Epidemiologu kryesor amerikan, Anthony Fauci dhe këshilltari kryesor mjekësor i Presidentit Joe Biden vlerëson se një pandemi kalon nëpër 5 faza dhe se bota ndodhet vetëm në fazën e parë të pandemisë së COVID. Faza e parë e pandemisë, ose "pandemia e vërtetë", sipas Fauci-t, është një periudhë në të cilën "e gjithë bota ndikohet shumë negativisht, sikurse për momentin," tha ai në një konferencë të Forumit Ekonomik Botëror.
Faza e parë pasohet nga ngadalësimi dhe konkretisht ngadalësimi i numrit të rasteve pozitive. Në shumë vende ku mbizotëron mutacioni Omicron, shpërthimi i rasteve u pasua me depërshkallëzimin. Në Afrikën e Jugut, vala e katërt e pandemisë Omicron zgjati vetëm tre javë gjithsej, ndërsa në Britani shtrimet në spital kanë filluar tashmë të bien, pas një muaji.
Faza tjetër është kontrolli ose ajo që disa e quajnë endemi. Kjo do të thotë që COVID-19 do të integrohet në gamën e gjerë të sëmundjeve infektive që përjetojmë zakonisht, si gripi apo ftohja e zakonshme.
"Kontrolli do të thotë se virusi është i pranishëm, por në një nivel që nuk shqetëson shoqërinë," tha Fauci, i cili shpreson se kjo do të ndodhë. I pyetur nëse Covid-19 do të bëhej endemik në 2022, Fauci tha: "Nuk e dimë".
Pas kontrollit vjen eliminimi. Sipas Fauci-t, eliminimi i një pandemie ndodh kur virusi është ende i pranishëm në botë, por është zhdukur nga rajone ose vende të caktuara. Fauci citon shembullin e poliomielitit , i cili është zhdukur nga shumë vende në glob. Njerëzit janë ende shumë larg arritjes së kësaj me COVID, thonë shkencëtarët.
Faza e fundit është çrrënjosja , por që është pothuajse e pamundur të arrihet.
Fauci vëren se lija ishte e vetmja sëmundje infektive njerëzore e çrrënjosur ndonjëherë, teksa për COVI u shpreh: "Kjo nuk do të ndodhë me këtë virus."