Fatos Çoçoli: Ditari i ekonomisë shqiptare 1990-2022

Fatos Çoçoli: Ditari i ekonomisë shqiptare 1990-2022

Pak ditë më parë, në Sallën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u përurua Kolana me tetë libra për ekonominë, seicili voluminoz me mbi 500-600 faqe, që Akademiku i njohur Anastas Angjeli, ish-Ministër i Financave të Shqipërisë, i dhuroi kujtesës ekonomike të kombit tonë.

Arritje e mendimit ekonomik shqiptar

Nuk ka dyshim që Kolana përbën një arritje të patjetërsueshme të mendimit më të avancuar ekonomik shqiptar të kohës, e prodhuar nga një mendje sa vrojtuese aq edhe analiste, sa konkluduese aq edhe largpamëse. Tetë librat e saj janë tetë dëshmi të jashtëzakonshme, të mirë dokumentuara  dhe të detajuara të kalvarit të ekonomisë dhe shoqërisë sonë, nga tranzicioni i vështirë i viteve 1990-1998, për të ardhur në fundin e tranzicionit të gjatë dhe me Shqipërinë në portat e Evropës. Një udhëtim i mrekullueshëm në kohë për ekonominë tonë, i ngjizur me analiza të thella dhe tregues të pasur statistikorë, me një penë të lehtë në përshkrime dhe krahasime të shkencës së ekonomisë dhe financave publike dhe jo vetëm.

Në këtë udhëtim plot stacione arritjesh ekonomike, por edhe gropa dështimesh të vendit, kolana ndalet në “Tranzicionin dhe Stabilizimin Ekonomik 1998-2008”, në “Tranzicionin ekonomik drejt stacionit të fundit dhe krizën globale Shtator 2005-Qershor 2013”, në “Tranzicionin dhe Lirinë Ekonomike në Shqipëri”, në “Ethet e krizës, krizën globale , atë të Eurozonës dhe Shqipëria”, në “Reformat për zhvillim ekonomik dhe social”, në “Përballjen me krizën e koronavirusit dhe pasojat e tërmetit. Këto stacione janë dhe titujt e gjashtë nga tetë librat e kolanës, për të arritur tek libri përfundimtar, kushtuar fundit të tranzicionit dhe Shqipërisë në portat e Evropës.

Udhëtim i jashtëzakonshëm në majat dhe honet ekonomike të vendit

Udhëtimi përmes analizave të ekonomisë sonë në më shumë se tre dekada, pasi përshkruan të gjitha vështirësitë e tranzicionit tonë të gjatë, mangësitë dhe privacionet, eksodin e jashtëzakonshëm të emigracionit ekonomik me përmasa gati biblike, përfundon me nota optimiste dhe me një perspektivë të qartë për të ardhmen ekonomike të vendit. Fuqia e këtij “Ditari të Tranzicionit Ekonomik”, është se jo vetëm që shërben si një fill lidhës për të gjithë narrativën e shndërrimeve tona ekonomike në këta 33 vite tranzicion(1990-2022), por dhe se ka ditur të kapë të plota arësyet objektive të këtyre shndërrimeve, për të analizuar arritjet dhe dështimet, për të evidentuar shanset e humbura, por edhe për të dhënë prognozën e një zhvillimi, këtej e tutje, të bazuar në avantazhet krahasuese të vendit, në reforma strukturore të terezitura si duhet dhe në qeverisjen e mirë të tij.

Në kolanë ndihet qartë pulsi i gjithë vendimarrjes ekonomike shqiptare dhe i gjithë sfidave që kaloi Shqipëria për të arritur deri këtu ku është. Vepra ka tre përmasa shumë të gjera të dëshmive të detajuara historike për ekonominë tone, përmasën e kërkimit dhe deduktimit shkencor, si dhe atë të politikëbërjes në fushën e ekonomisë dhe financave publike. Të tre këto aspekte i japin kolanës një vlerë unikale në historinë e mendimit tonë ekonomik.

Kolana, “Eldorado” për studentët dhe të apasionuarit e ekonomisë

Të tetë librat janë produkt i një autori, por në shkrimin dhe konceptimin e saj, kolana shfaqet si një kaleidoskop i gjerë dhe shterues i zhvillimeve ekonomike të vendit në 33 vitet e fundit 1990-2022. Ky ditar i tranzicionit ekonomik rrok një periudhë të papersëritshme të ekonomisë e historisë shqiptare, atë të tranzicionit, që rezultoi më i vështiri, i shoqëruar me dukuri e eksperimente të panjohura më pare.

Në këto zhvillime, autori ka qenë protagonist e oponent, sipas rastit, i reformave të thella a të veçanta, që janë ndërmarrë gjatë kësaj periudhe. Ai ka njohur nga afër si arsyet ekonomike, ashtu dhe koniukturat politike që kanë ndikuar në zgjidhjet, zgjedhjet, reformat strukturore apo në masat thelbësore të ndërmarra ndër vite për ekonominë tone.

Ja përse kolana është jo vetëm ditar e dëshmi me vlerë i tre dekadave aktivitet intensiv pune kërkimore-shkencore të autorit në fushat akademike, mediatike, institucionale, qeverisëse, intelektuale e qytetare, por edhe ditar i mirëfilltë i ekonomisë shqiptare 1990-2022.

Ajo do të shndërrohet shumë shpejt në “Eldorado” jo vetëm për studentët e programeve bachellor dhe master të ekonomisë, por edhe për të gjithë të apasionuarit pas shkencës së bukur të ekonomisë dhe financave publike.  

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

‘Rama është koka e korrupsionit’, Basha: Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe një qeveri që lufton seriozisht korrupsionin që e ka bërë vendin të pajetueshëm

‘Rama është koka e korrupsionit’, Basha: Shqipëria ka nevojë për ndryshim dhe një qeveri që lufton seriozisht korrupsionin që e ka bërë vendin të pajetueshëm