Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka njoftuar se po e ndjek me vëmendje situatën në Lindjen e Mesme, pas nisjes së sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, por edhe pas kundërpërgjigjes së Teheranit.
Përmes një njoftimi për mediat, Ministria e Jashtme bën të ditur se që prej mëngjesit të sotëm është në kontakt me autoritetet e vendeve të rajonit përmes përfaqësive diplomatike shqiptare.
Pas mbylljes së hapësirës ajrore në vendet e Gjirit, Ministria e Jashtme u ka kërkuar qytetarëve shqiptarë që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe që të ndjekin udhëzimet e sigurisë nga autoritetet lokale dhe të shmangin daljet e panevojshme nga banesat.
Po ashtu, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme ka vënë në dispozicion të qytetarëve shqiptarë edhe numrin e emergjencës së Ambasadës së Shqipërisë në Abu Dhabi, i cili është +971 50 980 7881.
Kujtojmë se mediat e huaja raportuan më herët se Irani kreu sulme ajrore edhe në Dubai, pjesë e Emirateve të Bashkuara Arabe, ku ndodhen shumë shqiptarë.
Njoftimi i Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme:
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, vijon të ndjekë me vëmendje situatën në Lindjen e Mesme dhe prej mëngjesit të sotëm është në kontakt me autoritetet e vendeve të rajonit përmes përfaqësive diplomatike shqiptare.
MEPJ iu kërkon të gjithë shtetasve shqiptarë në Emiratet e Bashkuara Arabe të jenë të kujdesshëm duke shmangur daljet e panevojshme dhe duke ndjekur udhëzimet e sigurisë nga autoritetet lokale.
Hapësira ajrore e Emirateve të Bashkuara Arabe, ashtu si ajo e të gjitha vendeve të Gjirit, është e mbyllur përkohësisht si pjesë e masave për interceptimin e sulmeve.
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Abu Dhabi është në dispozicion të qytetarëve shqiptarë rezidentë në Emiratet e Bashkuara Arabe për çdo informacion, nevojë apo emergjencë, përmes kontaktit të emergjencës +971 50 980 7881.
Lajmi kryesor:
Sulmi amerikano-izraelit në Iran, Rama: Shqipëria do ta shpallë organizatë terroriste Gardën Revolucionare! Pamë fytyrën barbare të regjimit të Teheranit përmes agresioneve kibernetike







