Fatos Çoçoli: Situata energjetike dhe sfida e muajve të ftohtë, a do kemi fashë në janar?

Fatos Çoçoli: Situata energjetike dhe sfida e muajve të ftohtë, a do kemi fashë në janar?

Foto ilustruese

Me futjen në qerthullin e tre muajve më të ftohtë të vitit, dhjetor 2022-shkurt 2023, lugati i fashës 800 kilovat-orë për energjinë elektrike që harxhojmë në shtëpitë tona, ka nisur të na fanepset sërish. Për fat të mirë, ranë shira të furishëm në datat 19-20 nëntor. Edhe pse, për fat të keq, përmbyten mijëra hektarë tokë në Shkodër dhe Lezhë dhe detyruan largim nga shtëpia për dhjetëra familje, shirat arritën të kandisin qeverinë tonë të mos na vendosë fashë për dhjetorin.  

Fasha dhe liqeni i Fierzës

Mirëpo, në dimër harxhojmë tre të katërta të energjisë më shumë, vetëm për ngrohje. Dimri ka nisur dhe, brenda 10 ditëve, çmimi i blerjes së energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare u rrit me 79 përqind! Më datën 20 nëntor ishte 221 euro për megavat-orë dhe tani nuk e gjen më lirë se 396 euro për megavat-orë. 

Jemi vendi i vetëm në Ballkan dhe ndër të rrallët në Evropë, që ngrohemi në dimër në 90 përqind të familjeve tona, me energji elektrike, dhe jo me gaz apo ngrohje qendrore me ujë të ngrohtë nga termocentralet (10 përqindëshi tjetër i familjeve tona, në zonat e largëta rurale, ngrohen me soba druri). Ja përse është shumë e rëndësishme që dimri të na gjejë me liqenin e Fierzës të mbushur.

Fierza është hambari i prodhimit tonë të energjisë elektrike(jep 46 përqind të prodhimit vendas dhe, së bashku me Vaun e Dejës dhe Komanin, 74 përqind të tij). Liqeni i Fierzës arriti më 25 nëntor në 280 metra lartësi, ose 3 metra mbi mesataren optimale të muajit nëntor.

Tabela 1. Pse importuam energji në mes të shiut (19 nëntor)?

ARSYET:

1.Duhej mbushur liqeni i Fierzës!

•Të mërkurën dt. 18 nëntor (pa nisur shiu) në Fierzë dukeshin rrënojat e Kukësit të vjetër.

Niveli i liqenit:

-18 nëntor(para përmbytjes)      266 m( 24 m mbi nivelin ku HC nuk punon më)

-21 nëntor(gjatë përmbytjes)     273 m

-26 nëntor(pas përmbytjes)        280 m

Niveli optimal në çdo nëntor:     277 metra

Liqeni i Fierzës: HAMBARI ENERGJITIK I SHQIPËRISË

Madhësia:                                           7,000 ha

Kapaciteti maksimal:                       3.2 miliardë m3 ujë

2. Ia vlente te blejë energji me çmim disi të ulët(11-19 nëntor çmimi 240-260 euro/megavat-orë, ose 65% përqind më i lirë se tani)

3. Me Fierzën plot, eksportuam energji! Datat 20-22, 23-25, 26-29  nëntor: KESH eksportoi energji mbi 9.3 milionë euro.

Korporata Elektrike Shqiptare eksportoi 9 milionë euro energji në datat 20-22, 23-25 dhe 26-29 nëndor. Megjithatë, më 19 nëndor, ditën e parë të shirave të furishëm që nisën përmbytjen në Shkodër dhe Lezhë, ajo ende importonte.

Sfida e muajve të ftohtë

Kemi përpara tre muaj të ftohtë dhe konsumi ynë familjar i energjisë elektrike do të rritet fort. Kjo është sfida reale më e rëndësishme që kemi këtë dimër.

Tabela 2. Sfida e muajve të ftohtë

1.            Kërcimi i frikshëm i çmimit në bursat ndërkombëtare

-              21 nëndor 2022                                221 euro/MWH (çmimi mesatar ditor)

-              2 dhjetor 2022                                  396  euro/MWH (çmimi mesatar ditor) ose 79% më shumë!

2.            Rritja e pritshme e konsumit të energjisë në muajt dhjetor 2022-shkurt 2023

-              Tetor 2022(muaj jo i ftohtë)               304,000 MWH

-              Dhjetor 2022                                      450-470,000 MWH 55% më shumë

-              Janar 2023                                         480-500,000 MWH 65% më shumë

-              Shkurt 2023                                        490-500,000 MWH 68% më shumë

Konsumi i energjisë do të rritet në dhjetor me 50-60 përqind më shumë se sa konsumi në muajin nëndor. Do të jetë 480 mijë megavat-orë. Në muajt janar-shkurt 2023, ky konsum do të rritet edhe më shumë. Kush do na e japë energjinë? Jemi të sigurt se Fierza do ta ketë liqenin plot me ujë dhe në fund të dhjetorit? A do të bien shira dëndur këtë muaj? Këtë e di vetëm Zoti.

Qeveria nuk e vuri fashën 800 kv-orë më 1 dhjetor. Dhe nuk kishte si ta vendoste, me Liqenin e Fierzës në nivele optimale dhe me Fierzën që prodhonte dhe përballonte nevojat e konsumit tonë, së bashku me Vaun e Dejës dhe Komanin. Po sa do të vazhdojë kështu? Nëse nuk bien shira të dëndur, metrat e shtuar në liqenin e Fierzës do të zerohen me shpejtësi dhe do të jemi të detyruar t’i drejtohemi importit. Dhe në import do të na presin çmime në nivele 400-500 euro për megavat-orë, pasi tendenca e çmimit të energjisë elektrike është të rritet, me shtimin e temperaturave të ulta në pjesën më të madhe të Evropës.

E largojmë dot fashën në janar-shkurt 2023?

Një mënyrë për të mos vënë fashën 800 kv-orë në janar 2023, është të kursejmë fort. Por a e kemi bërë këtë në muajt tetor dhe nëndor? A kemi shpresa për dhjetorin?

Qeveria thotë se institucionet shtetërore e kanë kursyer energjinë gjatë tetorit. Por në tetor, si dhe në nëntor, kemi parë dritat në rrugët e qyteteve tona kryesore, të llamburisin si në mes të bollëkut. Askush nuk mendon të blejë një sistem kontrolli të ndriçimit urban, që dritat të ndizen në këtë kohë të vështirë një në çdo tre llampadarë rrugëve, në mënyrë që qytetet të kenë ndriçim të mjaftueshëm të domosdoshëm, por jo ndriçim lluksi. Dakord dritat publike të zbukurimeve të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Por edhe ato mund të kenë rele elektronike, që të ndriçohen një në çdo tre prej tyre.

Tabela 3. Do kemi fashë në janar 2023?

JO! Nëse:

•Çmimi në bursat ndërkombëtare nuk shkon mbi 450 euro/megavat-orë (tani është 396 euro)

• Kursejmë fort si qytetarë

• Vijon kursimi në entet shtetërore (7% e kursimit të tetorit 2022 ishte e barabartë me 3.4 milionë euro, me çmimet e tetorit, në bursat ndërkombëtare)

• Bie shi dendur ne dhjetor

 PO! Nëse:

• Çmimi në bursat ndërkombëtare i kalon të 450 euro/megavat-orë (tani është 396 euro)

• Nuk kursejmë si qytetarë

• Vijon kursimi i vakët në entet shtetërore

Është periudhe kursimi, por duket se kjo fjalë më shumë përdoret si parullë, se sa si program konkret pune, si për qeverinë, dhe për qytetarët. Qeveria duhet të përgatisë urgjentisht dhe miratojë një Vendim të Këshillit të Ministrave, me një plan konkret regjim të rreptë kursimi për energjinë elektrike në shtet, të shoqëruar me gjoba shembullore, në se masat nuk respektohen. Gjobat, kur aplikohen në mënyrë të barabartë, e bëjnë një shtet. Administrata jonë publike mund të disiplinohet në përdorimin me nikoqirllëk të energjisë elektrike, vetëm nëse punonjësit e saj që kapen duke e shpërdoruar, e paguajnë me gjoba që mbahen nga rrogat e tyre!

Nuk ka rrugë tjetër. Nëse nuk kursejmë fort dhe si duhet, po të mos bien shira të dendur, gogoli i fashës 800 kv-orë për janarin 2023 mund të na rikthehet shumë shpejt.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Mirel Josa nuk është më trajneri i Besës! Pas 12 ndeshjesh në drejtim të ekipit kavajas ndërpritet marrëdhënia

Mirel Josa nuk është më trajneri i Besës! Pas 12 ndeshjesh në drejtim të ekipit kavajas ndërpritet marrëdhënia