TIRANE- Të gjithë fëmijët e policëve të vrarë të cilët duan të ecin në rrugën e të atit, do të mund të hyjnë në Akademinë e Policisë pa konkurse.

Vendimi është marrë sot nga qeveria dhe është prezantuar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
 
”Fëmijët e punonjësve të policisë të rënë në krye të detyrës do të hyjnë në Akademinë e Policisë pa konkurs në shenjë mirënjohjeje ndaj këtyre punonjësve”- tha ministri Tahiri.

Këtë vendim dhe vendimin për shpronësimin e sipërfaqeve të tokave në varrezat e Shish Tufinës dhe të Sharrës tahiri i quajti mjaft të rëndësishme në fushën e sigurisë.

VENDIMI I PLOTE I QEVERISE: 

NJË SHTESË NË VENDIMIN NR.804, DATË 21.11.2007, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR MIRATIMIN E RREGULLORES SË PERSONELIT TË POLICISË SË SHTETIT”, TË NDRYSHUAR 
 
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 41, 49, 52, 86 dhe 129, të ligjit nr.9749, datë 4.6.2007, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Brendshme, Këshilli i Ministrave
 
VENDOSI:
 
1. Në nenin 26, të rregullores së personelit të Policisë së Shtetit, miratuar me vendimin nr.804, datë 21.11.2007, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, pas pikës 5 shtohen pikat 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:
 
“6. Ministri i Punëve të Brendshme, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pranon në polici aplikantë nga radhët e fëmijëve të punonjësve të policisë, të cilët kanë humbur jetën në krye apo për shkak të detyrës. 

7. Aplikanti pranohet në polici pasi të ketë plotësuar kriteret e parashikuara në nenin 6, të ketë paraqitur dokumentacionin e përcaktuar në nenin 7 dhe t’i jetë nënshtruar procedurës së testimit sipas shkronjave “c”, “ç”, “d”, “dh” dhe “e”, të nenit 13, të kësaj rregulloreje.”.
 
2. Ngarkohet ministri i Punëve të Brendshme për zbatimin e këtij vendimi.
 
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)