TIRANE - Të gjitha familjet shqiptare, të cilat kanë fatura të pashlyera të energjisë elektrike dhe janë prej vitesh debitore, do të kenë ulje deri në 80 % të kamatëvonesave nëse i shlyejnë këto fatura të prapambetura deri më 1 Mars të vitit 2015. Vendimi është marrë nga Këshilli Mbikëqyrës i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.

Ishte ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, i bëri publik për herë të parë këtë vendim, i cili ka hyrë në fuqi nga 1 Dhjetori.  Gjiknuri tha se në rast se familjet në nevojë nuk kanë mundësi të paguajnë të gjitha borxhet në total bashkë me kamatvonesë, do të kenë mundësinë t’i shlyejnë pagesat e prapambetura me anë të kësteve duke filluar nga 2500 lekë në muaj.

Sakaq, sipas vendimit të OSHEE, familjeve me ndihmë ekonomike, do t’u krijohet mundësia për të paguar këste më të vogla duke nisur nga 10 mijë lekë në muaj. 

Por nga ana tjetër, ministri u shpreh i qartë kur tha se për biznesin nuk do të ketë asnjë tolerim përballë faturave të pashlyera të energjisë elektrike. Sipas Gjiknurit, me këto mundësi që i jepen konsumatorit familjarë të energjisë, synohet që për 2 vite të mos ketë më debitorë.

Deklarata erdhi ndërsa ministri inspektoi aksionin e OSHEE kundër lidhjeve të paligjshme të energjisë në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë.