PRISHTINË, 26 Nëntor /ATSH/- Kryetari i Nisma-s për Kosovën, Fatmir Limaj, u nderua sot me titullin "Qytetar Nderi" i Tropojës.
Limaj u prit nga kryetari i komun?s së Tropojës, Ram Kortoçi, dhe deputeti i zonës, Besnik Dusha, të cilët i ndanë titullin "Qytetar Nderi" me motivacionin "për kontributin e tij të veçantë në çështjen kombëtare, për pavarësinë e Kosovës dhe në përkushtimin e tij për zhvillimin e demokracisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit".
Nisma në njoftimin e sapodërguar bën të ditur se kryetari i komunës së Tropojës, Kortoçi tha se "Fatmir Limaj renditet mes personaliteteve më të shquara të Kosovës, si një staturë e shkëlqyer e luftës së saj për çlirim si dhe për ndërtimin e zhvillimin e Kosovës.
Po ashtu, duke nderuar Limajn me titullin "Qytetar Nderi" i komunës së Tropojës, ky qytet nderon gjithë ata bij e bija të Kosovës, që dhanë jetën për lirinë dhe pavarësinë e saj, të gjithë ata që luftuan për Kosovën.
"Ndarja e këtij titulli përbën një vlerësim për Fatmirin, ashtu si për të gjithë shqiptarët e Kosovës dhe për mbarë bashkatdhetarët tanë kudo në botë. Vlerësimi i tij me këtë titull, është vlerësim për kombin shqiptar, është vlerësim për historinë tonë të vjetër dhe të re, është vlerësim për të gjithë patriotët, për të gjithë ata që kanë luftuar për çështjen kombëtare, është vlerësim për vetë Shqipërinë dhe Kosovën", theksoi Kortoçi.
Ndërsa, deputeti i kësaj zone, Besnik Dusha, tha se "vlerësimi që ne sot po i bëjmë Fatmir Limajt, është vlerësim për çdo luftëtar të Kosovës, për çdo shqiptar të Kosovës, është vlerësim për Kosovën martire".
Ai shtoi se prania e Limaj sot këtu, e rrit edhe më shumë atë dashurinë që Malësia jonë, por edhe çdo shqiptar ka për Kosovën, krenarinë e përjetshme të kombit shqiptar.
Limaj falënderoi komunën e Tropojës dhe qytetarët e saj, duke u shprehur se është "i emocionuar nga ky nderim, aq më tepër që vjen nga një krahinë që e ka vuajtur ndarjen e kombit shqiptar, për shkak të lidhjeve natyrore me trevat kombëtare jashtë kufijve"./b.j/









