Parku eolik i Tropojës, i cili do të ndërtohet në 12 muaj dhe do të jetë gati për operim më janar 2027, nuk është thjesht një investim energjetik.
Ky park është një simbol i transformimit që po përjeton Shqipëria, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme, më të fortë dhe më të hapur ndaj inovacionit. Ky projekt dëshmon se sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re, ku investimet private dhe investimet e huaja direkte po shndërrohen në motorë të rritjes, falë partneriteteve serioze dhe vizioneve afatgjata.
Shqipëria po kalon nga varësia pothuajse e plotë nga hidrocentralet deri para pak vitesh, në një model modern, të balancuar energjetik, ku diversifikimi i burimeve nuk është më një zgjidhje, por është domosdoshmëri strategjike.
Ky tranzicion nuk është vetëm një ide apo premtim. Është një realitet që po merr formë çdo ditë, i matshëm me shifra konkrete, i matshëm me megavatorë, që ndryshojnë hartën energjetike të vendit.
Pse një skemë e re energjitike?
Në vitin 2018, për herë të parë Qeveria Shqiptare filloi të fliste për një strategji që do të bazohej mbi diversifikimin e burimeve, jo më për varësi nga kushtet atmosferike, të motit.
Jo më varësi nga hidrocentralet e ndërtuara gjatë kaskadës së Drinit, apo edhe ato të Jugut. Kështu u konturua një skemë e re energjetike, e cila do të bazohej mbi diversifikimin, mbi krijimin e burimeve alternative, sikurse janë ato të energjisë diellore dhe tani, edhe eolike, të erës.
Investimet e huaja direkte në energji janë treguesi më i qartë i besimit në stabilitetin tonë ekonomik dhe institucional. Sot, ky besim në potencialin energjitik të Shqipërisë është i dukshëm dhe i matshëm. Vetëm në shtatë vitet e fundit, kemi mbi 1.5 miliardë euro investime private të kryera ose në proces në sektorin e energjisë, kryesisht në burime të rinovueshme, si energjia diellore, por edhe në disa hidrocentrale me impakt të ulët mjedisor.
Shqipëria, model për t’u ndjekur në rajon
Gjatë këtyre viteve 2019-2025, në sektorin energjetik shqiptar janë angazhuar mbi 2 miliardë euro investime private, të përqendruara në burime të rinovueshme. Sot kemi mbi 700 MW kapacitete të reja gjeneruese private fotovoltaike të instaluara dhe në operim. Kemi edhe 400 MW kapacitete të shtuara vetëprodhuese nga bizneset shqiptare.
Kemi edhe një portofol projektesh që për vitet 2027-2029 pritet të çojë kapacitetet e reja prodhuese të rinovueshme të vendit më tej se 1,500 megavat, me teknologji fotovoltaike dhe eolike. Vendi ynë mund të arrijë objektivin e një eksportuesi neto(pa importe) të energjisë dy vite më parë nga objektivi, që në vitin 2028. Për këtë kemi mbi 1,600 MW kapacitete të reja depozituese, në fazë studimi dhe vlerësimi financiar.
Vetëm në energjinë diellore, Shqipëria ka kaluar nga projekte pilot në impiante të shkallës së madhe. Parku fotovoltaik i Karavastasë, një nga parqet më të mëdha në rajon, i cili tashmë prodhon 140 MW kapacitet të instaluar, është sot një nga projektet që e bën Shqipërinë krenare dhe e kthen në një model për tu ndjekur në të gjithë rajonin.
Në energjinë e erës, për herë të parë në historinë tonë energjetike, Shqipëria po hyn në fazën e realizimit të projekteve konkrete, nëpërmjet projektit të kompanisë amerikane CWP, me kapacitet të pritshëm për t’u instaluar 600 MW.
Kjo vjen në bazë të një strategjie që ka ndjekur qeveria shqiptare këto vitet e fundit. Parqet eolike kanë një vështirësi më të madhe gjatë studimit dhe ndërtimit të tyre. Për shkak të zonave malorë të vendit(Shqipëria është 70 përqind e territorit vend kodrinor dhe malor), korridoret e erës tek ne ndodhen mbi lartësinë 120 metra. Pra, flasim për zona kryesisht kodrinore dhe malore.
Energjia që sot po prodhojmë nga dielli dhe shumë shpejt do të nisim të prodhojmë nga era na bën më të qëndrueshëm ndaj ndryshimeve klimatike.
Projekti i energjisë së erës që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP në Tropojë është një shembull i qartë i qasjes ndaj energjisë së rinovueshme dhe ekonomisë së qëndrueshme. CWP është një kompani lider në energjitë e rinovueshme në Evropën Juglindore dhe angazhimi i saj në Shqipëri do të sjellë, veç të tjerash, edhe përvojë të pasur dhe eksperiencë globale të projekteve të këtij lloji që kompania ka realizuar në vende të tjera të Evropës dhe deri në Australi.
Cila është kompania CWP?
E themeluar në vitin 2007, kompania amerikane CWP Global, me një vëllim punësh prej 15 miliardë USD vitin e kaluar, ka investuar bindshëm në parqet e erës në Evropën Juglindore, duke ndërtuar parkun e parë të erës së Serbisë (Čibuk 1, 158 MW) dhe parkun më të madh të erës në tokë në Evropë (Fantanele-Cogealac, 600 MW).
Kjo kompani ka ndërtuar portofolin më të madh të energjisë së rinovueshme në Australi, duke zhvilluar mbi 1.5 GW(gigavat është një mijë megavat) projekte, përpara se t'ia shiste Squadron Energy për 4 miliardë dollarë në vitin 2022.
CWP Evropë po vijon të ndërtojë portofolin më të madh të energjisë së lidhur me rrjetin në Evropën Juglindore, në 10 vende, si në Serbi, Bullgari, Rumani, Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, Kroaci, Moldavi dhe Ukrainë, me 938 MW të ndërtuara ose në ndërtim e sipër, si dhe me 4 miliardë euro financim.
Parkun e dytë eolik më të madh të Evropës, me kapacitet po 600 MW(praktikisht më shumë se dy hidrocentrale të Vaut të Dejës së bashku), kompania synon ta ndërtojë në Tropojë. Po sa është vlera e këtij investimi?
Sipas portalit të njohur SEE News (në shqip, “Lajme nga Evropa JugPerëndimore”), lajm i dhënë më 14 tetor 2025, Kompania CWP Europe bëri me dije se ka nënshkruar një deklaratë të përbashkët mbështetjeje me Komisionin Evropian, Agjencinë e Zhvillimit të Investimeve të Shqipërisë (AIDA) dhe Agjencinë e Promovimit të Investimeve të Malit të Zi, për dy projekte të mëdha të energjisë së pastër në Ballkanin Perëndimor, me vlerë më shumë se 1.1 miliardë euro (1.2 miliardë dollarë).
Marrëveshja, e nënshkruar gjatë Forumit të Investimeve BE-Ballkani Perëndimor në Tiranë po në tetor 2025, përfshin parkun e ardhshëm të energjisë eolike prej 600 MW të CWP në veri të Shqipërisë dhe projektin e sistemit të ruajtjes së energjisë diellore dhe të baterive (BESS) prej 400 MW në jugperëndim të Malit të Zi. Duke patur parasysh se të dyja projektet kanë vlerën 1.1 miliardë euro, kuptohet se Parku i erës i Tropojës ka një vlerë me qindra milionë euro.
Investime të tilla private kanë një impakt të drejtpërdrejtë në sektorin energjetik shqiptar, duke kontribuar në rritjen e prodhimit vendas të energjisë. Ato ulin varësinë nga importet, veçanërisht në vitet e thata dhe përmirësojnë sigurinë energjetike të vendit.
Në të njëjtën kohë, këto investime private nuk janë thjesht projekte energjetike. Janë investime që krijojnë vende pune, investime që sjellin teknologji dhe dije, që rrisin të ardhurat dhe fuqizojnë ekonominë lokale.
Komente










