Fatos Çoçoli: O kursim, o fashë!

Fatos Çoçoli: O kursim, o fashë!

Foto ilustruese

Duke filluar nga dje, më datë 1 nëndor, qeveria do të presë 10 ditë, deri më 10 nëndor, për të marrë vendim, nëse do ta vendosë fashën 800 kilovat-orë në këtë muaj, apo jo. Këto dhjetë ditë pritje ia mundëson koha e faturimit. Do të jenë ditë pritjeje me ankth. Po pse? Sepse po bën një vjeshtë e artë dhe dielli shkëlqen e ngroh si në ditë maji, me temperaturën në mesditë deri në 28 gradë Celsius. Sepse po bëhen afro gjashtë javë që nuk ka rënë një pikë shi në Shqipëri.

Viti më i thatë i dhjetëvjeçarit?

Lugati fashë na fanepset me koston e tij të frikshme prej 15-20 milionë eurosh energji e paguar më shumë, ose 5-6 mijë lekë të reja për familje që zakonisht në nëndor harxhon 1,200 kilovat-orë. Tek ne, si kudo, të shtatë vitet e fundit 2015 – 2021 kanë qenë vitet më të nxehta në historinë e matjeve te temperaturave. Dhe nuk janë vetëm temperaturat e larta që e veçojnë këtë 7-vjeçar nga periudhat e tjera, por është edhe numri i ditëve në të cilat temperaturat në mënyrë vazhdueshme shënuan vlera mbi 27 gradë Celsius.

Stina e verës ka thyer rekorde nga pikëpamja termike, duke regjistruar temperatura të larta deri 39-40 gradë Celsius, edhe në zonat malore si Peshkopia, Kukësi dhe Has. Temperaturat shumë të larta nënkuptojnë mungesë të theksuar të rrjeshjeve. Është pakësuar ndjeshëm sasia e reshjeve vjetore, por janë dyfishuar rastet me reshje intensive dhe ekstreme, për një kohë të shkurtër.

Ndërkohë, muajt dhjetor, janar dhe shkurt për vitet 2016-2021, që zakonisht kanë qenë me shumë dëborë në pjesët malore të vendit, rezultojnë muaj me 15-22 % të mesatares shumëvjeçare të sipërfaqes me dëborë, për shkak të ngrohjes së temperaturave gjatë dimrit. Sasia e vogël e dëborës, me një të gjashtën ose një të pestën e asaj që malet mbarteshin  zakonisht, ka sjellë mos-furnizim të përrenjve malorë që mbushnin lumin e Drinit në pranverë, kur dëbora shkrin.

Sipas të dhënave të buletineve mujore klimatike të Institutit të Gjeoshkencave (https://www.geo.edu.al/newweb/?fq=brenda&gj=gj1&kid=42), sasitë e rreshjeve për 7 nga 8 muajt e fundit (dhjetor 2021-korrik 2022) të matur nga IGJEUM, kanë qenë dukshëm nën mesataren shumëvjeçare, që do të thotë se viti që jemi, viti 2022 është dukshëm një vit i thatë. Edhe pse ranë rreshje në shtator, me tetorin tërësisht me diell dhe, në rast se nuk do të bien rreshje intensive gjatë muajit nëndor, viti 2022 do të kthehet në një vit shumë, shumë të thatë.

Kursim, nëse nuk duam fashë!

E vetmja mënyrë që të kandisim qeverinë të mos vendosë fashën për muajin nëndor që sapo hyri, është ta kursejmë energjinë. Ta kursejmë të gjithë dhe ta kursejmë fort. Ka shumë mënyra për ta kursyer energjinë elektrike dhe për të bërë që të kemi nevojë jo më shumë se 14 mijë megavat-orë në ditë(ndoshta kufiri për t’ia dalë pa fashë)  edhe në nëndor.Po si? Së pari, të fikim dritat, kompjuterët, televizorin, telefonin, kondicionerin dhe çdo pajisje tjetër, përpara se sa të na zërë gjumi. Vetëm me këtë hap të thjeshtë mund të kursejme shumë. Po sa? Përllogaritjet flasin për rreth 1.3 milionë euro energji e konsumuar kot çdo muaj nga 600 mijë familjet tona. Së dyti, nëse kemi pajisje që nuk përdoren(edhe karikues celularësh, etj.), por ama i mbajmë në prizë, duhet t’i heqim nga priza. Sa kursejmë po ta bëjmë? 300 mijë euro në muaj për të 650 mijë familjet tona. Nuk është pak. Ia vlen që për këto pajisje të përdorim një prizë zgjatuese me shumë dalje, në mënyrë që të mund t’i fikim të gjitha me një prekje të vetme. Së treti, duhet të bëjmë kujdes me kondicionerin dhe dushin. Na kurdisin në harxhim të kotë energjie.

Gjatë dimrit, duhet ta mbajmë në intervalin nga 18 deri në 20 gradë. Kur lahemi dhe mbushim vaskën, na qëllon jo pak herë ta harrojmë ujin e ngrohtë që po e mbush dhe ta derdhim së koti. Ose ta mbajmë të ndezur dushin, edhe pse nuk kemi synim të lahemi gjatë gjithë ditës së punës. Kondicioneri dhe dushi janë “fajtorë” për harxhim të kotë energjie elektrike në muaj në nivel 5.6 milionë euro për të 650 mijë familjet tona(apo një mijë lekë të reja harxhim i kotë mesatarisht për familje). Lavatriçja është harxhuesja numër një e energjisë elektrike, pas ngrohjes me korent. Nëse i lajmë rrobat me ujë të ftohtë, do të kursenim ndjeshëm elektricitet. Nëse lavatriçja jonë ka karakteristika të veçanta për kursimin e energjisë, atëherë do të ishim dyfish të fituar. Nga harxhimi kot i energjisë prej lavatriçes(e mbushim kazanin në një të tretën, lajmë në 90 gradë rroba që shumë mirë lahen në 30 gradë apo me ujë të ftohte, etj.), të 650 mijë familjet tona humbin mesatarisht 500 lekë të reja në muaj ose 2.7 milionë euro. Për çdo familje tonën, në vend të llampave të vjetra inkandeshente, ia vlen të investojmë tek llampat LED, të cilat janë jo vetëm të përballueshme, por edhe kursejnë goxha energji. Të gjitha kursimet, nga çdo burim, edhe për administratën shtetërore, do të na bënin të harxhonim 3-4 mijë megavat-orë energji elektrike më pak në ditë. Sot që flasim, një e gjashta e energjisë që harxhojmë në ditë shpërdorohet. Po si shpërdorohet? Duke harruar ndezur dritat e rrugëve në mëngjes me dritë të ditës(ndodh rëndom edhe tani që qeveria ka vendosur masa kontrolli për harxhimin e energjisë elektrike). Duke harruar drita ndezur në zyrat e shtetit dhe privatit, apo në dhomat tona gjatë mbrëmjes e natës, duke e lënë gjithë ditën e natën ndezur dushin, duke e harruar derën e frigoriferit hapur, qoftë dhe për pak minuta, apo duke larë rroba me kazanin e lavatriçes të mbushur pak. Duken gjëra të rëndomta, por përbëjnë miliona euro shpërdorim brenda një muaji! Do jenë ditë përcaktuese këto dhjetë ditë të para të nëndorit!

Vetëm kursimi total i thotë “Jo!” fashës!

Nëse fatura e energjisë elektrike për tetorin më 10 nëntor do na vijë, të themi 6,500 lekë të reja, me kursimet si më sipër arrijmë ta kemi rreth një mijë e tetëqind lekë të reja më pak. Nga ana tjetër, ia vlen të shikojmë sa përputhen dritaret e dyert tona, me dimrin që po afron. Një shtëpi më e izoluar kursen 20 përqind të energjisë për ngrohje. Vetëm në këto mënyra, ky kursim total do të na mundësonte që çdo ditë t’i kërkojmë në nëndor dhe dhjetor KESH-it dhe OSHEE-se mesatarisht 13-14 mije megavat-ore, dhe jo 16-17 mijë megavat-orë. Kërkesa e fundit nënkupton tharrjen e shpejtë të liqenit të Fierzës dhe blerjen e energjisë shumë të shtrenjtë nga jashtë në nivel 35-40 përqind të nevojave. Çka nga ana e saj, nënkupton vendosjen e detyruar të fashës 800 kilovat-ore në dhjetor 2022. Kemi mundësi, me kursimet tona në çdo familje dhe institucion shtetëror, që ta shmangim këtë situatë, edhe nëse nuk bie shi dëndur as këtë nëndor, sikurse nuk ra fare në muajin tetor, që sapo lamë pas. E kemi vetë në dorë. Na duhet vetëm kujdes i madh, disiplinë dhe përgjegjshmëri, si në familjet tona, dhe në shtet.

K.T./SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • minushe: 02/11/2022 13:48

    shkrim shume informues

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja