Manchester United vijon të paguajë shtrenjtë lëvizjet në pankinë. Klubi anglez ka konfirmuar zyrtarisht se shkarkimi i trajnerit Ruben Amorim dhe stafit të tij mund të arrijë në mbi 18 milionë euro.
Shifra është bërë publike në një dokument për investitorët në New York Stock Exchange, ku 'Djajtë e Kuq' janë të listuar. Sipas deklaratës, një parashikim prej 15.9 milionë paundësh (rreth 18.1 milionë euro) do të regjistrohet në bilancin financiar të gjysmës së dytë të vitit që mbyllet më 30 qershor 2026, si kosto për ndërprerjen e kontratave.
Shuma përfundimtare do të varet nga disa kushte kontraktuale, ndërsa llogaritë zbulojnë edhe një tjetër detaj; në vitin 2024, United pagoi 6.3 milionë paund (7.2 milionë euro) te Sportingu i Lisbonës për të liruar Amorimin.
Fakti që klubi është i kuotuar në bursë e detyron të publikojë të dhëna të detajuara financiare, shifra që zakonisht mbeten konfidenciale në botën e futbollit.
Ndryshimet në stol po rezultojnë një luks i kushtueshëm për gjigantin anglez. Vetëm një vit më parë, Manchester United pagoi 10.4 milionë paund (11.9 milionë euro) për largimin e paraardhësit të Amorim, Erik ten Hag dhe stafit të tij.
Komente





