Këtë vit bujqësia nisi me këmbë të mbarë. Sipas INSTAT, eksportet bujqësore u rritën me 34 për qind në vlerë dhe me 14.5 për qind në sasi në janar 2025, në krahasim me janarin 2024.
Rritje në tregues të tillë vetëm për muajin e parë të vitit nuk kemi njohur në këto dy dekadat e fundit.
Çfarë eksportojmë?

Në produktet bujqësore të eksportuara, kryeson domatja nga grupi i perimeve të serrave, ku Shqipëria është e favorizuar nga prodhimi më i hershëm, për shkak të klimës.
Ndër produktet kryesore të eksportuara janë gjithashtu: kastraveci, speci, lakra, qepa, preshi, dhe drufrutorët ku kryeson molla etj., për të vijuar me bimët mjekësore dhe prodhimet e agropërpunimit, si peshk i konservuar, etj., ndërsa gjeografia e eksporteve “Made in Albania” është shtrirë në mbi 80 shtete të botës.
- Kastraveci, speci, lakra, qepa dhe preshi 11.2%
- Molla, mandarinat, luleshtrydhe, shalqinj, rrush, etj. 19.6%
- Bimët mjekësore dhe aromatike 9.4%
- Vaji i ullirit 6.7%
- Peshk i konservuar 6.2%
Eksportet bujqësore shënuan rritje të ndjeshme gjatë vitit të kaluar dhe inercia u ndje dhe në këto dy muajt e parë të këtij viti.
Fermerët tanë ia dolën të përmirësojnë në mënyrë cilësore produktet me të cilat konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare, përmes kapjes së standardeve më të larta. Sipas INSTAT, krahasuar me vitin 2023, eksportet bujqësore u shtuan në sasi me 21 për qind.
Shtimi në sasi i produkteve bujqësore tregon realisht rritjen, pasi vlera mund të të gënjejë, për shkak të rritjes së çmimeve të këtyre produkteve. Gjatë vitit 2024, Shqipëria eksportoi mbi 471 mijë tonë produkte bujqësore, kundrejt 390 mijë tonëve produkteve që u eksportuan në vitin 2023.
Faktorët e shtimit
Rritja e eksporteve të produkteve bujqësore “Made in Albania” jep një pasqyrë të qartë të shtimit të cilësisë dhe fuqizimit të fermerëve në vend. Politikat mbështetëse të qeverisë dhe Skema Kombëtare e Bujqësisë 2024 bënë që fermerët të shtojnë investimet në përmirësimin e cilësisë dhe të standardeve të produkteve shqiptare. Ata po e rrisin praninë e tyre në mënyrë të qëndrueshme në tregjet ndërkombëtare.
Përmes një akti normativ, në fund të dhjetorit të vitit 2024, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural mori nga qeveria 1.4 miliardë lekë shtesë, ose 14 milionë euro. Ky fond u përdor për të mbuluar të gjitha kërkesat e fermerëve aplikantë në Skemën Kombëtare të Zhvillimit të Bujqësisë 2024, të cilët plotësojnë kriteret e përfitimit për tetë masat mbështetëse për vitin 2024.
Rritja e prodhimit dhe eksporteve bujqësore është nxitur nga investimet në sera, në pikat e grumbullimit, në magazina frigoriferike dhe në gjithë zinxhirin tregtar. Ndikim në këtë zgjerim, ka dhënë edhe skema e subvencionit të naftës dhe fakti qe tani fermerët e marrin naftën drejtpërsëdrejti. Zonat me bujqësi më intensive në vend janë Berati, Lushnja, Fieri e Divjaka, ku sigurojmë mbjellje me dy sezone.
- Investimet në pikat e grumbullimit
- Shtimi i magazinave frigoriferike
- Zgjerimi i subvencionit të naftës
- 14 milionë euro fond shtesë në dhjetor 2024
Me vendimin e fundit të qeverisë, mbështetja për bujqësinë dhe blegtorinë arriti një total prej 5.2 miliardë lekë, ose 52 milionë euro.
Sa ndihmoi Skema Kombëtare e Bujqësisë 2024?
Skema Kombëtare për vitin 2024 mbështeti me dhjetëra mijëra fermerë, përmes tetë masave të saj, ku mbi 52 mijë fermerë përfituan mbështetje për naftë.
- Mbështetje për bletarinë
- Mbështetje për fermat organike
- Mbështetje për çertifikimin Global Gap
- Mbështetje për fara, fidanë dhe inpute të tjera
- Mbështetje për bimët mjekësore-aromatike
- Mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Skema Kombëtare 2024 ofroi mbështetje për 8 masa: tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fermat organike, çertifikimi Global Gap, fara, fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore-aromatike, si edhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.
Për të tretin vit radhazi, Shqipëria plotësoi me 100 për qind pagesat për fermerët e kualifikuar të Skemës Kombëtare direkte në bujqësi 2024. Pra, i gjithë fondi prej 52 milionë eurosh, iu shpërnda fermerëve.
Në vitin 2024, vlera e përgjithshme e eksporteve bujqësore arriti në 550 milionë euro, ndërsa ambicia e qeverisë është që brenda dekadës ta çojë në një miliardë euro.
Ndërkohë, financimi përmes Kredisë së Butë dhe Garancisë Sovrane në linjën 250 milionë euro të hapur nga Banka e Shqipërisë, do të ndihmojë bizneset e vogla dhe të mesme në sektorin bujqësor, që të investojnë me kushte lehtësuese.
Kredia e Butë me një linjë financimi 250 milionë euro dhe me normë interesi 3.5%, e kombinuar me Garancinë Sovrane, e ul normën e interesit në 2% për bizneset në 5 sektorë kyç të ekonomisë. Dhe sektori kryesor është pikërisht bujqësia. Eksportet bujqësore shqiptare ende kanë shumë për të thënë.
Komente

