Sejdiu me bashkshorten
Tiranë, 21 Janar / ATSH - Ish- Presidenti Fatmir Sejdiu bëri homazhe te varri i ish-Presidentit Rugova.
Ish- Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, së bashku me bashkëshorten Nezafete Sejdiu vendosën ditën e sotme një kurorë lulesh dhe bënë homazhe pranë varrit të Presidentit Historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, me rastin e nëntë vjetorit të vdekjes.
Me këtë rast, ish-Presidenti Sejdiu u shpreh se "Presidenti Rugova është një personalitet i rrallë që ka pasur Kosova". "Jam këtu so,  vijoi Sejdiu, që të shpreh dhembjen dhe përkujdesin tim të veçantë për një personalitet të rrallë që e ka pasur Kosova, për ish-Presidentin Rugova. Sot, kur mbushen nëntë vite pa prezencën fizike të Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova, kujtojmë luftën dhe sakrificën e tij prej intelektuali e prijësi, kujtojmë veprimtarinë poltike dhe atdhetare si njeri i jashtëzakonshëm i dijes", tha Sejdiu.
Sejdiu me bashkshorten
"Vizioni i Presidenti Rugova ishte vizion i qartë dhe i palëkundshëm, në luftën e drejtë për liri, pavarësi dhe demokraci", tha ai.
"Vizioni i Presidentit Rugova, si prijës shpirtëror dhe real, ishte vizion i qartë në luftën e pakompromis për liri, pavarësi dhe demokraci. Si vizionar i kalibrit unikal, Presidenti Rugova me urtësinë dhe këmbëngulësinë e vazhdueshme, durimin dhe guximin e tij, ishte dhe mbeti i palëkundshëm për Pavarësinë e vendit", vijoi Sejdiu.
Roli i Presidentit Rugova në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe të zhvillimeve tjera politike, ka domethënie të madhe historike për Kosovën dhe shqiptarët. "Presidenti Rugova është gurë themeltar në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe të zhvillimeve tjera politike dhe si i tillë mbetet i pazëvendësueshëm dhe me domethënie të madhe historike për Kosovën dhe shqiptarët", tha ish-presidenti Sejdiu.
/k.m//a.ke/