Fatos Çoçoli: Koha e duhur për ministri për shkencën

Fatos Çoçoli: Koha e duhur për ministri për shkencën

Akademia e Shkencave

Shpenzimet për kërkim shkencor në Shqipëri nuk i kalojnë 0.18 përqind të PBB-së së vendit, që shënon nivelin më të ulët në Evropë. Konkurrenca ekonomike dhe eksportet mbajnë ende në pjesë të rëndësishme të tyre teknologji të vjetëruara, të cilat duhen zëvendësuar sa më shpejt me teknologjitë e reja të komunikimit dhe digjitalizimit. Numri i personelit për kërkim shkencor tek ne është shumë i ulët, vetëm 0.3 për 1 mijë banorë. Vendi ka nevojë të trefishojë shpenzimet publike për kërkim shkencor, duke rritur edhe pjesën e shpenzimeve të brendshme bruto për kërkim shkencor nga burimet e huaja, duke përfshirë programet për hulumtim shkencor të Bashkimit Europian, deri në pikën ku qeveria jonë të mbulojë 40 përqind të shpenzimeve për këto projekte. Kërkimi shkencor duhet të orientohet drejt fushave të ekonomisë sonë që kanë më teper potencial dhe nevojë, si prodhimi bujqësor e blegtoral, eksporti i produkteve tona bujqësore, inovacioni në sera, inovacioni në shërbimet turistike, në energjitë e rinovueshme, etj.

Ne duhet të krijojmë urgjentisht katër ose pesë qendra shqiptare të ekselencës në shkencë, të orientuara pikërisht drejt fushave të mësipërme, si dhe të pajisura me pajisjet laboratorike me teknologji bashkohore dhe të dedikuara. Ndoshta me këtë në mendje, qeveria ka çuar në Kuvend një projektligj mbi riorganizimin e sistemit shkencor, ku institucionet vlerësuese të veprimtarisë shkencore do të jenë një ministri e re dhe Akademia e Shkencave. Në projektligj detajohet krijimi i një ministrie të re të posaçme, përgjegjëse për shkencën dhe kërkimin shkencor. Së bashku me këtë ministri, po formohet dhe një strukturë këshillimore pranë kryeministrit, me emrin Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor. Ka ardhur koha që të përmirësojmë veprimtarinë kërkimore në vend, sidomos në drejtim të përdorimit të teknologjive të reja dhe të intelingjencës artificiale në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe shoqërisë sonë. Këshilli do të ketë 7 ministra të fushave të ndryshme, 4 përfaqësues nga institucione të arsimit të lartë, Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe 3 anëtarë të Akademisë, si dhe përfaqësues të agjencive të inovacionit.

Ministri i shkencës do të ketë për detyrë hartimin e strategjisë në këtë sektor, si dhe të përcaktojë fushat prioritare të kërkimit shkencor. Në ndihmë të tij do të jetë Këshilli Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor me 19 anëtarë, i drejtuar nga kryeministri, me bashkëpunimin edhe të ministrit të bujqësisë, shëndetësisë, mbrojtjes, energjisë, mjedisit, inovacionit. Teksa për përzgjedhjen e anëtarëve të universiteteve në këtë bord, është vendosur kusht që të jenë personalitete të njohur akademikë. Kompetencat e tyre do të ndryshojnë, në krahasim me ligjin për arsimin e lartë, ku gëzonin autonomi universitare në veprimtarinë shkencore. Ligji “Për Arsimin e Lartë” deri tani ka përcaktuar që fushat, drejtimet, vëllimi i punës dhe afatet e veprimtarisë kërkimore-shkencore përcaktohen nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Kjo do të ndryshojë me projektligjin e ri, i cili parashikon që kjo përgjegjësi t’i kalojë ministrisë së re, Akademisë së Shkencave dhe Këshillit Kombëtar për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor.

Pra, do të ndryshojnë kompetencat për drejtuesit e fakulteteve, pedagogët, senatet e universiteteve publike dhe private, të cilat do të jenë nën monitorimin e institucioneve politikëbërëse të vendit. Nuk dihet akoma mendimi i institucioneve të tanishme të arsimit të lartë për këtë nismë të re të qeverisë. Nëse do të ketë kërkesë për krijimin e institucioneve të veçanta për kërkimin shkencor veç universiteteve, Akademisë së Shkencave, parqeve teknologjike apo qendrave te transferimit të teknologjive bujqësore, vendimin e merr ministri përgjegjës, i cili jep lejen përkatëse. Ministri për shkencën do të ketë fuqi edhe për pezullimin apo mbylljen e tyre, kur vihen re nga monitorimi i saj/tij mospërmbushje të kritereve dhe ka vlerësim negativ. Ndër të tjera, do të krijohet edhe Regjistri kombëtar i Institucioneve dhe Kërkuesve Shkencorë, brenda dy viteve nga kthimi i këtij projektligji në ligj. Shkenca jonë duhet të ngrihet në nivelin që e kërkon koha, duke orientuar kërkimin shkencor drejt teknologjive të reja, digjitalizimit të ndjeshëm të sektorëve të ekonomisë dhe përdorimit në rritje të inteligjencës artificiale. Kjo ministri e re mund të përbëjë një shtysë konkrete drejt kësaj përparësie madhore për shoqërinë dhe ekonominë tonë./ Sot

G.K/S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

VIDEO/ 'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit