Protestat paqësore të përditshme në Tiranë kanë hyrë sot në ditën e tyre të 36-të. Ato janë bërë pjesë e jetës politike të vendit dhe dëshmojnë se një pjesë e qytetarëve kërkon të shprehë me forcë  pakënaqësinë dhe zhgënjimin ndaj qeverisjes së 35 viteve të fundit.

Në një demokraci, protesta paqësore është një e drejtë themelore dhe një instrument legjitim për të kërkuar ndryshim. Por po aq e rëndësishme sa e drejta për të protestuar, është edhe mënyra se si ushtrohet kjo e drejtë.

Një nga dukuritë më shqetësuese që mund të shfaqet në çdo lëvizje politike apo shoqërore, është anti-kultura e përjashtimit. E dhunimit verbal dhe gati e të shikuarit me urrejtje, të atij që nuk e mendon si ty.

Kjo anti-kulturë paraqitet me logjikën e thjeshtëzuar: "Nëse nuk je me ne, je kundër nesh!". Në format e saj më të ashpra, kjo shoqërohet me etiketime si "tradhtar", "i shitur tek qeveria ose tek opozita", apo "armik". Një retorikë e tillë nuk ndërton, as siguron mbështetje. Ajo prodhon ndarje.

Demokracia nuk funksionon mbi detyrimin për t'u rreshtuar. Ajo mbështetet te liria e zgjedhjes. Një qytetar ka të drejtë të protestojë çdo ditë. Një qytetar tjetër ka të drejtë të mos marrë pjesë, se është në mëdyshje a ia vlen t’i bashkohet protestës.

Një i tretë mund të mbështesë disa kërkesa të protestës dhe të mos pajtohet me të tjera. Të gjitha këto qëndrime janë pjesë e pluralizmit demokratik. Të dy qytetarët e tjerë duhet medoemos të konsiderohen “kundër nesh”, “tradhtarë”, apo “të shitur”

Kur dikush shpallet automatikisht "tradhtar" vetëm sepse nuk bashkohet me një protestë, debati publik humbet një nga vlerat e tij më të rëndësishme: respektin për mendimin ndryshe. Etiketimi nuk zëvendëson argumentin. Presioni moral nuk e zëvendëson bindjen. Fyerja nuk e zëvendëson dialogun.

Historia politike, jo vetëm në Shqipëri por edhe në vende të tjera, tregon se lëvizjet që ndërtojnë identitetin e tyre mbi përjashtimin e atyre që mendojnë ndryshe e kanë të vështirë të shndërrohen në forca bashkuese. Një protestë fiton besueshmëri kur arrin të bindë qytetarët me ide dhe programe, jo kur u kërkon atyre të zgjedhin mes besnikërisë absolute dhe damkës së "armikut".

Protestuesit kanë 36 ditë, më të sotmen, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugët e Tiranës, pas protestës në bulevard. Përse vijojnë të jenë nga 4 mijë në tetë mijë vetë në bulevard pas 36 ditëve (përjashto ditëve të protestave kombëtare, kur bëhen edhe 20 mijë)?  Tirana ka 860 mijë banorë. Ka 320 mijë punonjës në sektorin privat.

Nuk mendoj se shumë nga qytetarët që deri sot nuk i janë bashkuar protestës, e kanë bërë nga frika. Vetëm frikë që nuk mund të ketë, të marrës pjesë në këtë protestë. Pas 35 ditëve të protestave paqësore në Tiranë, nuk ka ndodhur asnjë incident i rëndë dhe kjo është një aset dhe një bekim për vendin tonë. Policia ka ditur të vetëpërmbahet dhe kjo nuk mohohet dot.

Nëse në protestë ekzistojnë zëra që përdorin gjuhë stigmatizuese ndaj qytetarëve që nuk u bashkohen, organizatorët kanë interes dhe duhet ta distancojnë lëvizjen nga kjo retorikë. Një protestë që dëshiron të zgjerojë mbështetjen publike, duhet të krijojë hapësirë edhe për ata që hezitojnë, që kanë dyshime ose që ndajnë vetëm një pjesë të kërkesave të saj.

Për fat të keq, tek qëndrestarët e protestës, gjuha është ashpërsuar. Shqipëria ka nevojë për një kulturë politike, ku  ai që e mendon ndryshe, si nga qeveria, ashtu edhe nga protestuesit, të mos trajtohet si “nuk je i yni”, apo, edhe më keq, si tradhtar dhe armik. Ky qëndrim është një provë pjekurie demokratike, jo vetëm për protestuesit, por për të gjithë aktorët e jetës sonë publike.

Në fund të fundit, protesta është më e fortë kur mbështetet te liria, jo tek detyrimi moral. Tek argumenti dhe debati, jo tek anatema. Tek respekti për mendimin ndryshe, jo tek frika e etiketimit dhe denigrimit.

Demokracia nuk matet me numrin e njerëzve që thërrasin të njëjtin slogan, por me aftësinë për të pranuar se edhe ata që nuk e thërrasin sloganin, kanë të njëjtat të drejta qytetare.

Një shoqëri demokratike nuk mund të ndërtohet mbi ndarjen e qytetarëve në "patriotë" dhe "tradhtarë", sipas pjesëmarrjes në një protestë. Ajo ndërtohet mbi pranimin se pluralizmi është pasuri dhe se askush nuk e ka monopolin e së vërtetës apo të interesit publik. Pikërisht ky është dallimi midis një kulture demokratike dhe një anti-kulture të urrejtjes dhe përjashtimit.