Fatmir Lamaj: Si të ringjallim
Institutin e të Përndjekurve Politikë

Fatmir Lamaj: Si të ringjallim<br />Institutin e të Përndjekurve Politikë
TIRANE - Ish-i burgosuri politik Fatmir Lamaj, - pjesëmarrës në grevën e urisë së kësaj shtrese, ka dhënë për rubrikën "Raportoni ju" të "Shqiptarja.com", propozimet e tij për rinngjalljen e Institutit të të Përndjekurve Politikë, emërimin e z.Bedri Blloshi në krye të tij, raportet e reja që Qeveria "Rama" duhet të krijojë me shtresën e të persekutuarve për të mos vazhduar më përndjekjen si në vitet e qeverisë "Berisha".

Lamaj shkruan: "Ndryshimet e reja politike në Shqipëri patjetër që kanë në vetvete kontributin e pamohueshëm të gjithë shtresës së të përndjekurve politikë, të cilët, duke përjetuar dhimbshëm zhgënjimin e madh që solli pushteti i kaluar, bojkotuan masivisht Partinë Demokratike dhe Berishën.

Do të ishte fyese për këdo nga ne vazhdimësia e një pushteti që vetëm na mashtroi e zhgënjeu me qeverisjen e dytë të tij, e cila solli mjerim të metejshëm. Vetëm spiunët e servilët e çdo kohe u bënë "garda pretorane" e mashtrimit të ri berishian.

Në kuadër të ndryshimeve të reja besoj se dallgët e reformimit institucional do kalojnë edhe mbi godinën e vjetër të Institutit të të Përndjekurve Politikë. Ajo godinë duhet të shkundet nga pluhuri dhe myku 8-vjeçar, po kujdes z. Rama, se ështe shumë e vjetër dhe mund të shembet.

Berisha, institutin e të Perndjekurve Politikë, e la në një godinë "të persekutuar", ku për tetë vjet nuk u bë asnjë qindarkë investim, ndërsa ministrat e tij rikonstruktonin dhe mobilonin zyrat e tyre çdo vit.

Asgjë personale nuk kam kundër drejtuesit aktual të atij institucioni z. Simon Mirakaj. Përkundrazi, në përshtypjen, respektin dhe konsideratat e mia, pavarësisht luhatjeve të lehta që mund të kem pasur, marrëdhëniet tona, individualisht i kam ruajtur dhe do të ruaj gjithmonë respektin e madh për të dhe gjithë familjen e tij.

Mirësinë dhe butësin e Simon Mirakës, si individ, e keqpërdori pa mëshirë, sharlatani Berisha, duke e kthyer atë institucion në një instrument politik për qellimet e tia gjithmonë të mbrapshta ndaj shtresës tonë.

Kushdo që e njeh mirë Simonin, do të ruajë për të respektin, veçse nuk do t'ia fali kurrë keqpërdorimin e tij në dëm të persekutuarëve politikë. Në kontekstin aktual të situatave te reja është e natyrshme që individë të ndryshëm t'i japin hov egoizmit dhe ambicjeve drejt postit të lënë detyrimisht bosh.

Përzgjedhja e tyre do të krijonte një kokëçarje të pashmangshme, por në kryesinë e Shoqatës së të Burgosurve Politikë, ”integrimi me drejtësi dhe dinjitet”, me kryetar z. Xhaferr Ankaraj, e kemi bërë propozimin tonë, duke iu shmangur çdo vlerësimi për kandidaturat e tjera.

Duke e vlerësuar si të vetmen mundësi për t'i kthyer dinjitetin e nevojshëm dhe të munguar e duke e bërë atë institucion, funksionalisht efiçent, u kemi propozuar institucioneve perkatëse emrin e z. Bedri Blloshmi si pinjoll i një familjeje të madhe dhe tërësisht të persekutuar nga regjimin komunist.

Z. Blloshmi - vëllai i poetit të vrarë Vilson Blloshmi dhe kushëriri i parë i poetit Genc Leka, dhe ky i pushkatuar si biri i një familjeje me 12 të pushkatuar nga diktatura komuniste-  përfaqëson në vetvete vlerat më të mira për drejtimin e atij institucioni të kthyer në një kufomë në dekompozim e sipër.

Emri i Bedri Blloshmit është i njohur në publicistikën shqiptare dhe më gjërë si dhe i mirënjohur nga bashkëvuajtësit e vet.

Ne besojmë se kandidatura e tij do të gjejë mirëkuptimin e nevojshëm si dhe kujdesin dhe ndjeshmërin e duhur që ky institucion mos të bjerë më në duar sharlatanësh dhe të paftësh siç ka ndodhur deri sot.

Zotërinj pushtetarë! Përzgjedhja e një kandidature dinjitoze në krye të atij institucioni mund dhe duhet të konsiderohet si testi i parë, por me shumë rendësi, për  marrëdhëniet që do të krijojë Qeveria e re me shtresën e të persekutuarëve politikë, sepse ajo reflekton në vetvete qëllimin dhe ndjeshmërinë tonë si një tregues shumë domethënës, ku çdo hap i gabuar në këtë drejtim do të lindte veçse dyshime në qellimet e deklaruar nga ana juaj për ne. A nuk ka ardhur koha? ... Kohë ska më…"

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, a duhet hetimet të shkojnë përtej mjekëve?



×

Lajmi i fundit

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë

Konjufca ngre alarmin: Qindra njerëz në Serbi po stërviten për një sulm në Kosovë