Pas 76 ditësh proteste të vazhdueshme në Tiranë, pyetja nuk është më thjesht nëse protesta mund të vazhdojë. Pyetja më e vështirë është nëse ajo mund të rindizet, të rifitojë energjinë fillestare të 10 ditëve të para, si dhe shpresën e shumë prej qytetarëve.
Pa dyshim sot do të ketë më shumë protestues në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pasi një pjesë e emigrantëve tanë që vijnë këto javë për pushime ose për të parë të afërmit, kanë konfirmuar që do të jenë. Sidomos ata nga Diaspora në SHBA dhe Kanada. Mirëpo kjo nuk mjafton për rindezje dhe rikthim në qendër të vëmendjes politike, publike dhe mediatike kombëtare e ndërkombëtare.
Një protestë që zgjat kaq gjatë përballet me një problem të natyrshëm: konsumimin. Njerëzit, madje edhe të rinjtë më të përkushtuar lodhen, mesazhi përsëritet, mediat fillojnë ta trajtojnë si rutinë dhe qytetarët mësohen me praninë e protestuesve në rrugë. Në këtë pikë, vazhdimësia e protestës nuk është më domosdoshmërisht forcë. Mund të kthehet edhe në dobësi.
Megjithatë, dita e sotme e 77-të nuk do të thotë automatikisht fundi i protestës. Një lëvizje qytetare paqësore mund të rikthehet fuqishëm, nëse arrin të gjejë një arsye të re, një objektiv të qartë dhe një mënyrë më efektive, për ta shndërruar pakënaqësinë në pjesëmarrje masive.
Protesta, nga entuziazmi, tek rezistenca dhe...tek rituali
Në ditët e para, protesta kishte avantazhin e surprizës. Ajo vinte nga një energji e re qytetare, me pjesëmarrje dërrmuese të të rinjve dhe me një mesazh të drejtpërdrejtë kundër mënyrës së qeverisjes.
Me kalimin e ditëve, madje mbushjen e dy muajve, situata ndryshoi. Protesta nuk është më një ngjarje e jashtëzakonshme. Ajo është bërë pjesë e peizazhit politik të Tiranës.
Dhe këtu lind problemi. Një protestë mund të ketë shumë ditë, por nuk mund të ketë pafundësisht të njëjtin mesazh me të njëjtën intensitet.
Qytetarët kanë të drejtë të pyesin: A ka ende një kauzë protesta? Nëse mesazhi mbetet vetëm "Rama jepe dorëheqjen!", ai mund të mobilizojë kundërshtarët e qeverisë, por mund të mos jetë i mjaftueshëm, për të bindur qytetarët që nuk janë të rreshtuar politikisht. Dhe që janë shumica.
Një protestë kombëtare ka nevojë për një platformë që shkon përtej kundërshtimit të një personi, qoftë ky dhe drejtuesi i qeverisë.
Ajo duhet të përgjigjet se çfarë do të kërkojë pas largimit të qeverisë? A ka një projekt, plan apo listë se kush do të qeverisë, me çfarë programi, si do të garantohen zgjedhje të besueshme? Si do të luftohet korrupsioni, si do të kontrollohen koncesionet dhe PPP-të, si do të forcohen institucionet e pavarura? Si do të krijohet një sistem administrate publike që nuk funksionon tërësisht në funksion të qeverisë së radhës?
Nëse protesta arrin të japë përgjigje të besueshme për këto pyetje, ajo mund të kalojë nga një revoltë 76 ditore kundër qeverisë, në një lëvizje qytetare me ambicie politike dhe institucionale.
Këtë organizatorët e saj kanë patur më shumë se dy muaj kohë për ta bërë, por nuk e kanë bërë. Pse?
Protesta: nga lëvizje për ndryshim të madh në... ritual?
76 ditë janë shumë. Një protestë e përditshme kërkon njerëz, organizim, financim, komunikim dhe energji. Nëse pjesëmarrja nuk rritet, protestuesit e përditshëm ndihen sikur po bëjnë të njëjtën gjë, pa rezultat.
Dhe kjo prodhon një nga rreziqet më të mëdha të një proteste: demoralizimin.
A mund të rindizet ajo? Po, por jo duke bërë thjesht të njëjtën protestë. Rindezja kërkon një ndryshim të formatit. Por këtë ndryshim organizatorët e protestës kanë mbi dy muaj që nuk e duan.
Pas 76 ditësh, organizatorët duhet t'u thonë qytetarëve: Çfarë kemi arritur? A ka ndryshuar debati publik, a është krijuar një strukturë e re qytetare, a janë detyruar institucionet publike të japin përgjigje?
Protesta që nisi si një shprehje e fortë pakënaqësie qytetare dhe si një lëvizje që synonte të impononte ndryshime të mëdha politike, pas 76 ditësh, po përballet me rrezikun më të madh për çdo lëvizje shoqërore: të kthehet nga një akt politik, në një ritual.
Kjo, sepse një protestë nuk matet vetëm me numrin e ditëve që qëndron në rrugë. Ajo matet me aftësinë për të ndryshuar diçka.
Dhe pikërisht këtu qëndron problemi. Kur protesta shndërrohet nga revoltë qytetare në rutinë. Protesta ka ndikim të madh, kur shfaqet si një ngjarje e jashtëzakonshme. Njerëzit flasin për të, mediat e ndjekin, pushteti detyrohet të reagojë dhe shoqëria fillon të diskutojë çështjet që ajo ngre.
Mirëpo kur protesta përsëritet çdo ditë me të njëjtin format, të njëjtët slogane dhe të njëjtën skenografi, ajo e humb gradualisht efektin e surprizës.
Në ditët e para, tubimi në bulevard përballë kryeministrisë ishte lajm. Pas dhjetëra ditësh, bëhet pjesë e programit të ditës. Dhe ky është momenti kur protesta rrezikon dhe po kthehet në ritual.
Dhe rituali ka një karakter tjetër nga protesta. Ai përsëritet. Njerëzit e dinë çfarë do të ndodhë. Mediat e dinë çfarë do të ndodhë.
Kur të gjithë e dinë paraprakisht skenarin, atëhere humbet një pjesë e madhe fuqisë politike të protestës. Dhe protesta paqësore më e madhe dhe më rinore e vendit, për fat të keq, e ka humbur fuqinë e saj.
Edhe kur të mbushen 100 ditë, protesta do të kujtohet më vonë si një akt politik që ia doli të rezistojë gjatë, por nuk arriti ta shndërrojë rezistencën në ndryshim themelor politik.










Komente
Komento