Francë-Belgjikë që luhet sot, duke nisur nga ora 18:00 është një nga supersfidat e fazës së 1/8 të Evropianit. Të dy përfaqësueset nuk kanë bindur në fazën e grupeve. Madje belgët e kaluan me vështirësi grupin dhe duke iu referuar edhe lojtarëve në përbërje Franca është favorite për të kaluar në çerekfinale.
Të besuarit e Deschamps janë të gjithë gati dhe nuk ka asnjë mungesë, ndërsa te Belgjika janë në pikëpyetje dy lojtarë, Vitsel dhe Thomas Meunier.
Të dy përfaqësueset e njohin mjaft mirë njëra-tjetrën, teksa janë përballur 75 herë dhe është Belgjika që ka më shumë fitore, 30, kundrejt 26 të Francës. Megjithatë gjelat i kanë mundur në gjysmëfinalen e Botërorit të 2018 si dhe në finalet e Ligës së Kombeve në 2021, ndaj kjo është një mundësi për hakmarrje.
Edhe pse në historinë e saj Belgjika ka pasur shumë yje nuk e ka fituar asnjëherë Evropianin, duke iu afruar vetëm në 1980 kur shkoi deri në finale, ndërsa Franca e ka fituar dy herë. Në 1984 dhe në 2000.