Kriza e shkaktuar nga përshkallëzimi i luftës në Iran në periudhën 28 shkurt-8 prill 2026 solli një rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe edhe tek ne. Për një ekonomi si e vendit tonë, e varur thuajse plotësisht nga importi i karburanteve dhe ku shpenzimi për karburante merr një të katërmbëdhjetën e parave që harxhojmë çdo ditë, kjo përbënte një test të rëndësishëm rezistence. Skenarët ogurzinj ishin tek pragu i derës.
Megjithatë, në periudhën 28 shkurt - 8 prill 2026, duke përfshirë edhe dy javët më pas të armëpushimit të shpallur nga Presidenti Trump 9-23 prill, ekonomia jonë arriti ta përballojë relativisht mirë këtë goditje, për disa arsye kyçe.
Inflacioni mbeti nën kontroll
Si rezultat i masave të marra nga Banka e Shqipërisë dhe nga shtimi i ndjeshëm i prodhimit të energjisë elektrike nga fotovoltaikët, rritja e çmimit të naftës nuk u përkthye në një spirale të fortë inflacioni, siç ka ndodhur në kriza të mëparshme energjetike.
Kjo u arrit për disa arsye. Për vitin e kaluar dhe këtë vit, Shqipëria po prodhon një të dhjetën e energjisë elektrike nga panelet diellore. Nga ana tjetër, leku mbeti shumë i fortë ndaj euros në tregun tonë, duke zbutur ndjeshëm efektin e importeve të shtrenjta. Arsyeja e tretë ka të bëjë me faktin që familjet shqiptare reaguan, duke kufizuar shpenzimet jo thelbësore. Ndërkohë, lufta në Iran zgjati rreth 5 javë e gjysëm dhe u pasua nga një armëpushim dyjavor.
Të gjitha këto arsye sollën që goditja edhe tek ushqimet të ishte e përkohshme dhe e menaxhueshme, edhe pse pritshmëritë për një rritje të fortë të çmimeve të ushqimeve ishin të larta, kryesisht për shkak të ndikimit të mundshëm të krizës në çmimet e energjisë dhe kostot e transportit. Tek ne, ky shtim çmimesh në ushqime rezultoi shumë i kufizuar.
Si i shpëtuam krizës së dyfishtë naftë-energji elektrike?
Një nga faktorët më pak të diskutuar, por me ndikim real, ishte shtimi i prodhimit të energjisë nga burimet fotovoltaike. Në katër vitet e fundit 2021-2025, energjia nga dielli është rritur pesë herë, nga 1.9 përqind në 9.8 përqind!
Arsyet pse i shpëtuam lakut të dyfishtë çmim i rritur nafte dhe çmim i rritur energjie elektrike, që e kemi patur krizave të mëparshme, si ajo e shkurtit 2022 nga agresioni i Putin në Ukrainë, ishin:
Së pari, rritja e prodhimit të energjisë diellore uli varësinë nga energjia e importuar. Në një moment kur tregjet ndërkombëtare të energjisë përballeshin me pasiguri, kapacitetet vendase nga fotovoltaikët ndihmuan në stabilizimin e furnizimit me energji elektrike. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në frenimin e rritjes së kostove për prodhuesit dhe përpunuesit e ushqimeve.
Së dyti, kostot më të qëndrueshme të energjisë reduktuan presionin mbi zinxhirin ushqimor. Prodhimi, magazinimi dhe transporti i produkteve ushqimore janë të lidhura ngushtë me çmimin e energjisë. Duke qenë se energjia elektrike nuk pësoi rritje, bizneset nuk patën arsye të forta për të reflektuar rritje të menjëhershme në çmime.
Një tjetër element është rritja e investimeve në energji të rinovueshme nga vetë bizneset. Shumë subjekte, sidomos në sektorin agro-përpunues dhe tregtar, kanë instaluar panele diellore në vitet e fundit dhe kanë futur makinat elektrike në transport. Kjo u ka dhënë atyre një lloj “mburoje” ndaj luhatjeve të çmimeve të naftës gjatë krizave ndërkombëtare.
Së katërti, ndikimi indirekt i fotovoltaikëve në inflacion ka qenë i rëndësishëm. Duke ulur presionin mbi kostot energjetike, ata kanë kontribuar në mbajtjen nën kontroll të inflacionit të përgjithshëm, përfshirë edhe çmimet e ushqimeve.
Së pesti, ky faktor është kombinuar me elementë të tjerë si mbiçmimi i lekut, diversifikimi i importeve dhe prodhimi vendas bujqësor, duke krijuar një efekt të përbashkët stabilizues.
Ja përse shtimi i prodhimit të energjisë nga fotovoltaikët ka luajtur një rol të rëndësishëm në zbutjen e efekteve të krizës nga lufta në Iran dhe tensionet vijuese në Lindjen e Mesme mbi çmimet e ushqimeve në Shqipëri. Ai ka ndihmuar në stabilizimin e kostove, në mbështetjen e bizneseve dhe në ruajtjen e një niveli më të qëndrueshëm të çmimeve për konsumatorët, duke treguar rëndësinë strategjike të energjive të rinovueshme për ekonominë.
Pse “u çmend” domatja?
Çmimet e atyre pak mallrave ushqimore të rritura ndjeshëm, si domatja, nuk janë të lidhura me naftën dhe energjinë elektrike. Çdo domate apo produkt tjetër i prodhuar nga Shqipëria apo nga importi, Turqia apo Greqia, nuk është i impaktuar nga çmimet e sotme të naftës nga 28 shkurti e në vijim. Përveç se pak në transporte, por jo në përpunim dhe prodhim.
Tashmë ka nisur të dalin në treg edhe prodhimi shqiptar, pra kryesisht domate dhe pak të tjera, me çmime shumë të larta. Këto çmime nuk ndikohen as nga Ngushtica i Hormuzit, as nga nafta. Domatet këto dy javët e fundit janë shitur me shumicë nga fermerët sipas varietetit, nga 200, 220, 250 dhe deri në 350 lekë për kilogram. Javën e fundit çmimi u ul ndjeshëm.
Kjo nuk ka lidhje me naftën, as me rritjen e çmimeve të inputeve bujqësore, por me faktin që fermerët u përmbytën dy herë këtë vit, u dëmtuan dy herë prodhimet e tyre dhe nuk u subvencionuan, as nuk u mbështetën financiarisht. Me domaten e “çmendur”, ata po rekuperojnë humbjet e dy përmbytjeve.
Komente











Kush ja ble domaten qypave tan me ate cmim? Ka domate egjipti e turke me gjysem cmimi sa per pesticide jemi mesuar ne sna bejn me keq hahah .kan fillu katunaret tan duke thon ska treg Po normale 1.8 euro domatja ne gjermani 2500 ne tr .ishalla u kalben tu pin longun
Përgjigju