BRAZIL - Barazimi dramatik me ekipin e Anglisë në ndeshjen miqësore në stadiumin ‘Maracana’ ka nxjerrë në pah edhe njëherë problemet e Brazilit duke treguar se akoma nuk është gati për të konkurruar denjësisht në finalet e Kupës së Botës që do të zhvillohet vitin tjetër.

Brazili si vend organizator i finaleve të Botërorit 2014 po bën gjithçka që të fitojë këtë trofe, pasi kompeticioni zhvillohet në shtëpi dhe se ka disa edicione të finaleve që nuk e fiton. Hera e fundit që Brazili ka fituar kampionatin botëror ka qenë në 2002 në Japoni dhe Kore.

Më tej pa filluar dominimi spanjoll. Por Trajneri i Brazilit Skolari, ai që i dha trofeun e fundit ‘Selecaso’ beson se ekipi do të jetë gati për shkruar historinë në 2014. “Ndeshja me Anglinë nxori në pah disa probleme që duhet ti rregullojmë sa më shpejt, pasi nuk kemi shumë kohë në dispozicion.

Brazili akoma nuk është gati për të konkurruar ashtu sikur duhet në finalet e kompeticionit. Ne po punojmë fort që të ngrejmë lojën e ekipit në nivelin që të gjithë e presin. Ekipi ka shumë kapacitete, të cilat duhet të lidhin lojën mes tyre për të treguar forcën dhe potencialin e vërtetë në fushë.

Unë kam besim që shumë shpejt do të shihni në fushë një ekip që do të dominojë. Prova e parë është Kupa e Konfederatave që fillon pas pak ditësh. Spanja mbetet ekipi që duhet të mposhtet. Mendoj që do të dhurojë shumë spektakël ky kompeticion” përfundon Skolari.

Ndërsa në kampin tjetër Spanja, kundërshtari kryesor, duket se është gati. Ekipi ka udhëtuar në Brazil i plotë dhe po bën përgatitjet e fundit për Kupën e Konfederatave që do të fillojë me 15 qershor.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 04.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)