Në mesnatën e djeshme, forcat speciale të ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës arrestuan në shtëpinë e tij në kryeqytetin venezuelan Karakas, Presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro.

Maduro akuzohet nga Shtetet e Bashkuara se drejton një narko-shtet. Për 13 vite, pasi diktatori i Venezuelës Hugo Chavez, që vuante nga një sçmundje e pashërueshme, e caktoi si trashëgimtarin e tij politik, ai sundoi për vite me radhë, duke shtypur opozitën dhe duke mbajtur zgjedhje që bashkësia ndërkombëtare i konsideron tërësisht të manipuluara.

Arrestimi i Maduro nuk është thjesht lajmi i ditës i mbarë botës. Ai përbën një thyerje të një dogme të vjetër dhe të rrezikshme: se kush kap pushtetin, i shpëton ligjit. Për dekada, liderë autoritarë kanë sunduar me bindjen se shteti është mburojë personale, se presidenca është amnisti dhe se koha fshin krimet. Arrestimi i Maduros e rrëzon këtë mit në mënyrë brutale dhe përfundimtare.

Venezuela, vendi i tetë në botë më i pasur në naftë, nuk është thjesht një vend tejet i varfër sot dhe në krizë. Ajo përfaqëson një shtet të shkatërruar nga pushteti absolut, me miliona qytetarë të larguar, me varfëri ekstreme, mbi pasuri energjetike kolosale dhe me një aparat shtetëror të kthyer në instrument represioni personal. Ky kolaps ka emër dhe përgjegjësi politike. Dhe për herë të parë, kjo përgjegjësi trokiti fuqishëm tek dera e njeriut që e mishëron.

Arrestimi i Maduros ka një domethënie të qartë: krimet shtetërore nuk janë çështje ideologjie, por çështje ligji. Nuk ka rëndësi nëse një regjim vetëquhet socialist, anti-imperialist apo “popullor”. Kur shteti burgos, torturon, shtyp dhe varfëron popullin e vet, drejtësia nuk negocion me retorikë.

Për qytetarët venezuelianë, ky akt është njohje e vuajtjes së tyre. Për miliona njerëz të detyruar të braktisin vendin, për familje të shkatërruara, për breza të humbur, arrestimi i Maduros është prova se bota demokratike nuk i ka normalizuar krimet e pushtetit të tij.

Për vetë Amerikën Latine, arrestimi përbën një paralajmërim të ashpër. Epoka e liderëve që mbahen me zgjedhje të manipuluara, ushtri të politizuara dhe drejtësi të kapur po hyn në territor të rrezikshëm. Askush nuk është më i sigurt, pas karriges së presidencës. Asnjë flamur ideologjik nuk mjafton për të fshehur krimet.

Për rendin ndërkombëtar, arrestimi i Maduros është prova e vonuar e koherencës morale, të cilën SHBA-të e bënë realitet. Drejtësia globale, e përfaqësuar nga Gjykata e Hagës e Krimeve ndaj Njerëzimit, është shpesh e sulmuar për selektivitet: disa drejtues ndëshkohen, të tjerë tolerohen, të tjerë mbahen kot prapa hekurave, si në rastin e drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pikërisht për këtë arsye, një arrestim real, si ky i Maduros, ka peshë historike.

Sigurisht, ky veprim i SHBA-ve ka rreziqe. Çka mbetur nga rregjimi i shkërmoqur i diktatorit venezuelan do ta përdorë si narrativë viktimizimi. Do të flasë për komplot, imperializëm dhe ndërhyrje. Por kjo është armë e konsumuar. Asnjë retorikë nuk justifikon kolapsin e një vendi të tërë.

E vërteta është kjo: arrestimi i Maduros nga SHBA-të nuk është hakmarrje politike. Eshtë vetëm dhe thjesht rikthim i kufijve mes pushtetit dhe krimit.

Ai shënon një precedent të frikshëm për të gjitha rregjimet diktatoriale sot në botë dhe një shpresë reale për qytetarët po ashtu kudo në botë. Dhe mesazhi është i qartë. Pushteti absolut mund ta zgjasë një regjim, por nuk e shpëton nga përgjegjësia.

Pushteti nuk është më garanci për paprekshmëri. Epoka e amnistisë politike po mbyllet dhe përgjegjësia penale personale e drejtuesve po del e qartë. Amerika Latine dhe mbarë bota kanë histori grushtesh shteti dhe amnistish, por shumë pak histori ndëshkimi institucional të liderëve në pushtet.