Fatos Çoçoli: Pse pavarësia e BSH është e shenjtë?

Fatos Çoçoli: Pse pavarësia e BSH është e shenjtë?

Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë ka të njëjtën pavarësi si Banka Qendrore Evropiane. Kjo pavarësi  duhet ruajtur dhe jo dëmtuar. Po u dëmtua, preken interesa madhore tonat si qytetarë. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka mbështetur që në vitin 2015 planin e autoriteteve shqiptare për uljen e kredive me probleme. Ai mbështet fort edhe sot pozicionin e bankës qendrore të vendit

Në familjen e madhe të Bashkimit Evropian, ku duam të integrohemi sa më shpejt, imazhi dhe vlerat e një banke qendrore janë gati të shenjta. Kjo ndodh, pasi këtij institucioni i besohet me ligj politika monetare(e monedhes) e vendit, qëndrueshmëria financiare e tij, kontrolli ndaj inflacionit dhe shëndeti i depozitave bankare të qytetarëve, si dhe i huave bankare që ata marrin.

Pavarësia e plotë e Bankës së Shqipërisë u sigurua më 23 dhjetor 1997, me ligjin nr. 8269 “Për Bankën e Shqipërisë”. Në këtë ligj sanksionohet për herë të parë pavarësia e Bankës së Shqipërisë nga çdo pushtet tjetër, për realizimin e objektivave kryesorë të veprimtarisë së saj. Ligji sanksionoi edhe mënyrën e vendimmarrjes së bankës qendrore, zgjedhjen e organit drejtues të saj, Këshillit Mbikëqyrës, si dhe zgjedhjen e Guvernatorit.

Tabela 1: Pse na duhet banka qendrore?

Mban nën kontroll inflacionin, që i pakontrolluar, na gërryen vlerën e parave që kemi
Ruan vlerën e këmbimit të lekut, monedhës sonë kombëtare
Mban të shëndosha kursimet tona në bankat tregtare
Ruan shëndetin e kredive bankare, që ato të këqija të mos mbysin tregun
Lehtëson kushtet për huatë që marrim nga bankat tregtare
Ul koston e pagesave tona përmes bankave

Me këtë ligj, Banka e Shqipërisë përgjigjet vetem para Kuvendit të Republikës së Shqipërisë per vendim-marrjen dhe aktivitetin e saj.

Ngjashmëria BSH-Banka Qendrore Evropiane

Si banka qendrore e vendit tonë, ashtu edhe Banka Qendrore Evropiane e Eurozonës, e kanë të vulosur në legjislacionet e tyre përkatëse pavarësinë. Si institucion i Bashkimin Evropian, Banka Qendrore Evropiane vepron sipas Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian dhe Statutit të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore.

Ky Traktat i jep Bankes Qendrore Evropiane  mandatin shumë të qartë për të ruajtur qendrueshmërinë e çmimeve në zonën e euros. Në këtë mënyrë, Banka Qendrore Evropiane është në gjendje të ndjekë një politikë monetare që nxit rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të punës në Eurozonë.

Të njëjtin mision ka edhe Banka e Shqipërisë. Si roje të stabilitetit të çmimeve, bankat qendrore krijojnë bazat për një ekonomi të shëndetshme dhe të qëndrueshme. Nëse qeveritë do të kishin kontroll të drejtpërdrejtë mbi bankat qendrore, politikanët mund të tundoheshin të ndryshonin normat e interesit në favor të tyre, për të krijuar bum ekonomik afatshkurtër, ose për të përdorur paratë e bankës qendrore, për të financuar masat e politikave populiste. Kjo do ta dëmtonte seriozisht ekonominë, në periudha afatmesme dhe afatgjata.

Traktati për Funksionimin e Bashkimit Evropian i ka dhënë Bankës Qendrore Evropiane një pavarësi të pesëfishtë: institucionale(politike), personale(mbron Guvernatorin dhe anëtarët e Bordit Ekzekutiv), funksionale, financiare dhe juridike. Kjo pavarësi e pesëfishtë e Bankës Qendrore Evropiane njihet nga të gjithë politikanët, veprimtarët e e tjerë, por edhe qytetarët në Bashkimin Evropian, si gur themeli i sistemit monetar të Eurozonës. Pa këtë pavarësi, euro do të kishte marrë të tatëpjetën që në ditën e parë të themelimit të saj, më 1 janar 2001!

Tabela 2: Si mbrohet Banka Qendrore Evropiane(BQE)?

Kuadri institucional për politikën monetare mbron BQE-në nga të gjitha llojet e ndikimeve politike
Traktati thotë se BQE-ja nuk duhet të kërkojë ose të marrë udhëzime nga asnjë institucion, qeveri ose organ tjetër. Edhe qeveritë e shteteve anëtare dhe institucionet e tjera të BE-së nuk lejohen të ndikojnë në organet vendimmarrëse të BQE-së.
Statuti mbron pavarësinë personale të anëtarëve të Bordit Ekzekutiv të BQE-së
BQE gëzon personalitetin e saj juridik. Kjo i mundëson asaj të ngrejë padi përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, për të zbatuar pavarësinë e saj.

A duhet lejuar cënimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë?

E njëjta gjë vlen edhe për Bankën e Shqipërisë. Pa pavarësinë e sanksionuar në ligj, çdo vendim i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë për uljen ose ngritjen e normave të interesit të lekut, do të ishte keqintepretuar si vendim me interesa private dhe do të ishte kallëzuar në prokurori pafundësisht nga shoqata dhe grupe interesi të prekura.

Me këtë llogjikë shkatërruese të shtetit ligjor, i bie që për rritjen pesë herë të normave të interesit të lekut në vitin e vështirë 2022, Këshillit Mbikqyres të Bankës së Shqipërisë dhe Guvernatorit të saj t’u duhej të kalonin gjysmën e kohës dhe aktivitetit për t’u mbrojtur në dyer gjykatash, të hedhur në gjyq nga përfaqësues grupesh interesi, që nuk ju leverdis vendimi i BSH për mbrojtjen e qytetarëve nga niveli tejet i lartë i inflacionit.

Pavarësia reale e Bankës së Shqipërisë duhet mbrojtur edhe nga presioni i gjobëvënieve. Një përmbarues me eksperienca personale jopozitive, në krye të një Dhome përmbaruesish privatë, gjen fushë të lirë të akuzojë vazhdimisht Bankën e Shqipërisë, lidhur me problemet e shfaqura në dy kompani të mikrokredisë.

Vetëm dy nga 22 kompani qe japin mikrokredi kanë shfaqur probleme dhe veprimtaria e tyre duhet të hetohet deri në fund. Por, nga ana tjetër, duhet pare mire nga organet tona ligjzbatuese, që ky angazhim i përmbaruesit privat të mos jetë sprove për gjobëvënie jo vetëm financiare ndaj bankes qendrore te vendit.

Qytetarët e kanë kuptuar prek kohësh që është sistëmi i përmbaruesve privatë molla e kalbur në skandalin e abuzimeve deri në vjedhje ndaj qytetarëve, me mikrokredi të pakthyera për një kohë të gjatë, dhe jo banka qendrore e vendit.  Këtë fakt e vërtetojnë edhe statistikat e ankesave të tyre.

Tabela 3: Ankesat në adresë të BSH për “Micro Credit Albania”

Numri i klientëve të “Micro Credit Albania” 16.900
Klientë në procedura përmbarimore 90%
Numri i ankesave drejtuar Bankës së Shqipërisë 85%
Ankesat për përmbaruesit 80%

Gjatë viteve 2015-2024, kanë ardhur dhe janë trajtuar në Bankën e Shqipërisë vetëm 85 ankesa dhe kërkesa të qytetarëve ndaj kompanisë “Micro Credit Albania”. Shumica dërrmuese e këtyre 85 ankimeve nga klientët e kësaj shoqërie, lidhen me procesin e ekzekutimit të detyrueshëm të detyrimit, nga shërbimi përmbarimor.

Pse FMN mbështet pozicionin e Bankës së Shqipërisë?

Në vitin 2015, një nga format e propozuara nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, për ta futur nën kontroll minën lundruese të kredive të këqija, që ishte kthyer në emergjencë kombëtare, ishte aktivizimi i shoqërive që kishin si objekt blerjen e kredive me probleme dhe pastaj rekuperimin e tyre. Kjo është një praktikë e njohur dhe e përhapur ndërkombëtarisht.

Sot, në një pjesë të opinionit publik, madje edhe të organit të akuzës, Prokurorisë së Tiranës, ka një keqkuptim të madh të rolit mbikqyrës dhe rregullator të Bankës së Shqipërisë.

Ky keqkuptim e ka detyruar Fondin Monetar Ndërkombëtar, në personin e Drejtoreshës së Departamentit të Komunikimit në FMN, Julie Kozack, që në një konferencë për mediat muajin e kaluar (imf.org/en/), t’i përgjigjej interesimit të një medieje shqiptare, lidhur me çështjen ligjore të hapur nga Prokuroria ndaj disa institucioneve financiare jobanka, shoqërive përmbarimore dhe përmbarues gjyqësorë privatë, për abuzimet në procesin e mbledhjes së kredive me probleme.

Zj. Kozack këmbënguli në ruajtjen e pavarësisë së Bankës së Shqipërisë, si diçka të domosdoshme dhe gati të shenjtë, në mënyrë që banka qendrore të përmbushë misionin e saj ligjor për ruajtjen e qëndrueshmërisë së çmimeve dhe qëndrueshmërisë financiare të vendit.

Në ndihmë të qytetarëve të dëmtuar nga abuzimet me mikrokreditë

Janë pikërisht këto problematika e mësipërme që rëndojnë sot tek qytetarët. Mirëpo, Banka e Shqipërisë nuk ka kompetencë të urdhërojë ndalimin ose pezullimin e proceseve të ekzekutimit të detyrimeve ndaj kredive të marra, pasi kjo është kompetencë që me ligj i njihet vetëm gjykatës kompetente.

Banka e Shqipërisë ka ngritur një grup të posaçëm pune me ekspertë të saj, duke vendosur përfaqësuesit e saj pranë dy kompanive të mbyllura MCA dhe Final. Banka qendrore ka udhëzuar punonjësit e këtyre shoqërive që t’i japin asaj të gjithë informacionin për klientët e tyre dhe për detyrimet që deri tani kanë mbledhur, si dhe për detyrimet që ende qytetarët u kanë këtyre kompanive. Në të kundërt, Banka e Shqipërisë do t’i drejtohet gjykatës, për procedim penal ndaj tyre.

Banka qendrore po kontrollon me përgjegjësi këto detyrime. Klientë të shoqërisë MCA kanë qenë rreth 17 mijë qytetarë, dhe së bashku me klientët e kompanisë Final, bëhen në total rreth 30 mijë qytetarë.

Banka qendrore u ka bërë apel publik qytetarëve ,që çdo rast ankese dhe shqetësimi të tyre, t’ia kalojnë asaj në adresën e email-it të Bankës së Shqipërisë: [email protected] . Një numër i madh kredish të blera nga MCA dhe Final, që po shlyen gradualisht nga qytetarët, do të kthehen në sistemin bankar.

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të bëjë disa ndryshime në rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë nga subjektet financiare jobanka”. Këto ndryshime synojnë të plotësojnë më tej bazën rregullatore për subjektet financiare jobanka, kryesisht për rastet pas revokimit, heqjes së licencës, me qëllim mbrojtjen e plotë të qytetarëve,  gjatë administrimit dhe likuidimit të portofoleve të tyre të kredive.

Banka e Shqipërisë do t’i propozojë Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, si institucione që mund të paraqisin nisma ligjore në Kuvend, që të bëhën ndryshime në Kodin e Procedurës Civile, për rregullimin e të gjitha veprimeve me karakter procedural të përmbaruesve gjyqësorë. 

Në bashkëpunim me Bankën Boterorë, ajo po punon për përgatitjen e një Ligji të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit në veprimtarinë e subjekteve financiare jobanka. Në këtë ligj do të përfshihen edhe ndryshimet rregullative të kryera nga Banka e Shqipërisë, mbi vendosjen e tavaneve për kamatë-vonesat dhe normat e interesit.

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic

10 kuriozitete rreth Krishtlindjes të zgjedhura nga National Geographic