Fatmir Xhafaj: Kushtetuesja përballë sfidave, më shumë paanshmëri, integritet, profesionalizëm dhe koherencë

Fatmir Xhafaj: Kushtetuesja përballë sfidave, më shumë paanshmëri, integritet, profesionalizëm dhe koherencë

*Fjala e plotë e deputetit të PS, Fatmir Xhafaj në seancën plenare, 12 qershor 2024, ku diskutohej për rritjen e pagave për Gjykatën Kushtetuese

Mbështetja financiare për sistemin e drejtësisë përfshi dhe rritjen e ndjeshme të pagave ishte një ndër qëllimet e shpallura të reformës në drejtësi dhe padyshim një ndër arritjet dhe risitë kryesore të reformës.

Kjo maxhorancë, kjo qeveri ka bërë një përmbysje epokale në këtë aspekt. Sot pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve janë ndjeshëm të pakrahasueshme me vitet para reformës, të krahasueshme në nivel rajonal dhe normalisht ende larg mesatares europiane.

Gjithçka nga taksat e qytetarëve të këtij vendi. Ata kanë pranuar që një pjesë e taksave të tyre të përdoren për njerëzit e drejtësisë me shpresën se kjo do ti shërbejë pavarësisë, përgjegjshmërisë, efikasitetit dhe cilësisë në dhënien e drejtësisë.

Nëse do më pyesni mua mendoj se ja ka vlejtur dhe nga optika e sotme gjykoj se nuk ka qenë aspak një lajthitje ajo çfarë kemi bërë me reformën për mbështetjen buxhetore të dhënë, përfshi edhe pagat e larta për sistemin në tërësi dhe SPAK në veçanti.

Rezultatet e dëshmuara nga Prokuroria e Posaçme dhe BKH, vendimet e dhëna nga GjKKO, ritmet dhe treguesit e punës në GjL etj dëshmojnë se jemi në rrugën e duhur. E për më tepër kur sheh shifrat e jashtëzakonshme të sekuestrimeve dhe konfiskimeve të këtyre dy viteve të fundit të cilat edhe nga pikëpamja e vlerave financiare e justifikojnë më së miri këtë mbështetje. 

Sot kemi një projektligj që në thelbin e tij ka rritjen e pagave për gjyqtarët kushtetues, paga e të cilëve me këtë projekt nga 346.698 lekë bruto në muaj shkon në 644.725 lekë bruto ose 460.322 neto.

GjK është një institucion kyç në shtetin e së drejtës, garant i zbatimit të kushtetutës, me një rol të pazëvendësueshëm në kontrollin kushtetues ndaj 3 pushteteve, ndaj ligjeve të Kuvendit, vendimmarrjes së qeverisë dhe vendimeve të gjykatave në mbrojtje të frymës, vlerave dhe parimeve kushtetuese si dhe lirive e të drejtave të njeriut.

Kemi qenë me fat që megjithë tranzicionin e çmendur të pushteteve në këtë vend dhe drejtësisë në veçanti, Gjykatat Kushtetuese në vite kanë dëshmuar edhe shembuj të shumtë qëndrueshmërie, pavarësie, integriteti dhe profesionalizmi duke krijuar një traditë të mirë dhe precedentë shumë pozitivë që janë vlerësuar nga opinioni publik, por edhe nga ekspertiza ndërkombëtare.

Kam pasur fatin, për shkak të detyrës, që të shoh se si disa vendime të Gjykatave tona kushtetuese në vite janë bërë pjesë edhe të vlerësimeve dhe referencave në gjykime kushtetuese në vende të tjera e më gjerë.

Gjykata aktuale ka sfidën për ta ruajtur me fanatizëm këtë traditë, këtë emër të mirë duke dëshmuar pavarësi reale nga të 3 pushtetet dhe kryesorja paanshmëri objektive, integritet e profesionalizëm në misionin e tyre.

Në tërësi Gjykata Kushtetuese aktuale në vlerësimin tim, ka një përbërje të mirë. Në rradhët e saj ka disa profesionistë me përvojë, individë me eksperiencë gjykimi pasi vijnë nga rradhët e gjyqësorit ose nga fusha e gjykimit kushtetues.

Gjykata ka gjithashtu në mbështetje edhe një staf të mirë këshilltarësh, një pjesë në moshë të re, të cilët nëse trajnohen dhe vlerësohen mund të jenë një burim shumë i mirë në të ardhmen për drejtësinë kushtetuese.

Duke qenë se njoh shumë mirë karierën dhe përvojën e shumë prej anëtarëve dhe këshilltarëve të gjykatës, e duke qenë se kam ruajtur me ta distancën e nevojshme etike për shkak të funksionit që aktualisht ushtrojnë, personalisht bëj pjesë tek ata që shpresojnë që mbasi kaluan këtë fazë tranzicioni formimi e formatimi që është reflektuar edhe në disa vendimmarrje të saj gjatë kësaj periudhe, është momenti që GjK të bëjë ndryshimin e duhur, të dëshmojë përgjegjshmëri, paanshmëri dhe profesionalizëm në vendimmarrjet e saj si dhe koherencë e konsistencë në ruajtjen e praktikave më të mira në vite dhe në mbrojtje të vlerave e parimeve kushtetuese.

Të gjithë jemi në pritje të shohim autoritetin e fortë kushtetues të kësaj gjykate në mbrojtje të shtetit të së drejtës.

Sigurisht që autoriteti nuk është një gjë që dhurohet, as që ta jep pozicioni që zë në hierarkinë shtetërore. E ca më keq fakti se cili është vendi në protokollin shtetëror apo edhe vetë paga. Paga e ndihmon pavarësinë, por paga nuk është baraz integritet dhe profesionalizëm. Se me këtë logjikë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të duhet të konsiderohen më pak të dinjitetshëm se kolegët e Gjykatës Kushtetuese që do të marrin gati dyfishin e pagës së tyre !!!.

Për pozicionin e rëndësishëm që Gjykata Kushtetuese ka në hierarkinë e institucioneve kushtetuese dhe të pavarura, për rolin që ajo luan në forcimin e shtetit të së drejtës padyshim një vlerësim shumë më i mirë fianciar është një gjë e mirëpritur.

E thënë më drejtpërdrejt personalisht jam shumë dakord për rritjen e pagës referuese ose ndryshe pagës për funksion të gjyqtarëve kushtetues, por nuk jam dakord për shtesën mbi pagë të aplikuar për të për efekt vështirësie si dhe për diferencën e ndjeshme që krijohet për këtë shkak midis tyre dhe Gjykatës së lartë dhe Gjykatës së posaçme. Argumentat që prezantohen nuk janë bindëse dhe e bëjnë të diskutueshme e të cënueshme këtë vendimmarrje.

1.Gjykata Kushtetuese nuk është maja e piramidës së sistemit të drejtësisë, pasi nuk është pjesë e sistemit gjyqësor në vend, ndaj çdo pozicionim i saj në të është më së paku pakujdesi ose ndryshe reminishencë e disa praktikave të mëparshme kur ajo është sjellë si gjykatë e shkallës së katërt, gjë që ishte një ndër faktorët ndikues që çoji edhe në përfshirjen e saj në një proces reformimi thelbësor.

Përpjekja për ta futur në këtë rol GjK në raport me vendimet e SPAK dhe të Gjykatës së Lartë do të ishte një kthim mbrapa dhe me pasoja të mëdha për drejtësinë kushtetuese dhe shtetin e së drejtës.

2.Një argument i dhënë nga relacioni dhe i përsëritur edhe në debatet në komisione ishte se kjo bëhet për të rivendosur hierarkin e pagave. Hierakia krijohet realisht me koeficentin e pagës për funksion dhe kjo është qasje e drejtë, por shkelet keqas me pagën brutto përfshirë edhe shtesat, çka bën që një gjyqtar kushtetues në total të paguhet shumë më tepër se Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, se mbi ministrat e deputetët po e po.

Pra me pagën bruto sipas këtij projekti një gjyqtar kushtetues do të paguhet shumë me tepër se cdo funksionar tjetër në këtë vend cka do të thotë se bie edhe argumenti i hierarkisë së pagave në piramidën shtetërore.

3.Argumenti tjetër se vendosja prej 58% e shtesës mbi pagë diktohet nga “Kompleksiteti dhe vështirësia” apo se “kjo gjykatë gjykon edhe kushtetueshmërinë e vendimeve të GjKKO e për këtë shkak duhet të paguhet edhe për vështirësi pune si ata” është tërësisht absurd dhe krejt i pasaktë.

Asnjë gjë nuk ka ndryshuar nga statusi i kësaj gjykate qysh nga krijimi i saj, as nga vetë reforma, që e bën sot funksionin e tyre shumë më kompleks dhe më të vështirë. GjK jonë kushtetuese nuk bën ndonjë rol ndryshe nga GjK në vendet e tjera ku askush nuk paguhet për shtesë page për “kompleksitet e vështirësi”.

Nuk ka logjikë e fakt të përafrojë dhe jo më të barazojë ngarkesën e punës së kësaj gjykate me atë që po përjeton aktualisht GjL dhe vet GJKKO, por mbi të gjitha me lëndën dhe natyrën e hetimit dhe gjykimit prej tyre si dhe gjithë procesin përkatës. Nga ana tjetër të mendosh pastaj se gjyqtarët kushtetues na paskan të njëjta vështirësi pune me gjyqtarët, prokurorët dhe hetuesit e SPAK kjo nuk do ishte lajthitje, por çmenduri në ditë vere.

E trajtuar kështu do të ishte edhe një mungesë vlerësimi e respekti për punën dhe rezultatet e Prokurorisë dhe Gjykatës së posaçme, për vështirësitë reale të tyre, për vendimet e vështira që ju duhet të marrin në përballje me krimin e organizuar, terrorizmin dhe korrupsionin në nivelet e larta, por edhe për faktin se jeta e tyre është jo rrallë e shantazuar dhe kërcënuar, por edhe e kufizuar dhe e privuar me ligj nga një sërë të drejtash dhe lirish në jetën e tyre të përditshme.

Në vlerësimin tim do duhej të kishte një qasje tjetër në trajtimin e kësaj kërkese qoftë edhe për ta ruajtur nga perceptimet negative.

E para sepse benefite të tilla duhet të mendohen mirë edhe sepse janë të pakthyeshme nesër dhe “lajthitje” të tilla janë nga ato që nuk zhbëhen më dhe më keq akoma e kanë efektin zinxhir.

Gjithashtu duhej mbajtur në konsideratë edhe pozicioni delikat i GjK në raport me ekzekutivin. Ndër vite është ndjekur zakoni i mirë që si rregull ligje të kësaj natyre dhe përgjithësisht çështjet e buxhetit të drejtësisë kanë kaluar përmes diskutimit dhe inisiativës së deputetëve të Kuvendit.

Gjithashtu mendoj se edhe vetë Institucionet e drejtësisë dhe sidomos drejtuesit e tyre duhet të jenë shumë më të përgjegjshëm, por edhe të kujdesshëm në kërkesat dhe sidomos në vendimmarrjet e tyre që lidhen po me pagat e tyre, shtesat e pagave dhe privilegjet e tjera.

Ata duhet të dëshmojnë se drejtësia jo vetëm që nuk është një mall që shitet e blihet, por as edhe një shërbim që shkëmbehet me privilegje të pamerituara apo të pa justifikuara të çfarëdolloji qofshin ato.

Besoj fort se akte të tilla nuk i bëjnë mirë edhe vetë sistemit, pasi e largojnë atë nga qytetari, e bëjnë më pak miqësor me të. Ndaj çdo vendimmarrje e tillë duhet të shihet me kujdes nëse vërtet duam ta mbrojmë drejtësinë e re, nëse vërtet duam që të forcohet besimi i qytetarëve te drejtësia.

Faleminderit!

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Malo: 13/06/2024 10:20

    O zgjatim komunist. Ti duhesh të ishe në burg e me pasuri të konfiskuar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin

Të burgosur prej vitesh në Kinë, lirohen tre amerikanët e burgosur, marrëveshja e rrallë diplomatike me Pekinin