Ish-kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar, Fatos Klosi shprehet se tashmë ka ardhur koha që dhe njerëzit që janë shfrytëzuar në kohën e diktaturës të përfshihen në politikë, pavarësisht se sipas tij nuk kanë dalë asnjëherë nga politika. Për të ka kaluar shumë kohë që nga shembja e diktaturës dhe se njerëzit duhet të vlerësohen jo më nga kaluara e tyre në kohën e diktaturës por nga puna që bëjnë, profesionalizmi i tyre e kontributi në komunitet. Për më tepër që për të, më i rëndësishëm ka qënë një sekretar byroje i PSSH për fakultetin e mjekësisë se sa një bashkëpuntor i thjeshtë i Sigurimit të Shtetit, duke aluduar për Berishën, ndërkohë që sipas tij qëndrimi ndaj tyre është me kute të ndryshme, njëri në politikën e lartë tjetri përndiqet. "Ka ish-bashkëpuntorë të Sigurimit të Shtetit, në politikë, në qeverisje dhe në Kuvend. Por për mua nuk ka asnjë problem. Eshtë kohë shumë e gjatë dhe nuk besoj se sjellin ndonjë dëm për vendin dhe shoqërinë. Ka vrasës dhe njerëz që kanë abuzuar me pushtetin dhe janë në politikë", ka qënë deklarata e papritur e ish-kreut të SHISH, Fatos Klosi dhënë dje për gazetën "Shqiptarja.com". Për të, më me rëndësi është sjellja dhe profesionalizmi i tyre dhe se tashmë koha e presionit mbi ta duhet të marrë fund njëherë e mirë, në mënyrë që të jenë dhe kjo kategori njerëzish si gjithë të tjerët. "Njerëzit duhet të marrin atë që u takon në bazë të asaj që kanë bërë dhe bëjnë në këto vite. Ata duhen çmuar nga puna që kanë bërë, që bëjnë dhe kontributi që mund të japin aty ku kanë qënë e mendohet se do jenë. Të shihet profesionalizmi i tyre tashmë. Mjaft më. Ka 22 vjet që veprohet dhe ushtrohet presion në këtë mënyrë", ka nënvizuar Klosi. Për të cilin kjo kategori njerëzish mund të jenë në të gjitha rangjet e qeverisjes së vendit. "Një nga kjo kategori njerëzish nuk ka asnjë problem që të jetë dhe dhe president, deputet, ministër apo kudo. S'ka asnjë problem. Mjafton të punojë, të jetë njeri që ka lënë shenjë diku në jetën e përditshme, profesionale dhe në komunitet. Kush ka qënë më i rëndësishëm në kohën e diktaturës, një sekretar byroje i PPSH i Fakultetit i Shëndetësisë apo një bashkëpuntor i Sigurimit të Shtetit? Sigurisht që një sekretar byroje i PPSH ka pasur në dorë dhe ka marrë vendime më të rëndësishme. Pse veprohet ndryshe me këta dhe kërkohet ndryshe të veprohet me ata që kanë qënë bashkëpuntorë të Sigurimit. Të cilët kanë qënë më të vegjël dhe më me pak ndikim", ka deklaruar në mënyrë të prerë ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi. I cili ka shkuar më tej në sqarimin e tij se tashmë ka ikur koha për t'u marrë me komisione verifikimi të figurës, qoftë për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2013, qoftë dhe për administratën shtetërore. "Për mua s'ka asnjë problem që të jetë në funksionet më të larta politike dhe shtetërore një njeri që ka dhënë dikur disa informacione për Sigurimin e Shtetit. S'ka sjellë dëme, ai mund të jetë president, deputet, kryetar qeverie, ministër etj. Kanë kaluar 22 vjet nga ardhja e demokracisë dhe s'besoj se përbëjnë ndonjë problem", është shprehur Klosi. Për të cilin tashmë rrugët janë të hapura për të gjithë qytetarët shqiptarë, pa dallim që të hyjnë në politikë.
/Shqiptarja.com








