Fakti që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin Shqipërinë me një financim të tillë e tregon qartë nivelin e besimit strategjik që ata kanë tek vendi ynë, pse SHBA-të nuk janë keq të shesin 302 milionë dollarë armatime Ky besim ka rëndësi edhe për partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe do të ndikojë pozitivisht në profilin e Shqipërisë si aleate e besueshme, por edhe tek investuesit strategjikë ndërkombëtarë në ekonominë tonë, përse jo edhe atë ushtarake
Po. Me të tepërt. Edhe po të ishte kredia që po marrim nga programit amerikan “Financimi i Huaj Ushtarak(në anglisht Foreign Military Financing-FMF) dy herë më e madhe, 604 milionë dollarë, e vlejnë.
Po pse? Sepse marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë qenë ndër shtyllat kryesore të ndërtimit dhe ruajtjes së demokracisë sonë të brishtë në këto 36 vite tranzicion. Sepse mbështetja amerikane ka qenë e pranishme dhe shpesh përcaktuese në proceset e demokratizimit, të reformës në drejtësi, të modernizimit të Forcave tona të Armatosura dhe të forcimit të institucioneve shtetërore.
Në këtë kontekst, marrëveshja për një hua në shumën prej 302 milionë dollarësh, në kuadër të programit amerikan FMF dhe përmes Agjencisë amerikane për Bashkëpunimin në Sigurinë e Mbrojtjes (DSCA), e ngre pyetjen : a e justifikon kjo shumë vlerën strategjike të partneritetit Shqipëri–SHBA?
Përgjigjja është natyrisht që po. Pasi Partneriteti strategjik nuk matet vetëm me shumën financiare. Edhe pse shifra prej 302 milionë dollarësh është e konsiderueshme, për një vend me madhësinë ekonomike të Shqipërisë. E vërteta është që rëndësia e saj nuk qëndron vetëm tek vlera monetare.
Partneritetet strategjike maten edhe nga besimi politik, bashkëpunimi afatgjatë, transferimi i teknologjisë, ndërtimi i kapaciteteve dhe ndikimi në sigurinë kombëtare. Në këtë kuptim, financimi është vetëm një komponent i një marrëdhënieje shumë më të gjerë.
Modernizimi i mbrojtjes sonë
Një nga përfitimet kryesore të financimit është mundësia për të modernizuar Forcat e Armatosura Shqiptare. Marrëveshja do të përfshijë pajisje dhe sisteme moderne mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë me forcat e NATO-s, përmirësimin e aftësive tona për mbrojtjen e territorit, si dhe zhvillimin e kapaciteteve në fushën e sigurisë kibernetike, logjistikës dhe komunikimit.
Një ushtri më moderne nuk kontribuon vetëm në mbrojtjen kombëtare, por edhe në përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s.
Rritja e besueshmërisë ndërkombëtare
Fakti që Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin Shqipërinë me një financim të tillë e tregon qartë nivelin e besimit strategjik që ata kanë tek vendi ynë, pse SHBA-të nuk janë keq të shesin 302 milionë dollarë armatime.
Ky besim ka rëndësi edhe për partnerët e tjerë ndërkombëtarë dhe do të ndikojë pozitivisht në profilin e Shqipërisë si aleate e besueshme, por edhe tek investuesit strategjikë ndërkombëtarë në ekonominë tonë, përse jo edhe atë ushtarake.
Efektet në ekonomi
Megjithëse financimi është i orientuar drejt sektorit të mbrojtjes, ai do të ketë edhe efekte indirekte ekonomike.
Modernizimi i infrastrukturës ushtarake, trajnimet, projektet mbështetëse dhe bashkëpunimi me industrinë e mbrojtjes do të krijojnë vende të reja pune, do të zhvillojnë aftësi profesionale dhe do të nxisin investime në sektorë të lidhur me sigurinë dhe teknologjinë.
Në të njëjtën kohë, siguria është një faktor që ndikon në klimën e investimeve dhe në perceptimin e stabilitetit të vendit.
Përfitime që shkojnë përtej mbrojtjes
Historia e marrëdhënieve Shqipëri–SHBA tregon se bashkëpunimi nuk kufizohet vetëm në sektorin ushtarak.
Ai ka përfshirë mbështetjen për integrimin euroatlantik, programe për forcimin e shtetit të së drejtës, asistencë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, bashkëpunim në fushën e arsimit, teknologjisë dhe zhvillimit institucional, si dhe koordinim në politikën e jashtme dhe sigurinë rajonale.
Prandaj, vlera e partneritetit nuk mund të reduktohet vetëm në një shumë financiare. Edhe pse shuma prej 302 milionë dollarësh është jo e pakët për një vend si i yni, ajo përfaqëson një mbështetje të rëndësishme për modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse të Shqipërisë.
Vlera që fitojmë nga kjo kredi ushtarake nga SHBA-të nuk matet vetëm me fondet e vëna në dispozicion, por edhe me ndikimin afatgjatë që ky bashkëpunim ka në sigurinë tonë kombëtare, në pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë dhe në forcimin e demokracisë sonë dhe të institucioneve të saj.
Komente











