Fatos Çoçoli: Ka përfitime ndarja Financa-Ekonomi publike?

 Fatos Çoçoli: Ka përfitime ndarja Financa-Ekonomi publike?

Ministria e Financave

Lajmi i ndarjes së Ministrisë së Financave nga roli si Ministri e Ekonomisë, i dhënë nga kryeministri tre ditë më parë, duhet përshëndetur.

Pse duheshin ndare financat nga ekonomia?

Këto dy ministri, ministria e Financave dhe Ministria e Ekonomisë, u bashkuan në vitin 2016. Të ndara, do të na shërbejnë më mirë të gjithëve. Po pse?

Ministria e Financave ka si përgjegjësi ligjore, morale dhe publike të ruajë qëndrueshmërinë e financave tona publike. Me fjalë të tjera, të punojë fort për të patur një defiçit (raporti shpenzime dhe të ardhura) më të vogël për shtëpinë e madhe të quajtur “buxhet i shtetit të Shqipërisë”, një borxh publik në ulje, të ardhura në rritje dhe shpenzime “të zgjuara”, pra ku paraja harxhohet  me nikoqirllëk.

Ministria e Ekonomisë ka objektiv parësor t’i sigurojë vendit një ekonomi publike dhe private në zhvillim dhe rritje, të punojë për projekte strategjike zhvillimi të ekonomisë dhe për një progres të balancuar të saj në të gjitha zonat e vendit.

Ndërsa financat tona publike shohin kontrollin dhe disiplinimin e shpenzimeve të shtetit, rritjen dhe mirëadministrimin e të ardhurave që futen në arkën e përbashkët, ekonomia jonë publike sheh si të harxhojë për projekte zhvillimi dhe për një zhvillim harmonik. Thënë ndryshe dhe thënë shqeto, Ministria e Financave nuhat si t’i sjellë sa më shumë të ardhura Buxhetit të Shtetit, kurse Ministria e Ekonomisë hap sytë si të zhvillojë më shumë ekonominë, me projekte strategjike dhe shpenzime më shumë.

Tabela 1: Pse duhej ndarë Ministria e Financave dhe e Ekonomisë?

1.            Ministria e Financave sheh si t’i sjellë më shumë të ardhura Buxhetit të Shtetit

2.            Ministria e Ekonomisë sheh si të zhvillojë më shumë ekonominë, me projekte strategjike dhe shpenzime më shumë

3.            Të gjitha qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian ku duam të futemi, kanë ministri të ndara për financat dhe ekonominë

4.            Superministria e Financave dhe Ekonomisë kishte 13 kapituj të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit për të trajtuar!

Duke i patur detyrat, misionin dhe objektivat të ndara, ministritë e ngjitura, ajo e Financave dhe ajo e Ekonomisë, e kanë të vështirë të prodhojnë sinergji, pra rritje të rendimentit të punës, kur janë bashkë. Më shumë bëjnë xing me njëra-tjetrën.

Madje kane edhe pak konflikt interesi, pse financave u intereson rritja e të ardhurave shtetërore, kurse ekonomise publike rritja e shpenzimeve, për të shtuar mirëqënien e qytetarëve.

Pse forcohet me ndarjen Ministria e Financave?

Tani, pas ndarjes, Ministria e Financave do të jetë më e fortë, pse do të jetë më e përqëndruar në misionin e saj madhor. Nuk do të mbajë më nën sqetull “kungujt” e detyrave dhe misioneve të Ministrisë së Ekonomisë, të Ministrisë së Punës dhe Mbështetjes Sociale, etj.

E ripërmasuar, pas vitit 2016, si një superministri ekonomike, Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk shkëlqeu me këtë bashkim. Nën drejtimin e një njeriu gllabërues poltronash të ekonomisë publike, i cili i fryu lajthitjes dhe turravrapit PPP, e që sot është në arrati dhe kërkohet nga drejtësia jonë, ajo i ngjante një hani me njëzet porta.

Edhe pse në vitet 2019-2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, nën drejtimin e dy ministreve të zonja, Denaj dhe Ibrahimi, fitoi drejtpeshim dhe i disiplinoi financat tona publike, duke programuar zhvillimin e tyre me objektiva të qartë për periudhën afatmesme, duke kufizuar marrëzinë e PPP-ve dhe duke realizuar fiskalizimin e ekonomisë sonë, kjo superministri me dy kokë nuk arriti t’i jepte një bosht zhvillimit tonë ekonomik.

Tabela 2: Përfitimet nga ndarja

1.            Ministria e Financave forcon më shumë rolin e saj kontrollues mbi veprimtarinë financiare të ministrive të tjera, sha.-ve shtetërore dhe tenderave publikë

2.            Ministria e Financave përqëndrohet më mirë në rritjen e të ardhurave të Buxhetit të Shtetit dhe uljen e evazionit fiskal dhe informalitetit

3.            Ministria e Financave forcon më shumë rolin e saj kontrollues mbi financat vendore

4.            Ministria e Ekonomisë profilizohet dhe përqëndrohet në detyrën e saj kryesore: zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë sonë

5.            Kultura ka ministrinë e Ekonomisë “nën një çati” dhe do përfitojë projekte e vëmendje më shumë

Ndarja e këtyre dy kokëve ekonomike ishte gjëja më e natyrshme dhe sa më shpejt të kishte ndodhur, aq më mirë do të kishte qenë për ekonominë dhe financat tona publike. Por më mirë vonë, se kurrë, thotë populli.

Sot Ministria jonë e Financave është më e fuqishme dhe më e përqëndruar në misionin e saj sublim. Ajo i ka të gjitha mjetet dhe tashmë kohën e duhur, që të forcojë rolin e saj kontrollues mbi veprimtarinë financiare të ministrive të tjera, sha.-ve shtetërore dhe tenderave publike.

Ajo ka më shumë kohë dhe njerëz në dispozicion, që të realizojë me sukses punën madhore për hapjen e kapitujve financiare në Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me Bashkimin Evropian, në procesin e bisedimeve për anëtarësim, si dhe të përqëndrohet akoma dhe më fort në mirëadministrimin e mbledhjes së të ardhurave buxhetore dhe në rritjen e tyre.

Ministria e Financave mund të hidhet tashmë me “not xhyt” në të gjitha sprovat për uljen e evazionit fiskal dhe informalitetit në ekonominë tonë. Kjo përbën një sfidë kryesore, të cilën, për shkak të “kungujve” të mëparshëm, kjo ministri nuk ishte në gjendje ta adresonte si duhet.

Ndërkohë, Ministria e sapokrijuar e Ekonomisë, me vëllain e saj siamez, inovacionin dhe ekonominë e startup-eve, profilizohet dhe përqëndrohet në detyrën e saj kryesore: zhvillimin e sektorëve strategjikë të ekonomisë sonë, me boshtin e madh, turizmin, si dhe me filizin e së ardhmes, që quhet ekonomia digjitale dhe e inteligjencës artificiale. 

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 12/01/2024 09:26

    i bashkoi Tigri ne 2016 te gjithe thone qe nuk kishin lidhje por Tigri i mbushi mendjen njeshit sikurse tani dikush i ka mbush mendjen se ekonomia dhe kultura duhet te jene bashke

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut

Lufta/ Netanyahu gati të tërheqë 320 mijë rezervistë! 20 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur në Bejrut