Pak ditë më parë, Ministria e Infrastrukturës dhe e Energjitikës nënshkroi me kompaninë e mirënjohur italiane ENI një memorandum bashkëpunimi. Kjo marrëveshje i hap rrugë ndërtimit të një pike strategjike kombëtare të produkteve energjetike në vendin tonë. Ajo përbën një projekt strategjik, për të garantuar siguri në furnizim si dhe zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të vendit, duke minimizuar efektet ndaj goditjeve të tregjeve ndërkombëtare. ENI italian përfaqëson një nga kompanitë më të mëdha dhe më me përvojë në industrinë globale të energjisë.
Pse është i rëndësishëm partneriteti me ENI-n
Memorandumi i bashkëpunimit me ENI shënon fillimin e studimeve dhe vlerësimeve teknike, ekonomike dhe mjedisore, që do të çojnë në realizimin e një projekti me ndikim afatgjatë për ekonominë dhe sigurinë energjetike të vendit tonë.
Shqipëria ka një pozicion gjeografik të favorshëm në brigjet e Adriatikut dhe Jonit, në afërsi të korridoreve të rëndësishme detare dhe energjetike të Mesdheut. Në partneritet e Nëse ky potencial shfrytëzohet në mënyrë të qëndrueshme, vendi mund të forcojë rolin e tij si një nyje rajonale për furnizimin, magazinimin dhe shpërndarjen e produkteve energjetike.
Një pikë strategjike kombëtare e produkteve energjetike sjell disa përfitime të rëndësishme.
Së pari, ajo do të rrisë sigurinë energjetike të Shqipërisë. Krizat ndërkombëtare të viteve të fundit kanë treguar se rezervat strategjike dhe infrastruktura moderne janë elementë thelbësorë për përballimin e ndërprerjeve të furnizimit dhe luhatjeve të tregjeve ndërkombëtare.
Së dyti, një projekt i tillë tërheq investime të reja të huaja. Prania e një kompanie si ENI, e cila operon në dhjetëra vende të botës dhe zotëron ekspertizë të avancuar teknologjike, mund të krijojë besim edhe për investitorë të tjerë ndërkombëtarë në sektorët e energjisë, logjistikës dhe infrastrukturës.
Së treti, zhvillimi i një qendre energjetike krijon vende të reja pune gjatë fazës së projektimit, ndërtimit dhe operimit, si dhe të nxisë zhvillimin e profesioneve të specializuara në inxhinieri, teknologji dhe shërbime mbështetëse.
Së katërti, një përfitim tjetër lidhet me zhvillimin e infrastrukturës. Projekte të kësaj natyre zakonisht shoqërohen me investime në porte, rrugë, sisteme magazinimi, teknologji dixhitale dhe masa sigurie, të cilat rrisin kapacitetet logjistike të vendit dhe mund të kenë efekte pozitive edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.
Dimensioni rajonal i bashkëpunimit me ENI
Po aq i rëndësishëm është edhe dimensioni rajonal i projektit. Shqipëria është pjesë e projekteve energjetike ndërkombëtare, përfshirë Gazsjellësin Trans Adriatik (TAP), projektin me vlerë 1 miliardë euro mes Italisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Shqipërisë, për shtrirjen e kabllit energjitik nënujro Shqipëri-Itali, etj. Një pikë strategjike për produktet energjetike mund ta plotësojë këtë rol, duke e bërë vendin tonë një partner më të rëndësishëm në rrjetet rajonale të furnizimit.
Një projekt i tillë duhet të harmonizohet me objektivat afatgjata të tranzicionit tonë energjetik. Ndërsa rezervat dhe infrastruktura për produktet energjetike mbeten të rëndësishme për sigurinë e furnizimit, si vendi ynë dhe Bashkimi Evropian po ecin paralelisht drejt zgjerimit të burimeve të rinovueshme, rritjes së eficiencës energjetike dhe uljes graduale të emetimeve të karbonit.
Në këtë kuadër, bashkëpunimi me ENI-n mund t’i shërbejë jo vetëm për zhvillimin e infrastrukturës tradicionale energjetike, por edhe për transferimin e teknologjive të reja, shkëmbimin e ekspertizës dhe mbështetjen e projekteve që lidhen me energjinë e pastër, biokarburantet, hidrogjenin dhe inovacionin industrial.
Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe ENI-t përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një projekti me potencial strategjik për Shqipërinë. Nëse studimet konfirmojnë fizibilitetin dhe projekti zbatohet me standardet më të larta të transparencës, mbrojtjes së mjedisit dhe eficiencës ekonomike, ai do të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike, rritjen e investimeve, zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin e rolit të Shqipërisë si një aktor i rëndësishëm në hartën energjetike të rajonit.
Komente








