Fëmijët e Gazës do të propozohen për Çmimin Nobel për Paqen 2026.

Kjo nismë e jashtëzakonshme, e nisur nga shoqata joqeveritare italiane “L’Isola che non c’è”, ka mbledhur tashmë qindra mbështetje nga intelektualë, politikanë, profesionistë dhe universitete italiane.

Në këtë projekt, ideuar nga gazetari Franco Giuliano, ka vendosur të bashkohet edhe grupi mediatik shqiptar i përbërë nga Report Tv dhe Shqiptarja.com, si mbështetësi i parë ndërkombëtar i një iniciative që shpresohet të gjejë përkrahje edhe përtej kufijve të Italisë.

Në zemër të konfliktit më të ashpër të kohës sonë, po rritet një brez nën rrethim, i privuar nga çdo e drejtë themelore: e drejta për arsimim, shëndetësi, mbrojtje dhe liri.

Fëmijët e Gazës nuk janë vetëm viktima. Ata janë simbole të gjalla të një shprese që reziston, të një njerëzimi që mbijeton përkundër padrejtësisë sistemike dhe dhunës së verbër.

Pavarësisht se kanë parë të shkatërrohen shtëpitë, familjet dhe shkollat e tyre, këta fëmijë vazhdojnë të vizatojnë paqen mbi mure, të ëndërrojnë një të ardhme më të mirë, të kërkojnë me zërin e tyre të brishtë atë që shpesh u mungon të rriturve: aftësinë për të imagjinuar pajtimin.

Kjo kandidaturë nuk është vetëm një akt simbolik. Është një thirrje morale. T’u jepet Çmimi Nobel për Paqen fëmijëve të Gazës do të thotë:

-Të njihet vuajtja e tyre e pafajshme;

-Të pohohet se çdo fëmijë, kudo në botë, ka të drejtë për paqe;

-Të thirret Bashkësia Ndërkombëtare në përgjegjësinë e saj kolektive ndaj atyre që nuk mund të mbrojnë veten.

Çmimi Nobel për Paqen për fëmijët e Gazës do të ishte një mesazh universal: asnjë luftë nuk mund të fshijë të drejtën e një fëmije për jetë dhe dinjitet.

"Mbështetja për këtë nismë – shpjegon Carlo Bollino, botues i Report Tv nuk tregon një qëndrim të njëanshëm ndaj njëra pale brenda konfliktit arabo-izraelit, të cilin si gazetar e kam njohur dhe ndjekur nga afër për vite me radhë dhe për të cilin njoh kompleksitetin e jashtëzakonshëm. Por kandidimi i fëmijëve të Gazës për çmimin Nobel për Paqen do të thotë të duash të njohësh heroizmin dhe shpesh, për fat të keq, edhe sakrificën e këtyre martirëve të vegjël që vuajnë çdo ditë një luftë ndaj së cilës janë, pa dyshim, të vetmit të pafajshëm".