Fatos Çoçoli: 2 miliardë euro fitim nga rrugët

Fatos Çoçoli: 2 miliardë euro fitim nga rrugët

Tuneli i Llogarase

Ky vit do të shohë përfundime themelore të infrastrukturës rrugore të vendit, sidomos të Jugut të Shqipërisë. Jugu, së bashku me Tiranën, po kthehet në zemrën pulsuese të ekonomisë sonë.

Mrekullia e Llogarasë:650 mln euro fitim nga real estate

Së pari, në qershor 2024 do të përfundojë Tuneli i Llogarasë, i nisur në nëntor të vitit 2021. 

Studimi i leverdisshmërisë, prokurimi dhe së fundi, ndërtimi i tunelit, ka qenë një proces i gjatë, por i mirëstudiuar, me dy gara ndërkombëtare. Fillimisht ka qenë gara ndërkombëtare e studimit dhe e projektimit të detajuar.

Më pas, ka ardhur ndërtimi i këtij tuneli, me sfida jo të vogla, përsa i përket gjeologjisë. Ky tunel është 6 kilometra dhe përfaqëson tunelin më të gjatë rrugor në vend. Kalon nën Qafën e Llogarasë (1027 metra mbi nivelin e detit) dhe lidh Vlorën me Rivierën Shqiptare.

Tuneli i Llogarasë, të dhëna dhe përfitime
- Gjatësia                                                                 6 km
- Shkurton kohën                                                   35 min
- Rrit vlerën e banesave në zonat pas tunelit        50-70 euro/m2

 Rruga e re përmes tunelit, është 11 km më e shkurtër se e mëparshmja, e cila ka qenë dhe është rrugë e vështirë. E dinë mirë të gjithë shoferët që kanë kaluar në Qafën e Llogarasë. Rrugë e ngushtë,  e përpjetë dhe me kthesa të shumta. Kosit pa mëshirë 70 përqind të automjeteve tona të amortizuara. Në qershor 2024 e këtej, koha e kalimit për në perlën e Jugut, Rivierën Shqiptare, përmes Tunelit të Llogarasë, shkurtohet me të paktën 35-40 minuta!

Dhe menjëherë shtohet vlera për metër katror e 48 mijë ndërtimeve nga Palasa e deri në Ksamil. Ajo rritet me 50-70 euro për metër katror! Ose, në tërësi, me 650 milionë euro!

Rrugët e Vlorës përgjatë bregdetit: 600 mln euro për banesat e qytetarëve

Ndërkohë, vetëm nga Lungomare 1 dhe 2, tashmë të ndërtuar dhe funksionale  në Vlorë, vlera e 28 mijë apartamenteve të Vlorës, të vjetra dhe të reja, u rrit me 300 milionë euro në tre vitet e fundit! Vetëm për vitin 2023, vlonjatët fituan nga 7 mije apartamentet e tyre të dhëna me qera në AirBnb 26 milionë euro. Fitim i nxjerrë me punë të ndershme e djersë pa fund, po ama Lungomaret 1 dhe 2 dhanë kontributin kryesor!

E njëjta gjë mund të thuhet për Lungomaren 3 që po merr formë nga Uji i Ftohtë i Vlorës dhe deri në Rradhimë, për të vazhduar me Lungomaren 4 deri në Orikum. Me këto shëtitore, vlera e pronave të shqiptarëve në bregdetin e Vlorës e deri në Orikum do të rritet dhe me 300 milionë euro të tjera. Me të paktën 35-50 euro për metër katror.

Rrugët e 2024-ës

Po në qershor 2024, do të përfundojë edhe Thumanë-Kashar, një nga akset e rëndësishme rrugore të Korridorit Blu. Kjo rrugë është e gjatë 20.8 km dhe lidh Veriun e Shqipërisë me kryeqytetin dhe me Jugun. Përveç këtyre dy veprave madhore rrugore, të cilat do të përfundojnë në qershor 2024, në mënyrë që të ndihmojnë fort pikun e turizmit veror në Shqipëri gjatë muajve korrik-shtator, në dhjetor 2024 do të dorëzohet edhe një tjetër aks kombëtar me rëndësi të madhe, sikurse është Unaza e Madhe e Tiranës.

Rrugët që mbarojnë në 2024-ën
-  Tuneli i Llogarasë (qershor 2024)
-  Segmenti Thumanë Kashar(qershor 2024)
-  Unaza e Madhe e Tiranës
-  Elbasan-Qafë Thanë, faza 3,4 (dhjetor 2024)
-  Orikum-Dukat (dhjetor 2024)
-  Palasë-Dhërmi (dhjetor 2024)
-  Korçë-Ersekë
-  Maliq-Strelcë
-  Peshkopi-Maqellarë
-  Qafë e Buallit-Martanesh
- Rruga kthesë e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës

Në dhjetor 2024, ajo do të jetë e disponueshme për të gjithë trafikun nga autostradat e Jugut, Veriut dhe Lindjes së Shqipërisë. Me Unazën e Madhe të Tiranës marrin fund rradhët e gjata të automjeteve në hyrje dhe dalje të Tiranës.

Në të gjithë atë rreth që quhet Unaza e Tretë e Tiranës, apartamentet që po ndërtohen do të shohin vlerën e tyre të rritur me të paktën 30-40 euro për metër katror.

Bëhet fjalë për mbi 30 mijë apartamente të tilla, ose mbi 250 milionë euro më shumë vlera të rritura apartamentesh e dyqanesh në të gjithë Tiranën, nga zgjidhja e trafikut në Unazën e madhe të saj.

Po në vitin 2024 mbaron edhe rruga Korçë-Ersekë, si  dhe rruga që lidh Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës me Autostradën Fier-Vlorë dhe qytetin e Vlorës.

Janë dy segmente shumë të rëndësishme sërisht të Jugut të vendit, e para që gjallëron jetën në Juglindje dhe i jep Korçës peshë të re. I dyti ka të bëjë me shpresën e madhe të ardhjes së mbi 2 milionë vizitorëve të huaj çdo vit, për shkak të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i cili do të fillojë fluturimet e para në mars 2025.

Të dyja akset përllogaritet se do të rrisin vlerën e pronave me të paktën 200 milionë euro në këtë vit dhe në vitin 2025.

Fitimi i qytetarëve në prona me vlerë të rritur         

Në tërësi, investimet në rrugët e vendit në këto katër vitet e fundit, u kanë dhënë qytetarëve shqiptarë prona në formën e apartamenteve, shtëpive, magazinave, dyqaneve dhe bar-restoranteve, me vlerë të rritur rreth 2 miliardë euro!

Vlera e rritur e pasurivë të qytetarëve nga rrugët e reja
-  Nga Tuneli i Llogarasë                                                 650 mln euro
-  Nga Lungomaret 1,2,3 dhe 4                                       600 mln euro
-  Nga Unaza e Madhe e Tiranës dhe rrugët e tjera       750 mln euro
-  Totali:                                                                         2 miliardë euro

 Ja përse ia vlen, përtej çdo fjalnaje e tymnaje për korrupsionin me rrugët tona publike (i cili, nëse vërtetohet, duhet të zhbirohet dhe të dënohet fort nga SPAK dhe GJKKO), që të vlerësojmë investimet publike të kryera. Janë derdhur në katër vitet e fundit mbi 900 milionë euro para të takspaguesve tanë në rrugët e vendit, sidomos të Jugut. Por ama në këto katër vite dhe edhe për vitin e ardhshëm, qytetarët po marrin përfitime në vlerën e rritur të pronave të tyre në Tiranë dhe në Jug, në mbi dyfishin. 2 miliardë euro janë mbi dyfishi i 900 milionë eurove të dhëna nga Buxheti i Shtetit për këto rrugë dhe për Tunelin e Llogarasë.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë