Fatos Çoçoli: Banka në celularin tënd

Fatos Çoçoli: Banka në celularin tënd

Foto ilustruese

Digjitalizimi i bankave, edhe në sajë të nismave dhe strategjisë së bankës sonë qendrore, Bankës së Shqipërisë, është sot në qendër të vëmendjes së opinionit publik për dy arësye. Së pari, na ka ulur nevojën e kthyer shpesh në domosdoshmëri, për të shkuar fizikisht në një bankë tregtare, duke na kursyer kohë dhe rradhë. Së dyti, bëjmë transferta bankare në rrugë digjitale, përmes celularit apo kompjuterit të shtëpisë apo punës,  shumë më të lira, se sa tarifat përmes sportelit bankar.

Ç’do të thotë digjitalizim bankar?

Dhe vërtet, digjitalizimi i bankave, në kuptimin praktik, do të thotë të mos jesh i detyruar të shkosh më në një degë banke.

Pra, të kesh mundësi të hapësh llogari bankare pa shkuar në bankë, të bësh transferta bankare kombëtare apo ndërkombëtare, si dhe pagesa të ndryshme, të çdo lloj shërbimi apo malli, pa shkuar në bankë.

Të firmosësh dokumente bankare, kontrata, për kredi apo depozita, pa shkuar fizikisht në bankë, të paguash detyrimet për shtetin, tatime, taksa, TVSh, sigurime shëndetësore dhe shoqërore pa shkuar në bankë. Të paguash për shërbimet si energjia elektrike, uji, telefoni, gjoba makine apo tatimore, etj., pa shkuar në bankë apo në postë. Realisht, të përmirësohet jeta dhe të kursehen ditë të tëra sorrollatje dhe humbje kohe gjatë një muajit të vetëm!

Me celularin ose kompjuterin tënd, digjitalizim i plotë bankar do të thotë të bësh këmbim monedhash, pa pasur para fizike në duar dhe pa shkuar në bankë, si dhe të kontrollosh në çdo kohë balancën e llogarive të tua(sa para ke), pa shkuar në bankë.

Kur realizohet i plotë digjitalizimi bankar?

Sot teknologjia digjitale na e ka krijuar mundësinë e arritjes së bankës nga çdo vend, në çdo kohë, për çdo nevojë. Mund ta bëjmë këtë, pa na u dashur që të dimë se ku është dega fizike e bankës tregtare, nëse është e hapur apo mbyllur, nëse ka rradhë apo jo.

Që një bankë të quhet plotësisht e digjitalizuar, duhet që të mbyllë ciklin e plotë, që nga hapja e llogarisë dhe deri tek plotësimi i gjithë listës së shërbimeve që përshkruam më sipër. Ende sot nuk mund të bëjmë, pa shkuar fizikisht në bankë, hapjen e llogarisë bankare në distancë, kryerjen e transfertave ndërkombëtare për biznesin dhe pjesërisht për qytetarin jo sipërmarrës, nënshkrimin elektronik dhe disa pagesa për shërbime publike.

Në momentin që mbyllen edhe këto veprime bazë të bankës, atëherë mund të themi se banka është e digjitalizuar plotësisht.

Banka e Shqipërisë dhe digjitalizimi bankar

Banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë, po punon intensivisht, për të orientuar dhe ndihmuar bankat tregtare në këtë proces. Sot ne kemi 70 përqind të qytetarëve të vendit që kanë llogari bankare, në krahasim me tre-katër vite më parë, që kemi patur vetëm 40 përqind të tyre. Ky numër vjen në rritje, ndërkohë që dhe transaksionet financiare, transfertat dhe shërbimet e tjera financiare, janë rritur konsiderueshëm për qytetarët shqiptarë, nëpërmjet bankave.

Deri tani, objektivat e Strategjisë Kombëtare të Pagesave me Vlerë të Vogël 2018-2023 të Bankës së Shqipërisë, janë arritur të gjitha dhe në disa raste, janë tejkaluar. Objektivi i synuar i Strategjisë prej 10 pagesash elektronike për banor deri në fund të vitit 2023 u tejkalua që vitin 2022, kur arriti 16 pagesa për frymë.

Pagesat me kartë dhe ato “homebanking” (shërbimet bankare elektronike nga shtëpia) gjithnjë e më shumë po bëhen pjesë e përditshmërisë së qytetarëve tanë. Vëllimet e pagesave me kartë debiti apo krediti janë rritur ndjeshëm, sidomos gjatë pesëvjeçarit të fundit 2019-2023. Aparatet POS, që na lejojnë të blejmë mallra dhe shërbime përmes kartës së debitit apo kreditit bankar gati janë dyfishuar në dyqane, hotele, bare, restorante, etj.

Këta tregues janë dëshmi e rritjes së përdorimit të instrumenteve elektronike nga konsumatorët tanë, gjë që ndikon pozitivisht edhe në formalizimin e ekonomisë.

Tremujori i parë i këtij viti janar-mars 2024, ka treguar një rritje të përshpejtuar me 36 përqind, ose rreth 18 mijë transaksione më shumë, edhe të pagesave të procesuara përmes sistemit “AIPS EURO”, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar. Ky zhvillim dikton dobishmërinë e lartë të këtij sistemi, në kuadër të efektshmërisë dhe kursimit në ekonominë shqiptare, një kursim që përllogaritet në rreth 11 milionë euro vetëm për tremujorin janar-mars 2024.

Zhvillimet pozitive të sistemit “AIPS EURO”, por edhe rritja e konsiderueshme e pagesave elektronike gjatë vitit të fundit dhe në muajt e parë të këtij viti, po reflektojnë materializimin gjithnjë e më të madh të masave të ndërmarra nga Banka e Shqipërisë,  për të rritur qasjen e qytetarëve në sistemin bankar.

Viti 2023 shënoi një shtim të konsiderueshme të popullsisë mbi 18 vjeç që zotëron një llogari bankare, në masën 78 përqind, nga rreth 68 përqind që ishte në vitin 2021. Rritje të fortë kanë patur edhe llogaritë elektronike në vitin 2023, duke e çuar përfshirjen financiare të popullsisë në nivelin 85 përqind. Zbatimi i ligjit “Për llogarinë e pagesave me shërbime bazike”, i cili ka nisur që nga 1 prilli 2024, po kontribuon në përfshirjen akoma dhe më të madhe financiare të popullsisë në Shqipëri, në nivele të ngjashme me ato të Bashkimit Evropian.

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or teeejjj: 02/06/2024 22:25

    Ik or teeejjjj ti me gjithe bankat, ne perdorim kriptovalutat.

    Përgjigju
  • Besi: 02/06/2024 21:29

    sipas cnn turk vlera e dollarit pritet te rritet me 50% nga fundi i muajit perfshire javen e pare te muajit korrik situate qe do te zgjase deri ne muajin shtator kur pritet te reduktohet norma baze e interesit nga FED qe BCE ka deklaruar ta beje me date 6 te ketij muaji per shkak te ofertes se larte per depozitat ne ar si garanci sovrane e likujdimit te kredive buxhetore. Banka europiane dhe me vone edhe ajo amerikane po ulin kostot per buxhetin. Te shohim si do ndikoje kjo ne strategjine afatshkurter te bankes se shqiperise e cila ka deklaruar nga dy nderhyrje ne treg keto dy muaj te veshtire verore per valutat kryesore dhe duket se garancia do jene nivelet e parashikuara te dollarit sepse trendi i euros nga arit nuk eshte fare premtues si per njerin edhe tjetren

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre

Gjendet trupi i rabinit të zhdukur Zvi Khogan, ministri izraelit i Mbrojtjes: Përgjegjësit e këtij akti kriminal të paguajnë për veprimet e tyre