Fatos Çoçoli: Shqetësimet e ligjshme për energjinë

Fatos Çoçoli: Shqetësimet e ligjshme për energjinë

Foto ilustruese

Po afron data 1 tetor dhe me të, edhe shqetësimet e qytetarëve, sidomos të familjeve të varfëra dhe me të ardhura modeste. Shqetësimi është i ligjshëm dhe i natyrshëm, sepse bëhet fjalë për një mall dhe shpenzim jetik të familjeve tona. Për perspektivën e ngrohjes në dimër, në rradhë të parë të fëmijëve dhe të moshuarve. Dhe ky shqetësim i ligjshëm duhet ta dijë të plotë të vërtetën.

Janë 140 mijë familje të varfëra dhe me të ardhura shumë të pakta tek ne. Ose mbi 700 mijë vetë. Janë mbi 200 mijë familje me të ardhura modeste. Ose rreth 1 milionë qytetarë. Pasiguria e përballimit të të ftohtit të dimrit 2022-2023, për shkak të shtimit të çmimit të energjisë elektrike nga 1 tetori 2022, përtej fashës së mbrojtur 800 kilovat-orë, është e lartë. Dhe me të drejtë.

Shpenzimet familjare për energji

Krejt ndryshe nga ç’ndodh në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe në të gjitha shtete e Bashkimit Evropian, qytetarët e të cilëve kanë ngrohje qendrore me energji nga termocentralet dhe kaldajat, në ditët tejet të ftohta të dimrit, rreth 80 përqind e shpenzimeve te familjeve tona shkon për t’u ngrohur me elektricitet.

Energjia elektrike ka qenë mjeti i vetëm për t’u ngrohur në qytetet tona, edhe për familjet e varfëra dhe me të ardhura të pakta, ndërsa soba e drurit tashmë mbijeton vetëm nëpër fshatra të largët.

Mburoja e hekurt qeveritare

Në tre muajt e fundvitit të kaluar tetor-dhjetor 2021, buxheti i Shtetit shpenzoi 120 milionë euro më tepër për të blerë energji nga importi, për shkak të çmimeve të çmendura. Nga 1 janari 2022 e deri në mesin e shtatorit, Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka importuar 340 milionë euro energji elektrike me çmime 4-7 herë më të larta se çmimet e importit të së njëjtës periudhë një vit më parë. Buxheti i Shtetit ka përballuar importin me 240 milionë euro më shumë se sa buxheti i një viti normal.

Nga 3 tetori 2021 e deri tani, çdo familje shqiptare është subvencionuar nga buxheti me 87 euro në muaj, për konsumin e saj të energjisë elektrike, pa e rritur nivelin 9.5 lekë për kilovat-orë. Kjo mbështetje buxhetore ka kushtuar në këto 12 muaj e gjysëm 360 milionë euro ose mbi 110 euro për çdo qytetar që sot jeton në Shqipëri.

Nga përmasat për frymë të mbështetjes buxhetore, vendi ynë renditet i dyti në Evropë, në pagimin me paratë e buxhetit të diferencës së çmimit të tregut, me atë të konsumit familjar.

Arsyet e fashës 800 kWh

Në rast se kemi rreshje të bollshme dhe çmimi në tregjet ndërkombëtare bie, fasha prej 800 kWh do të hiqet nga 1 janari 2023. Por tani është e domosdoshme të qëndrojë.

Po pse? Së pari, fasha garanton mos-sjelljen e fantazmës së gjeneratorëve me mazut që të zhurmojnë në çdo cep rruge e pallati, si në dimrin e vitit 2006. Pra, mos-ardhjen e kufizimeve të energjisë elektrike. Për këtë na duhet, krahas shirave të shtator-dhjetorit 2022, edhe disiplinim në shpenzimin e energjisë dhe ndjenjë kursimi.

Së dyti, fasha vlen edhe për disiplinimin e harxhimit të energjisë elektrike dhe ndërgjegjësimin e pasjes së shtëpive me dyer e dritare të puthitura mirë, për t’i ngrohur me sa më pak energji. Kush do të shpenzojë energji jo për gjërat më të domosdoshme, do ta ketë kilovat-orën, duke filluar nga kilovat-ora e 801-të, 4.5 herë më të lartë, ose 42 lekë. Është morali i vijimit të ndihmës për të varfërit dhe familjet shqiptare modeste e me të ardhura të mesme, pa rrënuar buxhetin e shtetit.

Së treti, fasha 800 kilovat-orë, duke filluar nga 1 tetori, do të disiplinojë dhe ulë ndjeshëm shpenzimin e kotë dhe shpërdorimin e energjisë nga familjet tona, sidomos ato me të ardhura të mesme. Ne shpërdorojmë gati një të pestën e energjisë që prodhojmë, pra mbi 600 milionë euro, me çmimet e sotme. Këtë nuk mund kurrsesi t’ia lejojmë më vetes. Qeveria po lëviz në këtë drejtim. Sistemi i transmetimit të energjisë garanton aftësinë të mbulojë çdo kërkesë për energji nga konsumatorët shqiptarë, biznese apo familjarë. Sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë ka marrë masa për t’u mbrojtur nga sulme të mundshme kibernetike, që do të donin ta zhysnin vendin në errësirë. Seicili institucion shtetëror do të ketë një administrator energjie, që ka për detyrë të kursejë energji, të ndalojë shpërdorimin e saj në institucion dhe të ulë shpenzimin e energjisë me një mesatare 15 përqind. Nuk do të ishte keq nëse do të vendosnim edhe sanksione të forta për shpërdoruesit publikë të energjisë, me gjoba deri në disa rroga mujore. Por edhe pa gjobat dhe sanksionet, KESH është i bindur se në rast se qytetarët bashkëpunojnë dhe kursejnë energjinë(të ndihmuar dhe motivuar nga vendosja e fashës 800 kWh), si dhe nëse do të kemi rreshje gjatë nëndorit e dhjetorit, mund të na rezultojë një gjendje e mirë e Kaskadës së Drinit dhe prodhim me shumë më pak nevojë dhe domosdoshmëri importi.

Shqetësimet e ligjshme qytetare

Tani, me fashën 800 kWh dhe rritjen e çmimit gati pesë herë përtej fashës, shqetësimi se mos fëmijët dhe të moshuarit i lënë pa ngrohje në dimër është më i pranishëm se kurrë. Ç’duhet bërë që ky ushtar frike të largohet? Dhe familjet e varfëra, me të ardhura të pakta dhe të ardhura modeste nisin dhe mendojnë. Me plot të drejtë.

Një mënyrë mund të jetë t’i gjendet ana faturuesit të OSHEE-së në lagje dhe të paguhet nën dorë, që edhe nëse familja konsumon, fjala vjen, një mijë e dyqind kWh, ta shënojë në faturë 820 kwh(ta ketë kaluar pak cakun, që të mos dyshohet).

Një mënyrë tjetër është t’i vihet tel sahatit matës, që të rregjistrojë më pak. Kjo mënyrë ka rrezik se mund të zbulohet nga kontrollet, por nga e keqja ç’nuk bën njeriu.

Mënyra e tretë, më e ndershmja, është të lihen pa punë furnelat dhe rezistencat elektrike, për t’ia lënë vendin sobës tradicionale me dru. Edhe kjo ka vështirësitë e saj, sepse metri kub i drurit është shtrenjtuar shumë dhe mund të mos gjendet, edhe nëse gjen sobën e vjetër në tregun e mallrave të përdorura, apo blen një sobë druri të re (ndoshta importi i sobave të drurit do të rritet).

Ky është shqetësimi më i fortë dhe i qenësishëm dhe për këtë qeveria duhet të përgatitet seriozisht, që familjeve të varfëra dhe me të ardhura të pakta, kur kanë më shumë se tre anëtarë të familjes, t’ua subvencionojë energjinë me të paktën 3-4 mijë lekë të reja në muaj, për muajin dhjetor, kur koha ftohet vërtet shumë.

Nëse fasha do të vazhdojë edhe në muajt janar-shkurt 2023, për shkak të dimrit të thatë dhe çmimeve ndërkombëtare të paulura, subvencioni duhet të vijojë njëlloj edhe për këta muaj. Për fat të mirë, e gjithë kjo javë do vijojë me shira të rrëmbyeshëm dhe perspektiva e heqjes së fashës nga 1 janari 2023 sa vjen e po forcohet.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Rithemelimi propozon rikthimin e koalicioneve të vjetra, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”

Asgjë e re nga fronti i Perëndimit për të korruptuarit dhe “non gratat”