Ceremonia e dorëzimit të detyrës u zhvillua këtë të premte, më 16 tetor, në Sallën e Kolegjeve të Bashkuara, në prani të gjyqtarëve, këshilltarëve ligjorë dhe punonjësve të administratës.
Në fjalën e tij, Sadushi kujtoi se kur mori drejtimin e Gjykatës së Lartë, institucioni kishte vetëm një gjyqtar dhe mijëra dosje në pritje. Ai falënderoi stafin për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve dhe konfirmoi se do të vazhdojë të jetë pjesë e Gjykatës së Lartë si gjyqtar.
“Për mua përfundon sot detyra e kryetarit, ndërsa vijon përgjegjësia si gjyqtar i kësaj gjykate. Do të vazhdoj të punoj përkrah jush, me të njëjtin përkushtim ndaj institucionit dhe ndaj qytetarëve që presin drejtësi”, u shpreh Sadushi.
Ndërkohë, kryetari i ri, Ilir Panda, vlerësoi punën e bërë për ringritjen e Gjykatës së Lartë dhe theksoi se besimi i qytetarëve te drejtësia lidhet drejtpërdrejt me cilësinë e vendimeve.
“Besimi i publikut ndërtohet përmes cilësisë së vendimmarrjes, arsyetimit të qartë e të qëndrueshëm gjyqësor, administrimit efikas të proceseve dhe përgjegjësisë institucionale”, deklaroi Panda.
Gjatë gjashtë viteve të drejtimit të Sadushit, Gjykata e Lartë është përballur me sfida që lidhen me uljen e stokut të dosjeve, përmirësimin e cilësisë së vendimeve dhe rritjen e transparencës me publikun.








Komente
Komento