Fejohet Lirita e BB2

Fejohet  Lirita e BB2
Ishte një nga banoret më karizmatike në shtëpinë e famshme të ''BB''. Kosovarja Lirita Halili ka vendosur t'i jap fund beqarisë duke u fejuar me të dashurin e saj Atdhetar Ibrahimin, me të cilin ka qenë në lidhje prej një kohe të gjatë. Ajo tashmë ka ndërruar krejtësisht jetën e saj, nuk merret me spektakël por është inkuadruar në gazetarinë hulumtuese, madje shkrimet e saj po bëjnë shumë bujë në mbarë Kosovën.

Lirita si u njohët me Atdhetarin, e njihnit para se të fillote aventura juaj në BB?

Prej tre vitesh isha në një lidhje të qëndrueshme me Atdhetarin. Ne të dy njiheshim para se unë të futesha në Big Brother, sapo patëm filluar të dilnim së bashku. Atdhetarin e njoha përmes Facebook-ut. Ishte kjo arsyeja pse në atë periudhë nuk isha e sigurt, nuk e dija se çfarë do të bëhej me mua pasi sapo u njoha me të mora lajmin se tashmë isha pranuar në BB. Megjithatë e ndjeja se mes meje dhe Atdhetarit do të lindte diçka, të mos gënjej më pëlqente shumë, shumë, shumë...(qesh)

Çfarë ju tërhoqi më shumë tek ai dhe çfarë i premtuat njëri-tjetrit?

Ishte mashkulli tipik i ëndrrave të mia, kishte të gjitha ato tipare që unë i doja tek një mashkull. Gjitha këto zhvillime në fillimet e mia të dashurisë me të ishin vetëm një javë para se unë të nisesha në Tiranë, prandaj i premtova që kur të dilja do t'i merrnim gjërat më seriozisht. Edhe ai më premtoi që do më priste....

Përjetuat emocione gjatë qëndrimit në shtëpi, po më pas kur dolët çfarë ndodhi?

Unë e di çfarë kam hequr gati dy muaj e mbyllur në shtëpi. E dija që ai më shihte ndërsa unë nuk e kisha të njëjtin komoditet. Megjithatë kjo periudhë kaloi shpejt. Ditët më të bukura me të i kalova pasi dola nga shtëpia. Unë udhëtoja çdo javë për në Tiranë dhe çdo fundjavë e kisha Atdhetarin pranë. Ishte kjo periudha e cila më lidhi edhe më shumë me të.

Fejesa juaj është bërë pas 3 vite lidhjeje intensive dhe pikërisht në ditën e ditëlindjes tuaj?

Dhe kështu kaluan tri vite të paharruara të lidhjes sonë, deri ditën e 20 shtatorit të këtij viti, kur ai dhe unë vendosëm ta hedhim një hap më tutje në lidhjen tonë. E kurorëzuam dashurinë me nga një unazë. U fejuam. Kjo ishte dhurata më e bukur e jetës sime që më është bërë nga
dikush për ditëlindje. Sepse fejesa ndodhi pikërisht në ditën kur unë mbusha 26 vjeç.

Kush vendosi që ju të fejoheni dhe si është bërë ceremonia e fejesës?

E vendosëm të dy bashkë, në fakt e kemi menduar shpesh fejesën, por duke bërë plane Atdhetari më propozoi që këtë ditë, datën kur unë festova ditëlindjen ta kurorëzoja edhe me një festë tjetër. Këtë ditëlindje nuk e harroj kurrë e përjetë. Sepse zakonisht këtë datë gjithmonë e ndajmë vetëm unë dhe ai, dalim vetëm. Kësaj here ndodhi e kundërta. Me ne të dy festuan edhe 16 persona të tjerë, familja ime e ngushtë dhe familja e Atdhetarit. Në fakt këtë ditë më përcollën familjarët që nga mëngjesi e deri në mbrëmje. Pasi fejesën e bëra në mënyrë tradicionale. Para ores 12:00 në shtëpinë time erdhi babai dhe vëllai i i Atdhetarit të kërkonin dorën time tek babai im. Kështu i kemi zakonet ne në Kosovë. Pasi përfundoi kjo ceremoni filluan urimet. Të gjithë harruan se unë kam ditëlindjen duke më uruar fejesën. Kështu ndodhi deri në mbrëmje. Unë dhe tashmë i fejuari im organizuam një darkë në një restorant në periferi të Prishtinës.

Keni ndërruar edhe unazat, është hera e parë që ju mbartni një unazë pasi flitet se jeni alergjike ndaj tyre?

Aty i ndërruam edhe unazat. Kjo ishte pjesa më e bukur e ditës. Që nga ai moment, unë Lirita Halili, që për të tjerët jam Lirita e Big Brother, mbart një unazë në gishtin tim, për herë të parë në jetën time. Po e them këtë se të gjithë që më njohin e dinë se unë nuk i duroj dot unazat, ndonjëherë ato më krijojnë edhe alergji. Por ja që kur e di se kjo unazë nuk është si ato tjerat dhe kur e di që është shenjë e dashurisë mes meje dhe Atdhetarit, po e mbart pa pikë problemi.

Si do të vazhdojë jeta juaj tani e në vazhdim?

Sidoqoftë ky ishte një përshkrim vetëm për fejesën. Shpresoj që në një të ardhme të afërt ta keni një rrëfim të tillë edhe për martesën tonë. Aktualisht plane nuk kemi të martohemi, por ja që gjërat e bukura vijnë pa bërë plane. Ku i dihet...ndoshta datën për martesën tonë e cakton doktori (qesh). Por edhe nëse ndodh kjo, ajo ditë (martesa) e largët apo e afërt, do të jetë dita që unë e ëndërroi pasi jam në lidhje me Atdhetarin. Në mendje i kam bërë të gjitha planet, çfarë fustani të bardhë do të vesh, ku do t'i bëj fotot me fustanin, madje edhe sa fëmijë do t'i kem. Pavarësisht se akoma nuk jemi marrë vesh mirë me Atdhetarin për numrin e saktë të fëmijëve, pasi ai i do më shumë se 4 e unë i dua vetëm 3.(qesh)

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)

'Lëre detyrën e bëj si themi ne!' Polici bashkiak i Vlorës dhunohet se gjobiti furgonin e linjës! Zbardhet dëshmia, tregon dhunuesit (EMRAT)