Fëmijët e turpshëm si t’i mësoni të sillen

Fëmijët e turpshëm si t’i mësoni të sillen
TIRANE - Një prind i kujdesshëm duhet t’i japë kurajo dhe të sillet me fëmijët në mënyrë shoqërore, duke i dhënë mundësinë të shfaqë vlerat e tij në ato që arrin të kryejë në përshtatje me moshën.

Çfarë e bën një fëmijë të ndrojtur?
Kështu, jo pak herë, fëmijët përjetojnë ndjenja të një frike të pashpjegueshme, sidomos kur ata gjenden përpara të rriturve e fëmijëve që nuk i njohin. Në më të shumtën e rasteve, ata tërhiqen dhe ndjekin situatën që larg, fshehur në ndonjë cep të shtëpisë. Te disa, kjo lloj frike shfaqet në formën e turpit (ndrojtjes), të tkurrjes. Ndërsa tek fëmijë të tjerë, ky fenomen lidhet me mungesën e pavarësisë dhe lidhjes së ngushtë me ambientin familjar që e rrethon. Jo pak herë tek ata kontakti me figura të reja shoqërohet me qarje, që tregon qartë frikën që ekziston brenda tyre.

Si mund të trajtohet një fenomen i tillë?
Shumë psikologë theksojnë se është shumë e thjeshtë të ndryshosh diçka në sjelljen e fëmijës, mjafton që ai element të mos jetë i lindur. Kështu nëse bëhet fjalë për ndrojtjen, ka raste kur ajo është e pandreqshme.
Kjo ndodh kur ndrojtja, përfaqëson një mënyrë sjelljeje, e cila është trashëguar nga prindërit tek vogëlushi. Një jetë familjare pa shumë marrëdhënie shoqërore, një kujdes i tepruar dhe i ekzagjeruar i prindërve për fëmijën, një metodë pedagogjike shumë e rreptë etj, të gjitha këto mund të bëhen shkak për lindjen e ndjenjës së pasigurisë tek fëmija, e cila shfaqet më frikën apo tmerrin ndaj të panjohurve.

MËNYRA MË E MIRË PËR TË LUFTUAR NDROJTJEN

Mënyra më e mirë për të luftuar ndrojtjen tek fëmija është që ta lini atë të lëvizë në ritmet e tij normale, të moshës. Jepini fëmijës kohën që ai ka të nevojshme për t’u përshtatur me situatat e reja, të panjohura dhe lëreni atë të kërkojë dorën tuaj atëherë kur ai e ndjen të nevojshme.

Nëse këndvështrimi juaj, rreth kësaj mënyre sjelljeje, bazohet tek parja e saj si një gjë e qenësishme (ekzistuese, normale për moshën e tij), atëherë të tretët- nuk do ta “tallin” vogëlushin, siç ndodh rëndom. Në këtë mënyrë, ju ndihmoni në formimin e rritjen e vetëbesimit tek fëmija, brenda një kohe tepër të shkurtër.

Ndodh, që kjo mënyrë sjelljeje e shfaqur nga fëmija, kur ai bie në kontakt me njerëz të panjohur, mund të jetë tepër zhgënjyese, sidomos për prindin, i cili kërkon të rrënjosë tek fëmija i tij guximin dhe pavarësinë. Por nëse, këtë zhgënjim e shprehni, duke e diskutuar me njerëz të tretë, në rastet kur fëmija është prezent, atëherë do ta bëni fëmijën të ndjehet akoma më shumë i pasigurt.

Para së gjithash, duhet të shqyrtoni ankesat tuaja, nëse ato janë të drejta e logjike. Apo mos ndoshta jeni shumë i rreptë dhe kërkoni gjëra të tepruara, të cilat fëmija nuk është në gjendje t’i kuptojë e t’i bëjë?

Shkrimi u botua në Suplementin Shëndeti në gazetën Shqiptarja.com (print) 30.05.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren

Paris 2024/ Priten kabllot e fibrave optike! Arrestohet një ekstremist i majtë pasi tentoi një tjetër sabotim në tren