedhje, nën siglën e partive aleate. Që do të thotë do të përsëritet skenari i zgjedhjeve të pjesshme vendore të 6 marsit, në të cilat Berisha u fut bashkëpunoi me LSI-PDK, të cilët krijuan koalicionin "Shtëpia e Lirisë" dhe u futën në garë kandidatët e zgjedhur nga ish kryeministri.

Kujtojmë që Sali Berisha ka akuzuar herë pas here mazhorancës, sidomos kryeministrin Edi Rama se po mbante peng çështjen e vulës së PD në Apel, pasi nuk do që të futen në zgjedhje. Por tashmë kjo seancë do të mbahet më 3 mars, teksa ka pasur edhe një reagim nga përfaqësuesi ligjor i PD-së Indrit Sefa. Ai shkruan se më në fund do t’i jepet zgjidhje legjitimitetit të drejtimit të partisë. Grupi i Alibeajt pati dorëzuar edhe një kërkesë para disa ditësh për përshpejtimin e shqyrtimit të kësaj çështjeje.  

Deri më tani, në gjykatën e Tiranës rezulton ende kryetar Lulzim Basha që dha dorëheqjen, ndërsa vendimi që pritet të ndajë përfundimisht se kush e ka drejtimin e partisë mes kryetarit të komanduar Alibeaj dhe Berishës.

Çfarë duhet që një parti të regjistrohet në zgjedhje?
Në nenin 64 të Kodit Zgjedhor thuhet se çdo parti politike duhet të paraqesë kërkesën për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në KQZ jo më vonë se 70 ditë përpara datës së zgjedhjeve.
Për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor për çdo lloj zgjedhjeje, një parti politike duhet të paraqesë në KQZ: a) vërtetimin që partia është regjistruar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë;  b) emrin, mbiemrin dhe adresën e kryetarit të partisë, i cili është personi i autorizuar për të paraqitur kandidatët; c) emrin zyrtar, shkronjat nistore dhe adresën e partisë; ç) specimenin e vulës së partisë; d) emrin, mbiemrin dhe adresën e financierit të partisë; dhe dh) emrin, mbiemrin dhe adresën e personit përgjegjës për komunikimin me KQZ-në. e) deklaratën me shkrim të nënshkruar nga kryetari i partisë politike ku përmendet angazhimi solemn për refuzimin për të marrë pjesë në praktika të blerjes së votës, marrjes së financimeve apo përfitimeve të kundërligjshme, veçanërisht nga ato që vijnë nga aktivitete kriminale, si dhe përkushtimin për të konkurruar në zgjedhje në mënyrë të ndershme dhe me integritet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:50
Më 3 mars shqyrtohet në Apel çështja për vulën e PD-së, Sefa: Më në fund zgjidhet legjitimiteti për drejtimin e partisë

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Indrit Sefa ka reaguar pasi Gjykata e Apelit vendosi datën për shqyrtimin e çështjes për vulën e partisë. Përmes një postimi në Facebook, Sefa shkruan se ky është një hap shumë i rëndësishëm për të zgjidhur përfundimisht çështjen e legjitimitetit të PD-së. Sefa shkruan se PD është një parti e shqiptarëve dhe që respekton partneritetin strategjik me SHBA dhe BE.

“Më në fund!!!!! Pasi kemi depozituar për të disatën herë kërkesën për përshpejtimin e gjykimit të ankimit të PD-së, më në fund Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm ka caktuar datën e shqyrtimit të ankimit në datën 03.03.2023 në orën 11.00. Ky është një hap shumë i rëndësishëm për të zgjidhur në mënyrë përfundimtare çështjen e legjitimitetit të drejtimit të PD-së. PD është parti e shqiptarëve të ndershëm, që respekton shtetin ligjor, partneritetin strategjik me SHBA&BE dhe që do ta bëjë Shqipërinë si gjithë Europa”, shkruan Sefa.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • karadakliu: 11/02/2023 10:00

    Eshte qare e perqare PD, edhe pse ishte bashke me PS fakror primar per zhvillimin e proceseve demokratike ne Shqiperi,Tash as nuk ke cka regjistron e as cka çregjistron,nuk ka mbetur as per kualicon e as per kundershtar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Gjykata më e lartë e Francës konfirmon dënimin për korrupsion ndaj ish-presidentit Sarkozy

Gjykata më e lartë e Francës konfirmon dënimin për korrupsion ndaj ish-presidentit Sarkozy